Home Dossier Eksluzive: Esat Pashë Toptanit në morg. Fotoja e veçantë

Eksluzive: Esat Pashë Toptanit në morg. Fotoja e veçantë

Nga Mark Brunga

Para disa viteve në një ndër takimet e shumta që kam pasur me piktorin e shquar dhe njeriun e rrallë Agim Fajen, një mbledhes dhe dokumentues  i apasionuar i historisë së Shijakut, me kujtohet se kemi folur gjatë. Në biseda me piktorin mesova se në këtë zonë, e cila ka pasur shume familje që cilësoheshin me biografi me probleme politike, ka jetuar edhe njëra prej vajzave të Esat Pashë Toptanit. Madje më pas mësova se prej sajë Agimi kishte marrë një foto të veçantë që paraqiste Esatin në morgun e spitalit ku i ishte bërë autopsia mjeko ligjore, pasi u vra nga Avni Rustemi. Një foto e rrallw që po e paraqesim për herë të parë eksluzivisht nw gazeten “bulevard”. Lidhur me kete rast po botojmë krahas kësaj fotografije edhe pjesë nga fjala e prokurorit në gjyqin e zhvilluar në shtator të vitit 1920, sipas dokumentit të  ruajtur dhe botuar në vitin 1959 nga Drejtoria e Arkivave Shtetërore. Si dhe një pjesë të shkurtër të debateve të zhvilluara në këtë gjyq.

Pjesë nga aktakuza e prokurorit të përgjithshëm pranë gjykatës së Apelit në Paris kundër Avni Rustemit.

 9 shtator 1920.

I quajturi Avni Rustemi, lindur më 22 shtator 1895 në Libohovë (Shqipëri) prej Rustemit dhe prej Sabe Shahos,  student, banues në Paris, rruga 32, lagja Mont Monter, i burgosur.

Prokurori i përgjithshëm deklaron se duke u mbështetur në akte e në hetime, rezultojnë faktet që vazhdojnë:

Gjenerali Esat Pasha, kryetar i qeverisë shqiptare vendosur në Selanik, banonte në Paris qysh nga fillimi i vitit 1919. Bashkë me suitën e tijë mjaft të madhe, zinte një apartamnet në hotelin Kontinental. Më 13 qershor 1920, aty nga ora 13, Esat Pasha dolli prej hotelit Kontinental nga porta që të  qet në rrugën Kastilione dhe u drejtua për në automobile, në të cilin e prisnin Xhemil Vlora e një gra e re. Në këtë çast , një njeri që gjendej në trotuar përpara hotelit, shtiu 2 herë me revolver. Gjenerali ra i  plagosur për vdekje. Në kohë që vërtiteshin njerëz rreth tijë, 2 nënpunës të hotelit e kapën gjaksorin. Ky i cili nuk ishte tjetër veç i akuzuari Rustemi, e lëshoi veten në dorë të atyre nëpunësave pa asnjë kundershtim. Ndërkohë viktima çohej brënda në hotel, po mjekët e thirrur menjëherë nuk mundën të konstatojnë veç vekjen e tij. Autopsia ka provuar se Esat Pasha kish marrë 2 plumba, të parin në faqen e poshtëme të kafazit të kraharorit, në zonë të shpatullës së djathtë, dhe i kishte dalë në klavikulë. Ky plumb është gjetur në palët e zhiletit të viktimës. Plumbi i dytë ka prekur Gjeneralin në çastin kur ai me krah të djathtë përpiqej të mbrohej dhe ka përshkuar ndër 2 anët mëngën e xhaketës së tij, duke u futur mandej në nivelin e gropës së sqetullës së majtë , ka kaluar mëlçinë në të njëjtën anë, aorten dhe mëlçinë e djathtë dhe ka zënë vënd më në fund në krah të djathtë.

Kur u kap, i akuzuari mbante, siç e kishte zakon, një revolver marke amerikane me caliber 11 milimetra. Karikatori kishte 6 fishekë, 2 të zbrazur (këta që i kishin rënë viktimës), 2 të paprekur dhe 2 të fundit, megjithëse të shkrepur, nuk kanë marrë zjarr, për shkak të difektit që ka pësuar arma. Kjo veçori nxjerr në shesh se i akuzuari ka shkrepur revolverin 4 herë kundër Gjeneralit. Kështu jep të kuptohet se deponimi i Xhemil Vlorës, që ishte në automobil, ku priste ti hipte ungji i tij. Xhemil Vlora, nga vëndi ku ish, nuk mund ta shihte Esat Pashën, por verteton se pasi dëgjoi 2 të shtëna, pa gjakësin të vazhdonte ta drejtonte armen nga toka “ sikur shtinte mbi trupin e shtrirë përdhe”. I pyetur mbi këtë Rustemi ka deklaruar se nuk din të caktojë  sa herë ka shtirë me armë…

………………

I pyetur se ku e kishte marrë revolverin, i akuzuari ka thënë se e ka blerë në Romë. Por deponimi i Albarit, nëpunës i hotelit të rrugës Sent Jasen, ku Rustemi ka fjetur më parë  zbulon se cilat ishin preokupacionet e këtij studenti të pedagogjisë për të ardhur në Francë që të ndiqte kurset.

Qysh nga shëtitja e tijë e parë në Paris me Albarin, i akuzuari i lutet shokut të tijë ti tregojë një magazinë armësh ku mund të blinte një revolver, dhe një stand ku të stervitej për qitje. Nga ky grumbullim rrethanash, përfundon mirë prova që Rustemi e ka paramenduar krimin e tijë. Duke bërë këtë krim, i akuzuari ka qënë i frymëzuar nga një urrejtje personale apo ish agjent i një partie politike. Të dhenat e informatat nuk lejojnë për t,iu përgjigjur kësaj pyetje.Rustemi nuk ka pasur një të kaluar gjyqësore.

      Prandaj i lartpërmenduri është akuzuar për vrasje vullnetarisht në Paris më 13 Qershor 1920 të Esat Pashës, vrasje kjo e bërë me paramendim. Krimi parashihet prej artikujve 295, 296 e 302 të Kodit Penal. Paris më 9 shtator 1920.  Për prokurorin e përgjithshëm, nënshkruar: Beguin

(Sipas dok. të Arkivit Qëndror Historik të RPSH, botuar nga Drejtoria e Arkivave Shtetërore 1959)

Avni Rustemi: Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

(Sipas Gazetes franceze “Le Matin” paraqitur  nga Aurel Bebja mbeshtetur në “gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France”)

Drioux: Dhe pastaj, ju qëllūat ?

Avni Rustemi: Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !

Drioux: Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar víktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit. 

Avokati i Rustemit, De Monzie: Franca ka besuar disa herë gabimisht.

SOURCEBulevard News
Previous articleNajada Çomo iu bashkua PS për 25 Prillin, këto janë dy emrat e njohur që pritet të zëvendësojnë
Next articleBashkimi i Najada Çomos me PS i habit të gjithë, Taulant Balla ka një mesazh për opozitën dhe kritikët që dolën kundër