Home Sport Edmond Hasanbelliu: Do të ruajmë grupin dhe me trajner Maganin

Edmond Hasanbelliu: Do të ruajmë grupin dhe me trajner Maganin

hasanbelliuSkuadra e Teutës ka arritur objektivin e kupave të Europës një ndeshje para fundit të kampionatit. Ky është një sukses për skuadrën bregdetare, e cila ka zhvilluar një fazë të dytë konstante në lojë dhe  rezultate. Presidenti i skuadrës, Edmond Hasanbelliu u shpreh i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij në kampionatin aktual, duke vlerësuar grupin e futbollistëve me në krye trajnerin: “Kemi zhvilluar një fazë të dytë konstante dhe në fund kemi arritur të marrim atë që kërkonim, përfaqësimin në kupat e Europës. Kjo meritë i shkon të gjithëve, që kanë qenë pjesë që nga fillimi i kampionatit. Grupi aktual i futbollistëve është paraqitur pozitivisht në fushën e lojës, trajneri Magani ka kryer një punë pozitive në këtë fazë, duke grumbulluar pikët e nevojshme për objektivin”, tha Hasanbelliu. Presidenti i skuadrës theksoi më tej se do të konfirmojë Maganin edhe për sezonin tjetër në krye të skuadrës durrsake. “Magani do të drejtojë ekipin edhe gjatë sezonit të ardhshëm”, tha presidenti i ekipit. Teuta ka pasur në organikën e saj shumë lojtarë të rinj, të cilët janë ndërthurur me futbollistët me eksperiencë. Kjo ndërthurje ka rezultuar pozitive gjatë kampionatit aktual. Për të vlerësuar punën e grupit ekzistues të lojtarëve, Hasanbelliu theksoi se ekipi ekzistues do ta përfaqësojë qytetin në kupat e Europës pa ndërhyrje të shumta në merkato: “Nuk do të bëjmë ndërhyrje të shumta në ekip, pasi do të respektoj grupin aktual në përfaqësimin në Europë. Mund të afrojmë dy-tre elementë, por baza do mbetet e pandryshuar. Teuta do të ruajë bazën e ekipit, ku të rinjtë do të jenë pjesë e rëndësishme e saj. Kjo nuk vlen vetëm për përfaqësimin në kupat e Europës, por edhe për kampionatin e ardhshëm”, theksoi Hasanbelliu. Ekipi durrsak ka arritur të marrë pikë të rëndësishme jashtë fushe, sidomos ndaj ekipeve direkte. “Ekipi me ka pëlqyer në sfidat e zhvilluara në transfertën e Tiranës, Vlorës dhe Korçës, ku ka arritur të shpalosë lojëra të mira dhe rezultative. Këto paraqitje ka ndikuar drejtpërdrejt në moralin dhe renditjen e skuadrës. Do të theksoja që kemi zhvilluar dhe ndeshje jo në nivelin e duhur, si ajo në “Niko Dovana” ndaj Apolonisë. Në atë sfidë hasëm shumë vështirësi, ku arritëm të kalonim në avantazh vetëm në minutat e fundit. Kjo ka qenë dhe një nga sfidat me të veshtira të asaj faze, ku përpak sa nuk na u rikthye makthi i sezonit të kaluar, ku dështuam ndaj Kamzës. Këto kanë qenë dhe pikat kyçe në ecurinë e ekipit tim në këtë faze. Ndeshja më e dobët e ekipit tim ka qenë ajo ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, ku pësuam dhe humbjen e vetme në këtë fazë. Këtë nuk e them nisur vetëm nga rezultati, por edhe nga loja e skuadrës, e cila ishte e tulatur në këtë përballje”, theksoi Hasanbelliu. Lidhur mbi objektivat e sezonit të ardhshëm, Hasanbelliu thekson se kjo do të varet nga buxheti që do të ketë ekipi në dispozicion. “Objektivat për sezonin e ardhshëm do të varen nga financat. Ato do të përcaktojnë nese do të synojmë titullin ose jo. Gjithsesi, mendoj se nuk do të ndryshojmë ekipin, por do të bazohemi te ky grup lojtarësh për të ardhmen tonë”, tha Hasanbelliu, lidhur me skuadrën e sezonit të ardhshëm. Teuta ka arritur të marrë 7 fitore, 3 barazime dhe një humbje në 12 ndeshjet e fazës së dytë. Pikërisht, tri barazimet janë arritur ndaj pretendentëve të Superligës dhe pikërisht në ndeshjet në transfertë, ndaj Skënderbeut, Tiranës dhe Flamurtarit. Barazimi ndaj vlonjatëve ka rezultuar më përcaktuesi për objektivat e ekipit, pasi Flamurtari ishte dhe kundërshtari i tyre direkt në betejën për kupat e Europës. Teuta ka paraqitur një futboll pozitiv në këto përballje, duke merituar dhe arritjen e objektivit.

Previous articleMancaku: Do të luajmë për të dalë nënkampion
Next articleAdministatat në Durrës mbushen me diploma fallso