Home Kosova DW: Situata epidemiologjike në Kosovë drejt përkeqësimit

DW: Situata epidemiologjike në Kosovë drejt përkeqësimit

Në fund të dhjetorit Kosova identifikoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit, por arriti ta përmbyllë një vit me situatë të qetë epidemiologjike. Tani në ditët e para të janarit situata po përkeqësohet.

Ndonëse në fund të vitit të shkuar Kosova ishte vendi me gjendjen epidemiologjike Covid-19 më të mirën në rajon, situata po ndryshon me fillimin e vitit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha këtë të hënë (10.01) se situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. Numri i të infektuarve ishte njëshifror në fund të vitit të shkuar, por aktualisht brenda dite po regjistrohen qindra raste me Corona. Vetëm në 24 orët e fundit ishin 304 raste. Instituti bën thirrje për respektim të masave dhe të mos ketë grumbullime të njerëzve. Më 26 dhjetor 2021, Kosova identifikoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit dhe përmbylli një vit me situatë të qetë epidemiologjike, por tani situata ka ndryshuar.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos-grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikqyrin me përpikmëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, -thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Nuk ka mungesa në vaksina

Vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi, duke ju rikujtuar qytetarëve se “mund të imunizohen çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor nëpër komunat e Kosovës”, thekson instituti përgjegjës për pandeminë.

Ndryshe nga viti i kaluar, Kosova nuk përballet me mungesë të vaksinave imunizuese për Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, 49.2 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, ndërsa 43.9 për qind me dozën e dytë. Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se vaksina ka mjaftueshëm, mbi 400 mijë të tilla aktualisht janë në dispozicion, ndërsa, sipas nevojës mund të kontraktohen të tjera. Kosova nisi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit të vitit 2021, ndërkaq nga fillimi i dhjetorit të vitit të shkuar, ka nisur edhe me dozën e tretë përforcuese. Nga 09.12.- 01.01. të këtij viti. 2,093 qytetarë kanë marrë dozën e tretë.

Rezistencë ndaj vaksinimit të fëmijëve

Edhe në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç, por numri i të vaksinuarve nën moshën 18-vjeçare konsiderohet të jetë shumë i ulët. Një specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli, u tha medieve lokale se Kosovën e pret një problem tjetër, siç është vaksinimi i fëmijëve.

“Me moshat 18-vjeçare e lart ne kemi një vaksinim të mirë dhe nëse vazhdojmë në mënyrë të këtillë nuk do të kemi probleme fare, por, i frikësohem vaksinimit të fëmijëve për të cilën ka rezistencë të madhe”, -thotë Hana Xhemajli. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i fëmijëve nga 12 deri 15 vjeç në Kosovë, është afro 100 mijë. Materiale informuese për vaksinimin e fëmijëve tashmë janë shpërndarë nëpër shkolla dhe sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, do të vazhdohet me fushata vetëdijësuese për vaksinën kundër koronavirusit./DW