Nga 26 monumente natyrore për të cilat janë mbajtur statistika të vizitorëve, të paktën 50 për qind të totalit i kanë marrë dy prej tyre.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit raportoi se Shpella e Shënandoit në Kurbin arriti të tërhiqte në pjesën e parë të vitit të paktën 27 për qind të vizitorëve ndërsa të dytat janë Banjat e Bënjës në Përmet me 23 për qind të vizitorëve. E treta në listë vjen Rana e Hedhun në Shëngjin.
Ndërkohë kategoria e Parqeve Kombëtare që ka 12 zona është vizituar nga 179,624 vizitorë, prej tyre 61% janë vizitorë vendas dhe 39% vizitorë të huaj.
“Numri më i madh i vizitorëve për këtë kategori është në Parkun Kombëtar të Divjakës-Karavasta (31%)Alpet e Shqipërisë nga pjesa e Shkodrës (19%) dhe e treta për nga vizitueshmëria këtë muajit është Parku Kombëtar i Butrintit me (9% )” thuhet në dokument.
Sipas ministrisë një tjetër element i marrë në analizë janë rezervatet natyrore. Kështu sipas të dhënave në kategorinë Rezervatet Natyrorë të Menaxhuar dhe Parqet Natyror Monumentet e Natyrës janë të përfshira 24 zona. Numri i vizitorëve për këtë kategori është 77,411. Nga këta, 61,5% janë vizitorë shqiptarë. Numrin më të madh të vizitorëve e ka Liqeni i Shkodrës (29%) e ndjekur nga Syri i Kaltër (17%)
Sa i takon peizazheve të mbrojtura përfshihen 7 zona.
“Numri i vizitorëve që kanë vizituar këto 7 zona është 107,911, nga ku 61.1% e vizitorëve janë shqiptarë. Vizitorët me numrin më të madh janë në Peizazhin e Mbrojtur të Lumin Buna (56%), të ndjekur nga vizitorët në Liqenit të Pogradecit(20%)” thuhet ne statistikat e fundit të qershorit të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Pavarësisht ecurisë së mirë të turizmit këtë vit ajo që vihet re është një rënie e shifrave në turizmin natyror në raport me një vit më parë. Nga janari në qershor vizitorët e turizmit të natyrës ishin mbi 1.14 milionë me një rënie 20 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.