Home Editorial Dum babën?!

Dum babën?!

Nga Nebil Çika

Ai mund të ketë hallet dhe luftën e tij personale me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE por nuk mund të tërheq dot dhe shqiptarët të tjerë në këtë luftë !
Për dy ditë me radhë Berisha hapur ka artikuluar aksionin e tij anti- perëndimor duke kërcënuar se “do të çonte 100 mijë njerëz para ambasadës Britanikë në Tiranë dhe se do të organizojë një protestë ditën e samitit të BE në Tiranë në 6 nëntor .

Un besoj se nuk bën dot as njërën e as tjetër por qartësisht ai po mundohet ti jap “opozitës” së tij një orientim e motivim anti-perëndimor duke injektuar tek mbështetësit e tij urrejtje për perëndimin, që ai e cilëson “përgjegjës për hallin e tij personal e familjar”.

Shqipëria ka probleme të mëdha me qeverinë dhe qeverisjen e rilindjes komuniste të Ramës, por për këtë nuk janë përgjegjës kancelaritë perëndimore ku mundohet ta kanalizojë reagimin, mllefin dhe urrejtjen njerëzve të zemëruar e dëshpëruar, Sali Berisha .
Perëndimi ka ndëshkuar Berishën për “korrupsion e minim të demokracisë “, jo Shqipërinë e shqiptarët dhe fati orientimi evropian i një populli e kombi nuk mund të lidhet me fatin e një njeriu apo një familjeje.

Praktika e politika të tilla ne i pamë, i provuam për 45 vjet në diktaturën komuniste dhe e hoqëm në shpinë produktin e tyre !
Retorika e Berishës është shumë e ngjashme me atë të Enver Hoxhës kur thotë se fajin për ndëshkimin dhe izolimin e tij e kanë ambasadorët dhe qeveritë perëndimore e jo popujt e tyre .
Edhe Enver Hoxha kështu i gënjente shqiptarët që atë nuk e donin qeveritë reaksionare perëndimore por e donin popujt dhe proletariati botëror !

Një protestë në zhvillimin politik me të madh të BE të zhvilluar ndonjë herë në Shqipëri, me efekte të mëdha për integrimin evropian të vendit është qartësisht një pozicionin politik antiperëndimor !

Përrallat e Berishës për “protestë mikpritëse” nuk i ha kush, të gjithë edhe ata që e mbështesin edhe ata që janë kundër e dinë që kjo është një sipërmarrje e qartë dhe e hapur antiperëndimore e anti evropiane dhe reagojnë ndaj sajë me ndërgjegje.
Berisha tani nuk fshihet në aksionin e tij antipeëndimor

Personalisht, në pozicion mbrojtës të interesave të tij ai ka të gjithë të drejtën reagojë ndaj atyre qe e kanë ndëshkuar por orientimi e përdorimimi i turmave, organizimi i një “intifadë” anti perëndimore në Shqipëri nuk mund të pranohet e as të justifikohet as politikisht, as moralisht !

Vetëm Berisha mund ta quaj një protestë, “mikpritje” se dihet që protestat janë manifestime revolte, zemërimi e kundërshtimi, luftë ndaj një zhvillimi të caktuar .
“Do ti mirëpresim me protesta liderët evropianë” ,thotë. Hajde kuptoje e shpjegoje këtë logjikë !

Nuk ma do mendja se do të mbërrijë deri tek protesta në 6 dhjetor se e di që nuk e bën dot, nuk e lënë ta bëjë, por po e përdor artikulimin dhe mundësinë e organizimit të sajë si presion ndaj kancelarive perëndimore, siç tha vetë për protestën e fundit të tij, për ta pranuar atë si aktor politik.
Nuk besoj se do të mund të arrijë gjë me këtë, përveç se t’iu jap kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë vendit një provë më shumë , një argument më tepër për akuzat dhe ndëshkimet e ndërmarra ndaj tij .

Një protestë në ditët e samitit të BE në Tiranë nuk dëmton kancelaritë perëndimore e as e përmirëson situatën e Berishës në raport me ta .
Kjo, në se ndodh, dëmton Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimin dhe ëndrrën tonë evropiane.

Në planin e brendshëm, i vetmi që përfiton nga një protestë e tillë apo edhe retorika e Berishës për organizimin e sajë është Edi Rama i cili ka mundësinë të amortizojë në sytë e ndërkombëtarëve çdo akuzë të drejtë të ngritur për të.
Rama do të ketë mundësinë ta përdorë këtë si provë, të flasë përsëri për non grata, rubla ruse, spiunë të sigurimit etje.

Dhe të gjitha këto argumente e propagandë ja jep, ja dhuron Sali Berisha me retorikën dhe aksionin e tij politikë kundër perëndimit .
Duket sikur ka një sintoni midis tyre në këtë lojë të ndyrë politike, si mundësia e vetme për të qëndruar në politikë e pushtet .

Rama nuk ka asnjë mundësi ,as një parametër për të vazhduar regjimin, qeverisjen, pushtetin e tij, përveç Sali Berishës, të shënjuar nga perëndimi si armik, si pengesë të marrëdhënieve të Shqipërisë me ta por edhe retorikën dhe aksionin antiperëndimor që ka ndërmarrë e po vazhdon ai .

Në planin ndërkombëtar nga kjo linjë ,kjo retorikë. Ky aksion antipetëndimor i Berishës fitojnë Rusia dhe Serbia .
Perëndimi, NATO ku ne jemi anëtar është në konflikt, luftë, me Rusinë për shkak të agresionit ushtarak në Ukrainë të sajë. NATO, SHBA e BE i kanë shpallur si rezik, ndërhyrjet dhe influencë ruse në Ballkanin Perëndimor dhe po merren seriozisht me të . Një protestë ditën e samitit të BE në Tiranë është një paralele më shumë se politike me interesat ruse . Nuk ka nevojë të jesh filo-rus apo spiun zyrtar i tyre për t’iu shërbyer, mjafton të organizosh një protestë të tillë e të marrësh pjesë në të për tu bërë palë me ta.
Aktualisht Kosova ka një problem të madh në Veri me Serbinë të cilin nuk mund ta zgjidhim dot pa përkrahjen e aleatëve perëndimorë të shpallur “armiq” nga Berisha.
Kjo lëvizje antiperëndimore e Berishës është, de facto, një zgjatim i frontit rus të Ukrainës dhe atij serb të Mitrovicës në Shqipëri.
Kë ndihmon një protestë kundër BE në Tiranë në rastin e situatës në Kosovë, shqiptarët apo serbët ?!
Si përfundim, ngado që ta rrotullosh “intifada” antiamerikane e anti-evropiane e Berishës, sipas parimit poolitik e historik “dum babën” është në linjë paralele me politikën ruse dhe në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë.

“Jeni në udhëkryq midis lindjes dhe perëndimit, si në 1920 apo 1945. Duhet të zgjidhni nga do të shkoni për të pasur përkrahjen tonë” – tha para pak kohësh ambasadorja amerikane Juri Kim.
Me sa duket Berisha e ka ndarë mendjen, e ka bërë zgjedhjen e tij dhe tani po përpiqet tiu imponojë edhe ca shqiptarëve të tjerë këtë .
Korifeu i shqiptarizmës , Mid’hat Frashri, e cilëson kryengritjen anti-perëndimore të Haxhi Qamilit në 1913 si “lëvizje bolshevike ” .

Un nuk shoh ndonjë ndryshim të madh, në qëllim as në përfundimin , midis asaj haxhiqamiliste atëherë dhe kësaj salimetaj tani . Ndryshimi i vetëm është” baba”, atëherë Sulltani, tani Saliu!

Previous articleVIDEO/ Pallati në Durrës rrezikon jetët e qytetarëve, fasada prej xhami kriset dhe fillon të bjerë
Next articlePresidenti Begaj dekreton ligjin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, botohet në Fletoren Zyrtare