Home Politike Dritan Leli kërkesë institucioneve: Hiqini licencën kompanisë së pastrimit, s’po e bën...

Dritan Leli kërkesë institucioneve: Hiqini licencën kompanisë së pastrimit, s’po e bën punën

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka prezantuar sot “flotën” e re të makinave që përdoren për mbledhjen e mbeturinave në qytet. Ai ka bërë thirrje që qytetarët të kontribuojnë më shumë për të mbajtur Vlorën pastër. Ndërsa nuk harroi të përmendte dhe kompaninë përgjegjëse për pastrimin e qytetit. Numri një i Bashkisë ka bërë me dije se institucioni që ai drejton tashmë ka marrë në dorë çështjen e kontratës me kompaninë.

Gëzimi i kësaj dite ka nisur ca vite më parë, por koha e pengesat nuk mi kanë ndryshuar ëndrrat për ta bërë Vlorën të pastër. Nga sot, shpresoj shumë që t’ia arrijmë. Ngërçet e pafundme që krijoi dhe ende po krijon firma ‘Duka’, përgjegjëse për pastrimin e qytetit, e bënë të ngutshme ndërhyrjen me këto super mjete që po prezantojmë sot, 20 makina të teknologjisë së fundit që do të bëjnë mbledhjen e mbeturinave,“-shkruan ndër të tjera Leli.

POSTIMI I PLOTË:

Gëzimi i kësaj dite ka nisur ca vite më parë, por koha e pengesat nuk mi kanë ndryshuar ëndrrat për ta bërë Vlorën të pastër. Nga sot, shpresoj shumë që t’ia arrijmë. Ngërçet e pafundme që krijoi dhe ende po krijon firma ‘Duka’, përgjegjëse për pastrimin e qytetit, e bënë të ngutshme ndërhyrjen me këto super mjete që po prezantojmë sot, 20 makina të teknologjisë së fundit që do të bëjnë mbledhjen e mbeturinave.

Ata që do të pyesin se përse u kujtuam kaq vonë, jo, nuk u kujtuam kaq vonë! Vënia e makinave në shërbim të qytetit ishte parashikuar të bëhej bashkë me përfundimin e Landfillit të Sherishtës, por vonesat e tij dhe nevojat e qytetit për të shpëtuar nga mbetjet, nuk na lejojnë vonesa të tjera. Në këtë pikë, përdorimi i këtyre mjeteve dhe heqja e licencës së firmës së pastrimit janë zgjidhja e vetme për qytetin. Nuk do harroj e as do lodhem të përsëris edhe kërkesën e vazhdueshme për t’i hedhur mbetjet në kosh, aty ku kanë vendin, as nga makina, as nga ballkoni e as nëpër rrugë! Të përpiqemi të gjithë bashkë ta mbajmë Vlorën të pastër, jemi në zemër të sezonit turistik!

Disa ditë më parë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit gjobiti me 500 mijë lekë Bashkinë e Vlorës për keqmenaxhim të mbetjeve. Agjencia e ka marrë vendimin ndaj Lelit, duke arsyetuar se nuk janë marrë masat e duhura për pastrimin e qytetit edhe në një kohë kur është në kulmin e sezonit turistik.