Home Slideri Drejtues të arsimit pazare për të përfituar lekë nga xhepat e prindërve

Drejtues të arsimit pazare për të përfituar lekë nga xhepat e prindërve

olsi-lasko-shkollaRikthehen vjedhjet publike të organizatorëve të aktiviteteve në Durrës dhe përsëri këtë herë del në skenë drejtoria arsimore e qarkut të Durrësit. Prej katër ditësh në shkollat e arsimit të detyruar në Durrës kanë nisur të shpërndahen bileta për të parë një komedi e cila do të ndiqej nga nxënësit kundrejt pagesës. Shuma e biletës për të shikuar lojën e aktorit Leonard Bombaj dhe të grupit të fëmijëve që e shoqëron atë në Fresk Fare kushton 200 lekë (të reja). Në DAR janë thërritur me radhë drejtorët e shkollave të cilëve u është caktuar edhe se sa bileta do të duhet të shesin. Për të detyruar nxënësit të blejnë me çdo kusht biletat, aktiviteti është lënë të ndiqet në kohën e procesit mësimor, veprim që u ka dhënë mundësi organizatorëve të këtij lloji pazari të shesin sa më shumë bileta. Por kjo është vetëm njëra anë pasi lekët për të blerë biletat u janë dhënë fëmijëve vullnetarisht nga prindërit. Ajo që sjell jo pak problem dhe që lidhet me marifetet e personave që abuzojnë me postet zyrtare dhe institucionet e shtetit ka të bëjë me një hile tjetër. Në të vërtetë hile të tilla nuk është se po duken e shfaqen për herë të parë, ato janë parë e janë dëgjuar edhe vitet e tjera. Përgjithësisht janë të njëjtët organizatorë dhe abuzues, por me kokë tjetër drejtuese. Sipas disa pohimeve të cilat nuk janë konfirmuar, personi i cili është caktuar të merret me këtë punë të vlerësuar si shumë të “frytshme”, është inspektoret në DAR Alma Rakipi e Ledia Rama të cila thuhet se kanë marrë edhe kontaktet me drejtorët e shkollave. Drejtorët e shkollave të pyetur se si funksionin zinxhiri, kush ua jep biletat në dorë dhe nga vinë këto bileta kanë thënë se janë porositur të heshtin. Shpërndarja e biletave për të parë komedinë është bërë e po bëhet thuajse me të njëjtën mënyrë si dhe ndarja e librave të Anglishtes që u kushtoi nxënësve vetëm teksti 3000 lekë (të reja). Në të dy rastet të interesuar për të ndarë librin dhe për të vjelë sa më shpejtë lekët janë persona privat. Inspektoret janë persona të besuar dhe janë nxjerrë në skenë edhe me mendimin se ato ka mbështetje tek PD dhe kjo është shikuar si mundësi për t’u mbrojtur nga çdokush që ngre zerin. Megjithatë një informacon i tillë mbetet për t’u parë se cili është pozicioni tyre në këtë abuzim me lekët e nxënësve. Drejtoria arsimore ka mundur të gjejë rrugën e depërtimit deri tek fëmijët pa u vënë re. Arsimi ka nxjerrë në shkolla grupe inspektorësh të cilët bëjnë kontrollet e mbylljes së vitit dhe dokumentacionin tjetër në një kohë që rekordojnë për biletat e shitura. Deri më tani nuk dihet nëse ka dijeni grupi organizator i Fresk fare për veprimet të cilat pritet të kenë jo pak pasoja sot dhe në vijim. Biletat janë ndarë në bazë të një mesatareje lidhur me numrin e nxënësve që kanë shkollat. Kështu në një shkollë me 500 nxënës të ciklit të lartë, klasa 6-9, janë shpërndarë 350 bileta. Por në numrin e biletave të shpërndara kanë jo pak ndikim edhe qëndrimet e vet drejtorëve të shkollave të cilët janë kthyer në sekserë të drejtorit të arsimit dhe inspektorëve. Sa herë që shtëpi botuese kërkojnë të shesin libra jashtë miratimit nga MASH apo edhe të votohen me detyrim shtëpitë botuese të ndryshme, aktivizohen drejtorët e shkollave dhe kryetarët e sindikatave në shkolla. Edhe këtë herë janë thërritur drejtorët të cilët kanë premtuar se do të mbledhin lekët duke detyruar mësuesit të shpërndajnë biletat. Por e keqja qëndron diku tjetër dhe pikërisht tek numri biletave që shiten dhe tek kapaciteti vendeve në sallë. Për të parë Fresk Fare do të shkojnë nxënës nga disa shkolla të cilët kanë në dorë biletën në një kohë që edhe të tjerë nxënës të këtyre shkollave do të tentojnë të hynë. Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës që shpesh herë njihet si pallati kulturës ka një sallë me kapacitet 301 vende. Në katin e parë të sallës ka vend për 170 shikues, sipër 100 të tjerë dhe në lozhe 31 shikues, spektatorë. Kapaciteti për të përballuar një fluks të tillë është i pamundur. Biletat kanë numër serie, vend për datën, orën, radhën, karrigen, ndërkohë që ato u janë shitur nxënësve pa shënuar asgjë, pra as datën dhe as vendin. Kjo në raste të tilla të mëparshme ka sjellë kaos. Nxënësit janë shtyrë mes tyre dhe në sallë janë futur 700-800 apo më shumë nxënës duke bërë që të tejmbushen të gjithë mjediset, edhe hollet, shkallët duke mos u dhënë mundësi fëmijëve të ndjekin shfaqjen. Një rrëmujë e tillë është organizuar si e vetmja mënyrë për t’u sjellë fitime të paligjshme “organizatorëve”. Nuk dihet nëse për veprime të tilla është vënë në dijeni regjisori dhe trupa komedisë të cilët do të jenë ata që do e vuajnë këtë rrëmujë. Biletave nuk u është shënuar qëllimisht data, ora, radha, karrigia, ora. Edhe nëse aktiviteti argëtues do të zhvillohet në palestrën e pallatit të sportit “Ramazan Njala” situata do të jetë e njëjtë pasi edhe atje nuk ka infrastrukturë për të përballuar një dyndje të tillë të fëmijëve

Kohë më parë

Disa vite më parë qendra kulturore e fëmijëve me varësi në drejtori arsimore të Durrësit bëri të njëjtin marifet. Konkretisht Arjan Plaku që ishte asokohe përgjegjës në këtë qendër së bashku me persona të tjerë të sajuar si regjisor e fotograf por që realisht kishin mbaruar vetëm një shkollë të mesme dhe asgjë më shumë, sajuan Maratonën Rinore. Ata siguruan bileta të fabrikuara jo në punishte legale dhe bënë të njëjtën gjë duke mos shënuar në bileta vendet, radhën. Biletat atëherë ishin edhe pa numër serie në një kohë që mësohet se asnjë qindarkë nga miliona të mbledhura nuk është arkëtuar në rrugën ligjore pasi nuk janë futur në bankë. Për të përfituar sa më shumë organizatorët e kësaj maratone rinore planifikuan konkurimin mes shkollave dhe biletat u shitën me çmime të ndryshme. Nga njëra fazë në tjetrën bileta dyfishohej dhe nxënësit paguan deri në 15 mijë lekë (të vjetra). Një pjesë e lekëve mësohet se iu dhanë nën dorë drejtorëve “më të mirë” të shkollave që u dërguan më shumë nxënës në këtë maratonë të sajuar, një pjesë tjetër atyre në drejtori arsimore, ndërkohë që mbushën edhe xhepat e tyre. Por këto nuk janë të vetmet abuzime. Kurset me nxënës nga mësues të lëndës e të shkollës, libra e manualë apo albume, ekskursionet e organizuara jashtë rrethi e të tjera veprime janë bërë me qëllimin e vetëm për t’u mbushur xhepat disa personave të lidhur me drejtorinë arsimore në dëm të procesit mësimor dhe të edukimit të nënësve.

Previous articleXhaxhi militanti ndërpret poemën për Klajdin dhe nis urgjentisht poemën për Mandën dhe Kristo Papasin
Next articleArdhja e Telitit dhe sllogani “përpara”