Home Kulture E kisha një peng- Meditim nga Abdurrahim Ashiku

E kisha një peng- Meditim nga Abdurrahim Ashiku

E KISHA NJË PENG…

Meditim

Po, po.
E  kisha një peng…
Një peng të veçantë.
Për një mësues të veçantë…
Dhe jo vetëm për ata
Edhe për të tjerë, për të tjerë, për të tjerë…
Më falni…
Për të tjera, për të tjera, për të tjera…
Se “të tjerë” kanë mbetur pak…
“Të tjera” ka shumë, aq shumë sa nuk ka pasur ndonjëherë…
Dhe do të ketë edhe shumë e më shumë…
Fjalën e kam për një mësues, fjalën e tij “ditën e parë, orën e parë…” të shkollës (po të doni thoni kurs) shqipe në mërgimin grek, “Shkollën shqipe të Selanikut” – siç është dokumentuar në një libër me mbi 300 faqe dhe portretizuar në një monografi me afro 600 faqe – “Dashmir Zaçe – një Rilindës i kohës sonë”.
Nuk mund të mos e filloja 7 Marsin 2023 – 25 vjetorin e nismës për mësimin e gjuhës shqipe në hapësirën greke, Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, me Të në ekran, me fjalën e tij atë ditë të shenjtë për mësuesit shqiptarë në Greqi, mësues me vullnetin e vullnetarit çudi të kohës sonë, vullnetar që e gjen vetëm tek ata të shqipes në Rilindjen Kombëtare.
Më ftuan në tribunën modeste të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë.
Më thanë se “koha është pesë minuta”.
Iu përmbajta pa ngrënë sekondën.
Kisha kohë, plot 25 vjet që shkruaja e fotografoja.
E çfarë mund të thosha më shumë e më bukur se Dashmir Zaçe në vigjilje të viteve, pikërisht më 7 mars 2001 ?

*                  *                  *

E fillova kështu…
Erdha sot mes jush me dhuratën e mbi dymijë faqeve dhe rreth 700 fotografive fiksuar në katër libra: “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës”, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Dashmir Zaçe-një rilindës i kohës sonë”, me filmin dokumentar “Vera mësuese në dy ishuj” dhe të tjera.
Kam peng fjalën e një mësuesi, të PARIT, 7 mars 2001, në ditën e parë, në orën e parë të rrjedhës historike për shkollimin shqip të fëmijëve në Greqi, fjalë që do të desha ta vija  në faqen e parë të monografisë shkruar për Të.
Më erdhi me vonesë. Ma solli veprimtarja flamur e nismës për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi Mimoza Bejkollari Dako…
Po e përcjell…

*                           *                           *

Jam nga Përmeti.
Quhem Dashmir Zaçe.
Kam punuar 28 vjet mësues.
Kur erdhi një qytetar përmetar nga Selaniku në Përmet më tha:
“Tani e kuptova Naim Frashrin, tani që isha vetë në kurbet.”
Qesha…
Por tani që jam vetë, tani kuptoj jo vetëm Naimin, por kuptoj të gjithë ata që janë këtu. (I rrjedhin lot)
Eh !
Të gjithë kështu qanin…
Mbase dikush ka dy vjet, siç kam unë pa shkuar në Shqipëri, dikush ka nëntë vjet, dikush ka pesë vjet, por të gjithë e ndjejmë me dhimbje atë tokë…
Më fal (loton)
Prandaj shpreha dëshirën nga të parët, jo i pari, por nga të parët që të vij dhe t’i mësoj fëmijët shqip pa shpërblim sepse e ndjej detyrë në shpirtin tim, e ndjejë detyrë patriotike që duhet ta realizojmë.
Këtyre anëtarëve të shoqatës u tregova një rast.
Isha në autobus, shkoja në Korkora.
Ishte një fëmijë të them katër vjeç me të ëmën ruse. Nëna ia tregonte objektet rusisht.
Më erdhi edhe shumë mirë që e bënte këtë, por më erdhi edhe shumë inat me veten time.
Kur them “me veten time”, e them për të gjithë ne. Ne kur shkojmë rrugës, nuk kemi njeri pranë fare dhe i flasim fëmijës greqisht.
Pse t’i flasim Greqisht?
Ai do ta mësojë greqishten.
Do ta mësojë në ambient, do ta mësojë në shkollë.
Në qoftë se i flasim në ambiente shumë të ngushta dhe që je i “detyruar”, kur je vetëm me fëmijën dhe i flet greqisht, për mua bëjmë padrejtësinë më të madhe ndaj vetes sonë.
Duke parë këto situata unë po jua them:
Jam totalisht me fëmijët dhe do tua mësoj gjuhën shqipe…

Selanik, 7 mars 2001

*             *                 *

Ju faleminderit që u bëtë pjesë e jetës sime në këtë më se një çerek shekulli në mërgim, më dhatë gëzim, më sollët fytyrat e bukura të fëmijëve, zërat melodiozë kur këndonin, recitonin e flisnin shqip, portretin tuaj të paharruar.
Janë çastet më të bukura të jetës sime.
Dritëro Agolli ju ka quajtur “RILINDËS TË KOHËS SONË”.
Është vlerësimi më i lartë që ju bëhet, vlerësim që nuk e plotësojnë as fletëlavdërimet, as dekoratat, tepër të pakta, pothuajse zero.
Mësuesit e shqipes në mërgim kanë nevojë për një ligj të veçantë kuvendar për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë, për statusin ligjor të mësuesit, si gjithë mësuesit në Shqipëri, për mbështetje financiare e materiale, për një klasë bashkëkohore, të gjitha këto si dinjitet i punës dhe i jetës suaj.
Shpresoj që të kem kaq jetë sa tu shoh ashtu siç e meritoni…
GËZUAR 25 VJETORIN E LIDHJES SË MËSUESËVE SHQIPTARË NË GREQI!
Ju faleminderit!

Abdurahim Ashiku
Athinë, 7 mars 2023

Shënim:
U ngritën në këmbë.
Më duartrokitën.
Më dhanë dorën.
Më uruan…
Mësueset, këto intelektuale që meritojnë vlerësimin më të lartë, këto emigrante që shënuan histerinë e re të mërgatës shqiptare…
Mora edhe një “Certifikatë mirënjohje” me firmën e ambasadores shqiptare në Greqi znj. Hajdaraga…
E kisha një peng…
E përcolla ta kenë të gjithë…

Previous articleEKSKLUZIVE/ Nuk zgjati një vit, Zamir Mane shet televizionin SCAN , misteri i veprimeve të shpejta
Next articleSi mund të kurseni kohë falë Inteligjencës Artificiale, disa nga “aftësitë” që nuk keni më nevojë t’i mësoni?