Nga Rifat Ismaili
Të mos i besosh askujt, është shpëtimi më i mirë ndaj peripecive. Tu japësh të tjerëve atë që duan,por jo veten.
Ajo që gjendet brenda teje është aq e brishtë- dhe do të ndodhë si me një arë të shkulur nga një tufë derrash.
Tu shfaqësh të tjerëve butësinë dhe mirësinë që fshihet brenda teje,është njëlloj sikur tu zbulosh se sa të pagdhendur e të ashpër janë ata vetë.
Ndoshta,të gjithë jemi në pritje të një bote më të mirë.
Tani për tani,njerëzimi ështē ende në foshnjërinë mendore.
Më vjen të pështirë kur njerëzit i vleresojnë veprimet e tyre të shëmtuara si gjeste kafshërore, sepse kafshët jetojnë persosmërisht natyrën e tyre dhe po ta dinin si janë në të vërtetë njerëzit, dhe ç’janë në gjendje të bëjnë ata,do tu vinte turp,po të kishin qenë njerez.
Ka njerëz që shpesh vihen për të gjykuar të tjerët.
Do të doja ti shihja po ata ,kur prej të tjerëve të jenë të gjykuar.
Të gjithë duan dhe besojnë se janë të mirë,po të këqinjtë, atëherë ku janë? Në këtë pikë, do të preferoja të luaja pjesen e të keqit, jam më i sinqertë ,së paku,apo jo?
Të shumtë janë ata që shprehen se janë të mirë ,por a mund tu besohet vallë këtyre njerezve? Të jesh i mirë,nuk ka nevojë për tu vetshpallur. E ndien brenda vetes dhe kaq. Nëse unë do ti thoja dikujt se jam i mirë, vallë a kishte për të më besuar?
Të gjithë njerëzit e kësaj bote janë të brishtë e të thyeshëm,duke përfshirë edhe ata që ngjajnë të fuqishëm. Bile,që në çastin kur edhe vrasësi ka mbi ndërgjegje një viktimë,bëhet menjëherë edhe vetë viktimë.
Ç’ ti bësh, në çdo aksion që na duhet të ndërmarrim ,ndonjërin e ngushellojmë dhe ndonjë tjetër e plagosim. Njerëzit janë gjithnjë në përleshje mes njëri- tjetrit,por të mençur janë ata që nuk luftojnë për fitoren, por e rëndësishme është që ndodhen në fushën e betejës.
Por do të ishte edhe ca më mirë që në vend të pjesëmarrsit ,të ishim veç vëzhgues të zellshëm të jetës. Jeta është një vazhdimësi prezantimesh. Jetojmë në një botë të panjohur dhe midis të panjohurish. Mësojmë të njohim,por gjer kur mbaron njohja? Të njohim,mbase, është vetë kuptimi i ekzistencës sonë?
Njëlloj sa jeta, edhe ëndrrat kanë rëndësi të madhe brenda nesh. Të dyja gjendjet i përjetojmë. Shpesh na takon tē mos jemi të aftë për të parandaluar të gjitha keqkuptimet e fatit,që na japin aq shumë keqardhje; mendoni nëse e kemi tē mundur të parandalojmë vdekjen që na shkakton nje dhimbje kaq të madhe.
Flasim për lirinë,por nuk jemi kurrë të lirë. Po ashtu,çdo gjë që duket e vërtetë,nuk është kurrë plotësisht e vërtetë ,dhe sidomos predikuesit e lumturive nuk duhen marrë kurrë parasysh ,sepse, nëse nuk janē vërtetë ca budallenj, me siguri,janë hipokritët më të mëdhenj në botë.