Home Ekonomia Ekonomia e vendit u rrit me 5.97% në tremujorin e parë! Ndërtimi...

Ekonomia e vendit u rrit me 5.97% në tremujorin e parë! Ndërtimi dhe tregtia rrisin ekonominë, ‘ndalet’ bujqësia

Tre muajit e parë të vitit, kanë qenë pozitiv për ekonominë e vendit. Me ndihmën kryesisht të ndërtimit, tregtisë dhe tregut të pasurive të paluajtshme, ekonomia është rritur me 5.97% në tremujorin e parë të 2022, në raport me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, sektori i ndërtimit që prej vitesh po njeh një vrull të shpejtë ka dhënë ndikimin më të fortë në rritjen ekonomike me 1.95%. Më pas është renditur sektori i Tregtisë, Transportit, Akomodimit dhe Shërbimit ushqimor me 1,55 % dhe aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0,91%.

Por nga ana tjetër një nga sektorët jetik të vendit bujqësia, që ka edhe numrin më të madh të të vetë-punësuarve, vijon me ritme të ulta. Ky sektor ka pasur rritjen më të ulët, me vetëm 0.01%. Ecuria e këtij sektori është cenuar edhe më shumë pas muajit mars, pas nisjes së luftës në Ukrainë, çmimet e plehrave kimike u shtrenjtuan, duke shtuar edhe kostot e prodhimit.

Nga ana tjetër në këtë tremujor të parë të vitit, kanë dhënë kontribut negativ në ekonomi artet dhe argëtimi që janë në rënie me -0,35%, dhe Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,18%.

Në këto të dhëna mbi ecurinë ekonomike, nuk është i përfshirë inflacioni i lartë, pasi kriza e çmimeve ishte më e fortë në fund të muajit mars dhe më pas. Si pasojë e krizës së çmimeve dhe inflacionit të lartë që ka arritur në 6.7% në muajin maj, ekspertët dhe institucionet vendase e ndërkombëtare presin reduktim të rritjes ekonomike, si dhe ngadalësim të konsumit prej çmimeve të larta.