Home Histori Durrësi, rol të rëndësishëm në Pavarësinë e Shqipërisë

Durrësi, rol të rëndësishëm në Pavarësinë e Shqipërisë

Nga Meçan Hoxha

( Me rastin e 110 – vjetorit)

Historia e Durrësit është vet historia e Shqipërisë. Qytet ilir, shtet ilir, kryeqytet shqiptar, gjithmonë i lakmuar si porti më i rëndësishëm i Adriatikut dhe porta kryesore për në Ballkan e më tutje. Përplasjen me invazorë të shumtë, lidhjen me botën dhe intrigat për pushtet, i gjen në Durrës si në gjithë Shqipërinë, po në një nivel edhe më të lartë. Kështu ka ndodhur dhe me ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë dhe gjithë rrugën, që çoi në atë ditë të madhe për gjithë shqiptarët, për të cilën ndihmesa e atdhetarëve durrsakë është tepër e çmuar.

Në fillim të shekullit XX-të, Durrësi ishte me pak banorë, rreth 5000 vetë, po me rëndësi të madhe politike, pasi, si gjithmonë, ishte nyje e rëndësishme tregtare e transporti, brenda e jashtë vendit, kishte disa konsullata të shteteve të huaja, kishte ndikimin e marinarëve dhe, aty jetuan e vepruan disa figura të shquara të atdhetarisë shqiptare. Ishte koha, kur si gjithë Shqipëria, dhe Durrësi u ndodh përpara ngjarjeve të mëdha kombëtare. Zhvillimet politike në Turqi dhe situata në Ballkan nxorën në rend të ditës shkëputjen nga sundimi shumëshekullor turk. Atdhetarët më në zë, brenda e jashtë Shqipërisë, filluan të organizohen e të marrin masa për ndërgjegjësimin e gjithë popullit Shqiptar. Rrugë kryesore u përcaktua përhapja e shkollës shqipe. Sami Frashëri këshillonte: “Sot është dita që dhe shqiptarët të zenë të shkruajnë e të këndojnë gjuhën e tyre, që të mundin të ruajnë kombin”. Nën ndikimin e rilindasve tanë të mëdhej, kudo në Shqipëri u rrit kërkesa për shkollën dhe gjuhën shqipe. U krijuan klube e shoqata atdhetare e kulturore, që punuan për alfabetin shqip, abetaren shqipe dhe mësimin e gjuhës së shkruar shqipe. U mblodhën disa kongrese si, i Manastirit, Elbasanit, Dibrës etj. dhe u ndez një frymë mbarëkombëtare, me synimin final Mëvetësinë, shkëputjen nga sundimi shumëshekullor turk dhe krijimi i një shteti të pavarur të shqiptarëve.

Atdhetarët durrsak e vlerësuan drejtë situatën dhe iu përgjigjën detyrës së kohës me ngritjen dhe funksionimin e shoqatave dhe klubeve, që u shpallën si klube kulturore, por në të vërtet merrnin përsipër detyra politike: përgatitjen e popullit në luftën për pavarësi. Ndër klubet më të rëndësishme që vepruan në Durrës, ishin: “Vllazënia”e “Bashkimi” dhe shoqata “Dituria”.

Historianët Hava e Sali Hidri, kanë shkruar: “Klubi “Vllazënia u themelua në kushte ilegaliteti në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit. Ai, shumë shpejt e lidhi veprimtarinë e tij me atë mbarëkombëtare, për rritjen e ndërgjegjes për liri e pavarësi. Në atë klub u bashkuan njerëzit më me emër në qytet si, Dom Nikollë Kaçorri, Hafiz Ali Podgorica, Neki Libohova, Myrtesim Këlliçi, Agostin Sereqi, Abaz Çelkupa, Hysen Halimi, Andrea Konomi, Pal Xhumari, Kristaq Rama, Sotir Veveçka, Aleks Duka, Stefan Kaçulini, Jahja Ballhysa, Adem Haxholli, Sulejman Kadiu, Hysen Myshketa, etj. me kryetar Neki Libohovën. Ky klub e rriti dhe më shumë veprimtarinë nën kryesinë e myftiut Myrtesim Këlliçi, që ishte një atdhetar i madh, klerik i zoti e tolerant dhe humanist i rrallë. Mbeti përkrah patriotëve durrsakë në të gjitha ngjarjet e viteteve që sollën pavarësinë.”

Klubi Bashkimi u themelua më 17 shtator 1909, me kryetar Jahja Ballhysa. U hap sipas porosisë dhe udhëzimeve të dala nga Kongresi i Manastirit, nën kujdesin e drejtpërdrejt të Klubit “Bashkimi” të Manastirit, që u vlerësua dhe si klub qendror. Kryesia e atij Klubi orientonte: “…Ju lutemi me të madhe juve dhe të gjithë klubeve në Shqipëri, që të përdorni të gjithë autoritetin tuaj në qytet dhe në fshat për të zhdukur armiqësitë dhe hakmarrjet dhe, çdo urrejtje të varroset në një përqafim vëllazëror”. Veprimtaria e klubit “Bashkimi” të Durrësit ishte legale dhe u prit me entusiazëm mbarëpopullor, që në krijimin e tij. Kryetari, Jahja Ballhysa, ishte atdhetar me ndikim edhe përtej Durrësit, njëri prej delegatëve në Kongresin e Elbasanit. Rol të rëndësishëm në organizimin e veprimtarive të klubit luajti sekretari, Stefan Kaçulini. Vula që përdorte ai, veç shqiponjës me dy krerë, kishte të shkruar:”RROFTË SHQIPËRIA E LIRË”.

Sipas historianit Afrim Hoti, në qytet vepronte dhe “Komiteti i Besëlidhjes”, i drejtuar nga Nikollë Kaçorri, Hafiz Ali Podgorica, Dervish Hima, Sali Nivica, etj. që e kthyen Durrësin në nyje kryesore ndërlidhje midis qendrave të lëvizjes kombëtare. Dervish Hima dhe Sali Nivica ishin intelektualë të shquar për kohën dhe atdhetarë të mëdhej. Saliu e refuzoi në mënyrë demostrative mësimin me alfabetin turko-arab, në gjimnazin e Durrësit, ku ishte mësues. Shkrimet e tyre i bënin jehonë vrullit të Lëvizjes Kombëtare, që kishte marrë përmasa gjithëshqiptare. Dervish Hima u bë dhe udhëheqës i njërës nga çetat kryengritëse, asaj me studentë shqiptarë.

Klubet që vepronin në Durrës, veç veprimtarisë për përhapjen e gjuhës dhe shkollës shqipe, u lidhën direkt me çetat kryengritëse, të cilat në vitet 1910-1912, u shtrinë në gjithë vendin. Në  Sanxhakun e Durrësit vepronin disa çeta të armatosura. Zgjimi dhe zgjerimi i vazhdueshëm i ndërgjegjes kombëtare, kishte si finalizim të saj pavarësinë e vendit, prandaj motoja e lëvizjes përmblidhej me dy fjalë:“Pendë e Pushkë”. Zgjerimi i veprimtarisë së atdhetarëve të shquar durrsakë, bëri që aty, përplasja e atdhetarëve me qeveritarët të ishte e ashpër. U arrestuan e u burgosën disa nga figurat kryesore si, Dom Nikollë Kaçorri, Stefan Kaçulini, Sulejman Kadiu, Agostin Sereqi. Ai qëndrim i acaroi masat popullore në qytet, të cilat organizuan mitingje proteste për lirimin e të burgosurve. Ndikimi i atyre protestave shkoi deri në Uashington, ku tubuesit në një miting në përkrahje të arrestuarve në Durrës, formuluan dhe një thirrje kundër atyre arrestimeve.

Në të njëjtën kohë me luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar për shkëputje nga Turqia, shtetet shoviniste fqinje dolën haptas me synimet e tyre për ta coptuar Shqipërinë. Në kuadër dhe të Luftës Ballkanike nisën raprezaljet kundër popullsisë shqiptare në trojet e vata, sidomos në Kosovë ku vepronin serbët, ndaj të cilave si në gjithë Shqipërinë dhe në Durrës u bënë protesta të forta. Në një prej tyre, në tetor 1912 thuhej:”Shqiptarët nuk do të lënë të coptohet Shqipëria”.

Situata përkeqësohej nga dita në ditë. Atdhetarët më në zë, po rrihnin mendime se ç’mund të bëhej me Shqipërinë. Po vlerësohej si më e pranueshme, që brenda shtetit turk, të kërkohej e të fitohej autonamia, e më vonë të kalohej në një shtet të pavarur. Patriotët e Durrësit, më 12.11.1912, në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit, u mblodhën dhe diskutuan për fatet e vendit në atë situatë. Kishn ardhur në Durrës dhe figura të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si Abdi e Refik Toptani, Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Sali Gjuka, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica, që së bashku me atdhetarët e qytetit të Durrrësit, Dom Nikollë Kaçorri, Neki Libohova, Stefan Kaçulini, Muhamed Beshiri dhe Sali Nivica, pas shumë diskutimesh, konkluduan në një dokument autonomie, i njohur në historinë tonë me emrin,”Memorandumi i Durrësit për autonomi”. Memorandumi kërkonte që Shqipëria të kishte autonomi brenda suazës së  perandorisë turke dhe të njihej si formë regjimi mbretëria. Por ngjarjet përshpejtun marrjen e vendimeve, të cilat tejkalonin përmbajtjen e Memorandumit të Durrësit. Duke marrë kontakte me kançelaritë europiane, delagacioni patriotëve shqiptarë, me në krye Ismail Qemalin, e qartësoi mendimin politik për të ardhmen e Shqipërisë. Duhej sa më parë shpallja e Pavarësisë së vendit. Më 19 nëntor, që nga Trieste, ai deklaronte se,”me të mbrritur në vend do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë dhe do të formohej një qeveri e përkohshme”. Kishte dy obsione për vendin ku do të ngrihej Flamuri i Pavarësisë, në Durrës ose në Vlorë.

Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, së bashku me katër atdhetarët e tjerë të kolonisë shqiptare të Rumanisë, mbërritën në Durrës, natën duke gdhirë 21 nëntori. Njoftimi për ardhjen dhe mbrritjen e Ismail Qemalit në Durrës, menjëherë ju bë i ditur atdhetarëve durrsakë dhe ata, po menjëherë morën masa për t’a siguruar atë dhe njerëzit bashkëatdhetarë, që e shoqëronin në misionin e shenjtë, për të shpallur pavarësinë. Kjo do të bëhej në prani të përfaqësuesve nga mbarë vendi, apo siç quhej mbledhja e një Kuvendi Kombëtar

Komisioni organizues i durrsakëve për pritjen e Iamail Qemalit, përbëhej nga, Dom Nikollë Kaçorri, Abdi Toptani, Murat Toptani, Mustafa Kruja, Abaz Çelkupa, Neki Libohova, Stefan Kaçulini e Kristaq Rama. Atdhetarët durrsakë, drejtues e antarë të shoqatës“Bashkimi”, u vunë në mbrojtje të Ismail Qemalit dhe shoqëruesve të tij, duke bërë dhe roje për të shmangur çdo incident të mundshëm, pasi ishin të njohura veprimet antishqiptare të turkoshakëve dhe të Dhespotit Jakov. Ajo përkujdesje e jashtëzakonshme u përmend dhe një vit më pas nga shtypi i kohës. Në gazetën “Përlindja e Shqypnisë”,(datë 24 shtator 1913) në editorialin e saj, duke ju referuar këtij fakti, midis të tjerave nënvizohej: ”…le të kujtojmë se ahere, kur zbriti z. Ismail Qemali në Durrës, kur po vinte për në Vlorë, durrsakët i bënë një pritmë të paharrueshme. Për një fill , Kryetari i Qeverisë së sotme me gjithë ata që kish pas, do viheshin në burg”.

Durrësi dhe durrsakët po kalonin ditë me ngarkesa historike të papërsëritëshme. Më 22 nëntor, Ismail Qemali foli në një tubim popullor, për situatën që po kalonte Shqipëria dhe spjegoi se, me që ushtria serbe ishte shumë pranë, rrethanat e përjashtonin Durrësin për aktin madhor të Kuvendit Kombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë. Në ato kushte atdhetarët durrsakë morën masa për sigurinë e udhëtimit të Ismail Qemalit drejt Vlorës, ku do të mblidheshin delegatët e të bëhej shpallja e pavarësisë. Ndaj, më 23 nëntor 1912, në mesditë u bë mbledhje e Klubit “Bashkimi”, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga shtresa të ndryshme të qytetit. Mbedhjen e hapi Dom Nikollë Kaçorri, i cili spjegoi rëndësinë e asaj mbledhjeje, ku u përcaktuan detyra për sigurimin e udhëtimit të Ismail Qemalit dhe do të zgjidheshin delegatët, që do të përfaqësonin Durrësin në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Nga mbledhja u zgjodhën katër delegatë: Abaz Çelkupa, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha dhe Dom Nikollë Kaçorri, që ishte përfaqësues i popullsisë katolike të dioqezës. Dom Nikollë Kaçorri në mbledhjen e Kuvendit të Vlorës u zgjodh, Nënkryetar i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës, me Ismail Qemalin në krye.

Mbas përcjelljes së Ismail Qemalit, në ditët që pasuan, nga 23 nëntori deri më 28 nëntor 1912, për atdhetarët durrsakë qenë ditë me përgjegjësi historike. Duheshin përballuar një sërë detyrash të karakterit diplomatik, të përballimit të tensioneve politike, ushtarake e administrative. Një ndër to, qe ngritja e flamurit në Durrës, sipas porosisë së lënë nga Ismail Qemali. Akti i ngritjes së flamurit në Durrës, ishte një masë diplomatike edhe për t’i paraprirë marshimit të pandalshëm të ushtrisë serbe, që nga dita në ditë, po i affrohej gjithnjë e më tepër qytetit të Durrësit, ëndrrës së shovinistëve serbë, për të pasur dalje në Adriatik. Prandaj atdhetarët dhe antarët e klubit “Bashkimi” si, Veli Juba, Sulejman Kadiu, Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Kristaq Rama, Aleks Duka, në shtëpinë e Stefan Kaçulinit, biseduan për masat për t’u përgatitur Flamuri Kombëtar, që do të ngrihej në qytet. Agostin Sereqi ka shkruar:”U caktua që flamurin ta përgatiste Stefan Kaçulini në shtëpinë e tij”. Edhe Stefan Kaçulini, në jetëshkrimin e tij, ka pohuar: ”Pregatita me duart e mia Flamurin Kombëtar”.

Aktin solemn të ngritjes së flamurit patriotët durrsakë e kryen, më 26 nëntor 1912, në ndërtesën qeveritare të prefekturës, nder i cili iu besua kryetarit të bashkisë së qytetit, Hafiz Ali Podgorica. Entusizmi në popullsinë e qytetit ishte i jashtzakonshëm. Këtë veprim madhor, qytetarët durrsakë e pasuan  me telegramin e datës 26 nëntor 1912, me nr.13300, dërguar qyteteve kryesore të vendit dhe për dije konsullatave të huaja në Durrës, me këtë përmbajtje:”Popullit të ndershëm të qyteteve: Elbasan, Berat, Janinë, Delvinë, Gjirokastër, Lushnje, Korçë, Starovë, Vlonë, Përmet.

Ju japim lajmin e gëzueshëm, se me hirin e të Naltit Perëndië, ndashti shpallëm indipendencën, n’emën të kmbësies tonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës…”

Telegrami u nënshkrua nga 22 qytetarë durrsakë, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë dhe përfaqësues të klerit. Ja firmëtarët e këtij telegrami: Isuf Ramzoti, Abdyl Qerim Kurti, Hysen Mulla Alushi, Ali Kuli, Hafiz Jusuf Gjoni, Ismail Beja, Mahmut Beja, Hysen Dakoli, Hasan Tartari, Ismail Usta Sula, Rexhep Abdurrahman Berberi, Hysen Peni, Filip Sereqi kryeplaku i katolikëve, Aqif Çelkupa, Bahtiar Dervishi, Aleks Duka, Kristaq Rama, Sotir Veveçka, Hamza Tahir Himi, Muharrem Qepaxhiu, Ymer Lytfi Mallkuçi, Musa Milaqi.

Akti i ngritjes së Flamurit Kombëtar në Durrës ishte në vazhdën e veprimeve politike e diplomatike edhe të qyteteve të tjera si, Elbasan(25 nëntor), Tiranë(26 nëntor), Gramsh(26 nëntor), Lushnje(27 nëntor), etj., që respektivisht shpallnin pavarësinë dhe ngrinin Flamurin Kombëtar, për t’i thënë marshimit serb, se ata po shkelnin në një shtet të pavarur shqiptar.

Gëzimi i popullit të qytetit të Durrësit u pre që ditën e dytë nga marshimi dhe futja e ushtrisë serbe. Ata e hoqën Flamurin tonë Kombëtar dhe vunë flamurin Serb. Populli i Durrësit ndjeu, bashkë me pushtimin dhe shpërfilljen e simbolit të tij të shenjtë, për të cilin ishte derdhur gjak e sakrifica.

Më 28 nëntor 1912, me shpalljen e Pavarësisë së vendit, me ngritjen e Flamurit në Vlorë, durrsakët shprehën gëzimin e tyre për atë akt kombëtar. Në Vlorë po lindëte e para qeveri shqiptare e pavarur, po hidheshin bazat e shtetit shqiptar. Ai shtet, ishte rezultat i Lëvizjes atdhetare, me penë e me pushkë, brenda vendit për të dalë më vehte Shqipëria, për të mbijetuar e lirë, e pacënuar dhe e pagjymtuar në territoret e saja. Përfaqësuesit, nga të katër anët e Shqipërisë, bënë gjenë më të rëndësishme: e shpallën Mvehtësinë e Shqipërisë, megjithëse të cunguar, krijuan shtetin e pavarur shqiptar, ngritën administratën shqiptare.

Durrësi, në atë Kuvend e në atë Qeveri, kishte përfaqësim dinjitoz. Ishin katër delegatë e një Nënkryetar Qeverie. Më pas, atdhetarëve durrsakë u ra të përballen me vështirësi të tjera, të cilat i sfiduan, duke e mbajtur gjallë nderin dhe krenarinë e banorëve të këtij qyteti. Ajo krenari është përcjellë e do të përcillet në breza. Edhe ne, sot nga lartësia e 110 vjetëve, nderojmë e respektojmë veprën e tyre të lavdishme.

 

 

 

 

Previous articleSali Berishës i duhen këshilltarë të mirë
Next articleTedi Papavrami, më 25 nëntor një koncert në skenën e TKOB