Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku teksa inspektoi punimet që po bëhen për ndërtimin e ujësjellësit në njësinë administrative Mollas, në Cërrik, shpjegoi se si do të bëhet furnizimi me uji i qytetarëve.
“Do hapet një rezervuar dhe do të furnizohet nga 3 burime. Janë 3 depo që do të furnizojnë me uji 24 orë të zonave, është parashikuar edhe sistemi matës për të gjithë qytetarët”, u shpreh Balluku.
Ministrja tha se në këtë qytet nuk ka pasur investime në ujësjellës që prej viteve 90’, prandaj kërkoi që punimet të jenë cilësore, dhe të shikohet mundësia që ujësjellësi të përdori për energji panelet diellore.
“Ti japim përparësi furnizimit të energjisë me panele diellore për shkak të konsumit të lartë që kanë ujësjellësit. Kthehen në sisteme që kanë autonomi energjetike, edhe kur nuk plotësohet kërkesa energjetike, garantohet një pjesë e madhe. Të mos përdorim shumë energjinë sepse rritet kostoja për ujësjellësit”, tha Balluku.
Projekti për ndërtimin dhe furnizimin me uji të qytetarëve pritet të përfundoj në maj të këtij viti.