Home Aktualitet Durrësi me plan të ri urbanistik. Dako imponon ndryshimet pas ankesave qytetare

Durrësi me plan të ri urbanistik. Dako imponon ndryshimet pas ankesave qytetare

keshilli bashkiakPër të ndërtuar do të duhet së paku miratimi nga 2/3 e pronarëve në një zone. Ligji ri urbanistikës shmang zhvillimin spontan dhe klientelist

Nga Xhevo Gradica / Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako merr në mbrojtje qytetarët duke kërkuar dhe vendosur në saj të këmbënguljes së tij për ndryshimin në detaj të projektit urbanistik të qytetit të Durrësit. Banorë të lagjes numër 11 në Durrës ankohen prej vitesh duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të shtetit për të shpëtuar nga gjendja tejet e vështirë në të cilën ata jetojnë për shkak të bllokimit të lirisë për të rikonstruktuar objektet e tyre. Dako ka parë nga afër kushtet e jetesës së banorëve të kësaj lagjeje ndaj edhe ka vendosur të dalë në anë të tyre ditën e paraqitjes për miratim të projektit urbanistik të qytetit me një perspektive 10-vjeçare zhvillimi. Bëhet fjalë për banesa që shtrihen nga pallati kulturës “Aleksandër Moisiu” deri tek ish lulishte 1 maji pranë Albtelekomit. Pikërisht kjo zonë është lënë jashtë çdo mundësi ndërhyrje në rrugë private nga pronarë të shtëpive për të përmirësuar jetesën e tyre. banorët, për shkak të dëmtimit të plotë të kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të bardha si dhe të një rrjeti rrugor tejet problematik janë ndeshur me vështirësi të shumta. Me të hyrë vjeshta me reshje dhe deri në fund të pranverës, për afro shtatë muaj shtëpitë e tyre ndoten nga ujrat e zeza që depërtojnë brenda në banesë. Ditën e paraqitjes së projektit për planin urban të qytetit, banorët kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e këshillit të bashkisë si dhe kanë dëshmuar para konsulentit të firmës italiane se lagjja e tyre është vetëm 50 metër nga qendra e qytetit ndërkohë që është pjesa më e errët pasi shtëpitë e tyre mbajnë jo vetëm erë myku por janë dëmtuar plotësisht nga lagshtia. Ata madje kanë thënë se kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë duke paralajmëruar se do i drejtohen Helsinkit. Banorët kanë pohuar se është e padrejtë që atyre nuk u lejohet të riparojnë shtëpitë në një kohë që ngjitur me banesat e tyre përdhese e të rrënuara janë ndërtuar pallate 15 e më shumë kate. Kjo është cilësuar si padrejtësi dhe njëanësi në veprimet e institucioneve shtetërore. Në anë të tyre ka dalë kryetari i bashkisë Vangjsh Dako. Ai ka shkuar deri atje saqë t’u bëjë me dije përfaqësuesve të studios italiane të projektimit urbanistik të qytetit se do të vendosë veton si mënyrë e vetme për të ndërhyrë në zgjidhjen disavjeçare të problemit. Dako ka thënë se shqetësimi banorëve është i drejtë dhe duhet marrë me doemos në konsideratë si nga studio projektimit edhe nga qeveria lokale e qendrore. Përballë presionit të banorëve të lagjes 11 si dhe të vet kryetarit të bashkisë, këshilltarët kanë pranuar ta miratojnë projektin urbanistik të paraqitur nga studio italiane “Hidea” me kushtin e vetëm për ta shoqëruar atë me kërkesën për ta rishikuar dhe ndryshuar për planet e detajuara në lagjen 11 të qytetit.

Plani

Tre vite pasi studio italiane ka marrë përsipër të bëjë projektin urbanistik të qytetit të Durrësit, dosja është paraqitur para këshilltarëve për miratim duke marrë votat e të gjithë këshilltarëve të pranishëm pa asnjë kundërshti. Zhvillimi spontan dhe me shumë probleme e konflikte të karaktereve të ndryshme ka nxitur nevojën e një plani urban për zhvillimin në të ardhmen. Ekipi ekspertëve që ka bërë agjustimin e terminologjisë së planit urban të qytetit të Durrësit ka marrë në konsideratë zhvillimin dhjetëvjeçar. Plani është bërë me fondet e BB në vitet 2008-2009 me idenë e zhvillimit të qytetit bregdetar sipas standarteve ndërkombëtare. Studio italiane e projektimit “Hidea” ka punuar për një kohë të gjatë deri në stadin e paraqitjes para këshilltarëve të bashkisë së Durrësit. Kjo studio ka bërë të njëjtën gjë në planet urbanistike në Korçë, Berat, Lushnje e Gjirokastër duke afruar projekte cilësore të përshtatshme me ato të vendeve të zhvilluara. Projekti vjen në saj të një bashkëpunimi me Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipëerisë për përshtatjen e legjislacionit shqiptar. Me 30 shtator 2011 ka hyrë në fuqi ligji i ri urbanistikës dhe të gjitha projektet janë detyrimisht të kushtëzuara për ta respektuar deri në një. Plani ri urbanistik kërkon një set me dokumentacione dhe ato janë paraqitur para këshilltarëve të bashkisë së Durrësit të cilët kanë dëgjuar dhe më pas janë shprehur pavarësisht lidhur me projektin. Studio italiane “Hidea” e ka bërë këtë projekt në vitin 2009 dhe që nga ajo kohë ka organizuar një sërë takimesh me specialist dhe përfaqësues të komunitetit. Së fundi me 15 dhjetor 2012 shoqata qytetarëve dhe forume të tjera joqeveritare kanë zhvilluar tek hotel Adriatiku takimin për këtë plan. Dokumentet që e shoqërojnë këtë plan kanë të detajuar qëllimin, politikat, zhvillimin dhe gjithçka tjetër të domosdoshme. Me t’u miratuar projekti do të kalojë në agjensinë e vlerësimit në KRRTRSH. Përfaqësues të studios kanë bërë të qartë se projekti ka 23 harta që shoqërojnë planin dhe se çdo zonë ka harta të detajuara për zhvillim. Plani është i gjithë i lidhur në sistem, sistem modern ky me standarte të kohës. Ky plan i jep mundësi njësive vendore dhe private të marrin informacionin e duhur e të plotë lidhur me projektet që ata duan të ndërmarrin në njësitë e tyre. Faza e parë ka të bëjë kulturën informative se cili do të jetë zhvillimi Durrësit duke pasqyruar asetet që afron. Studio ka bërë të ditur se është mbështetur në hartën ekzistuese të Durrësit duke e krahasur atë me perspektivën e zhvillimit urbanistik. Projekti ka çdo gjë: zgjerimin, portin, infrastrukturën, zonën ekonomike. Kujdes i është kushtuar qendrës së qytetit që është edhe qendër arkeologjike me zonën A e B, zona që nuk do të preket duke mbetur të tilla dhe nën mbrojtjen e plotë të shtetit. Me projektin e afruar italian mësohet lehtësisht se ku janë zonat që mund të ndërtohen, pra zonat me leje dhe në cilat vatra është e ndalur të investohet. Ndryshe nga deri më tani dosja e re që afrohet për urbanistikën e qytetit ka të përcaktuara se sa leje do të lejohen të japë bashkia në një zonë. Konsulenti tha se 12 përqind të sipërfaqes së një zonë i takon procesit të zhvillimit, 30 përqind është zonë arkeologjike dhe e gjelbër, 20 përqind infrastrukturë, 20 përqind zonë universitare … Projekti afron hartë më vete për rrjetin rrugor për 10-vjeçarin e ardshhëm, hartë më vete për ujësjellës-kanalizimet dhe infrastrukturën rrugore të të gjitha kategorive. Aty është thënë se ka Kontribut monetar dhe kontribut me tokë për ndërtimet me karaktet social në shërbim të komunitetit si rrugë, lulishte, parqe, objekte arsimore e argëtimi…Plani e parashikon si do të jetë përqindja e kontributit me tokë dhe si do të jetë përqindja e kontributit monetar. Lejet e zhvillimit janë pjesë e diskutuar dhe e përcaktuar tashmë në plan ndryshe nga deri më tani. Ka qenë KRRT e bashkisë e cila ka vendosur për lejet e ndërtimit, ndërkohë që këto leje me planin e ri urbanistik janë të paracaktuara. Plani ka bërë gjithashtu edhe vlerësimin strategjik mjedisor në saj të studimit të gjendjes së mjedisit ekzistues në pikëpamjen sociale e ekonomike si dhe është marrë në konsideratë llogaria e rriskut në komunitet. Zona turizimit, industrisë, ekonomisë janë kolona më vete të detajuara, të projektuara dhe të përcaktuara në planet e detajuara. Diku zë njëra hapsirë më shumë, diku tjetra sipas kondicioneve. Harmonizimi objektivave kombëtare në kuadër edhe të kritereve ndërkombëtare të zhvillimit të qendrave të rëndsishme urbane vlerësohen si objektiva me rëndësi në planin e studios italiane. Konsulenti ka qartësuar se vëmendje të konsideruar ka marrë cilësia tokës, mbrojtja nga ndotja ajrit, ndryshimet klimaterike, ndotja akustike. Specialisti italian tha se miratimi planit është kusht për të kërkuar fonde nga BB dhe BE të cilët operojnë me praktika të reja në këtë drejtim. Me miratimin dhe nisjen e zbatimit të tij çdo leje e dhënë do të jetë transparente për këdo të interesuar. Plani ka kaluar në disa faza dhe në secilën prej tyre është punuar ngushtësisht duke marrë mendimin e bashkisë, specialistëve dhe komunitetit. Brenda planit janë të gjitha projektet potenciale për 10 vitet në vijim duke dhënë zgjidhje për të ardhmen. Studio i kushtoi kujdes edhe sqarimeve për zhvillimin në zonat informale dhe të papaisura me infrastrukturë përkatëse të cilat janë planifikuar si zona të planit të detajuar për ujësjellës, kanalizime, zona të gjelbëruara dhe zona publike. Aty është thënë se nuk do të jepet leje pa sqaruar dhe përcaktuar se ku do të kalojë ujësjellësi, kanalizimet dhe përqindjet e hapsirave publike. Zhvillimi kalon në tre etapa: plani përgjitshhëm vendor, plani detajuar vendor dhe leja zhvillimit. Projekti që ka marrë votëbesimin e të gjithëve bën të ditur se parcelat me mbi 30 përqind shtëpi të ulta, të dëmtuara, të amortizuara dhe që do të zhvillohen në një fazë të dytë duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë e planit të detajuar vendor. Duke analizuar gjendjen e disa banesave dhe godinave të vjetra në qytetin e Durrësit të njohur për arkitekturën e veçantë është thënë se pa fondet e Bashkimit Evropian Durrësi e ka të pamundur të rigjenerojë, pra të shemb e të ndërtojë pasi ka kosto shumë të lartë dhe të pamundur për t’u përmbushur me financime të vet qytetarëve e pronarëve të vegjël. Risi e këtij plani është fakti se për një zonë që do të kalojë në planin e detajuar duhet miratimi 2/3 të pronarëve të asaj sipërfaqe të përcaktuar për zhvillim. Këshilltarët kanë drejtuar një sërë pyetjesh të cilat janë bërë objekt debate. Pasi këshilltarët kanë rënë në të njëjtin mendim për t’ia bashkëngjitur këtij plani urbanistik edhe ankesën për të marrë në konsideratë ndryshimet e kërkuara në lagjen numër 11, projekti ka marrë të gjitha votat. Pas kësaj faze ka përfunduar gjithçka që ka të bëjë me interesimin e qeverisjes vendore dhe të shoqërive civile. Projekti do të përcillet në KRRTRSH për të marrë votbesim. Deri atëherë në Durrës nuk do të ketë asnjë ndërtim të ri pasi ligji ri urbanistikës e ka ndaluar dhënien e lejeve të ndërtimit dhe të shesheve të ndërtimit pa u miratuar plani urbanistik i zhvillimit të qytetit. Kryetari i bashkisë Vangjush Dako ka thënë se bllokimi lejeve të ndërtimit ka penalizuar sektorin privat dhe industrinë e ndërtimit, por nga ana tjetër projekti i ri urbanistik i jep zhvillim modern qytetit duke e larguar atë nga zhvillimet spontane e klienteliste.

 

Previous articleMatt LeBlanc nuk mban dot në kontroll duart
Next articleBledian Rizvani: Do të jemi më të fortë në fazën e dytë