Home Opinion Do të mbrojmë çdo gjë që kemi trashëguar si komb

Do të mbrojmë çdo gjë që kemi trashëguar si komb

ramaNga Edi Rama / Kjo është një temë pak e veçantë. Duket sikur është një temë me një rëndësi të dorës së dytë, por kjo është një dukje e gabuar, sepse në këndvështrimin tonë, trashëgimia kulturore është themeli i asaj pjese të politikës ekonomike që ka të bëjë me turizmin, që ka të bëjë me imazhin e vendit tonë dhe njëkohësisht dhe asaj pjese të politikës tonë arsimore që ka të bëjë me identitetin, me sensin e të shkuarës dhe të ardhmes për gjeneratat e reja. Unë jam shumë krenar që më është dhënë mundësia për shkak të detyrës që të mund të punoj me njerëz që kanë një pasion të posaçëm për trashëgiminë kulturore dhe një njohje po aq të posaçme, dy nga të cilët janë këtu të pranishëm, Artan Lame dhe Auron Tare. Por jam njëkohësisht krenar që në momentin kur i dhamë Durrësit mundësinë të zgjedhë Vangjush Dakon menduam se po fitonim bashkinë falë aftësive të tij dhe përgjithësisht duke shpresuar që kultura sipërmarrëse e tij do të ndihmonte në çuarjen përpara të punëve të qytetit, pa menduar në fakt se po mbështesnim një person, i cili po ashtu është shumë i ndjeshëm ndaj trashëgimisë kulturore, si një mundësi për të zhvilluar ekonominë. Këtu dëshiroj që të përqendrohem pak duke thënë se ne kemi një program i cili na ndan shumë qartë nga ata që sot e gjithë ditën qeverisin Shqipërinë. Në shumë aspekte dhe në aspektin për të cilin po flasim përsëri ne jemi të ndarë shumë qartë me ta. Për ne vizioni i një Shqipërie të zhvilluar është ngushtësisht i lidhur me nevojën për të mbrojtur çka kemi trashëguar si komb në gjithë territorin e vendit tonë, ndërkohë që këndvështrimi i tyre i zhvillimit është të fitojmë sot për sot, pavarësisht se çfarë shkatërrojmë nga ato që kemi trashëguar si komb. Vizioni ynë është ai që e paraqiti fort mirë Auroni. Modeli që kemi ndërtuar në Butrint daton në kohën kur unë mora detyrën e ministrit të Kulturës dhe kur Auroni mori detyrën e drejtuesit të një projekti që në atë kohë dukej tërësisht jashtë realitetit dhe ndiqej pas, ose sepse nuk kishin kohë të merreshin me atë punë dhe thoshin: Hë mo se punë e madhe, nuk është ndonjë gjë me rëndësi, ose për ta anatemuar dhe për ta penguar duke e quajtur një projekt pengues për zhvillimin. Sepse ideja e zhvillimit për një pjesë të madhe të atyre që merren me politikë, fatkeqësisht është ideja e përfitimit në dëm të natyrës dhe në dëm të vlerave, që sot janë shumë të cenuara në territorin e Shqipërisë të trashëgimisë kulturore. Ndërkohë që për ne vizioni i zhvillimit është ai që thashë, një zhvillim ku përmasa e asaj që ne disponojmë në territor ruhet dhe ku dimensioni i gjelbër të jetë fill që lidh të shkuarën me të ardhmen. Ne kurrë nuk do ta kishim lejuar atë që është lejuar dhe që vazhdon të ndodhë në Krujë. Kruja është një nga pikat ku gjithkush mund të bëjë dallimin mes nesh dhe atyre që qeverisin. Kruja është një nga pikat ku gjithkush mund të shohë me sytë e vet se çfarë mund të bëjë me votën e 23 qershorit. Nëse voton për ata që sot qeverisin, do të thotë që voton për katër vjet të tjera shfrytëzim barbar të Krujës, si një vend nga ku mund të nxirren gurë për t’u shitur, ku mund të prodhohet çimento për t’u shitur, ku mund të digjen rrota makinash për të prodhuar gëlqere për t’u shitur dhe ku nga shitjet mund të përfitohet para sot për sot, nga një grusht njerëzish në dëm të një pasurie, që po zhbëhet dita – ditës dhe që praktikisht duke vazhduar kështu do ta kthejë Krujën në një gërmadhë të pabanueshme, nga ku njerëzit do të detyrohen të shpërngulen për shkak se do ezaurojnë tërësisht çdo mundësi jetese në atë vend të bekuar. Ndërkohë që duke votuar për ne, njerëzit do t’i hapin rrugë një politike tërësisht të re dhe tërësisht të ndryshme. Do votojnë për ta frenuar barbarinë, do votojnë për të filluar rehabilitimin e natyrës duke nisur nga kurimi i atyre plagëve të mëdha të hapura që duken me kilometra të tëra larg. Do votojnë për ta kthyer vëmendjen ndaj atij djepi të historisë, jo vetëm shqiptare, por edhe europiane. Dhe sigurisht për të gjetur një rrugë të re, për mënyrën sesi ekonomia e atij qyteti dhe e gjithë atij rrethi mund të zhvillohet, duke u bazuar edhe tek prurjet që duhet të garantojë Kruja si një pikë, ku tërheqja e vëmendjes jo vetëm brenda për brenda vendit por dhe nga jashtë vendit është e garantuar nga historia e saj. E njëjta gjë është për Durrësin. Sot ne kemi një muze arkeologjik, që konsiderohet të jetë muzeu më i rëndësishëm arkeologjik i Shqipërisë dhe për vite është i mbyllur. Disa thonë që po restaurohet, disa të tjerë thonë që nuk po merren vesh për rojet, disa të tjerë thonë se ka një plan për ta zhdukur. Ne nuk e dimë kush është e vërteta, por ajo që dimë dhe që është e sigurt është se ky muze është i mbyllur. Mjafton të shikosh amfiteatrin, më i madhi që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës, për të parë se çfarë i ka bërë politika këtij vendi në 22 vjet, jo vetëm në këto vitet e fundit, si dhe për të kuptuar se çfarë i është mohuar si mundësi ekonomike gjithë këtij komuniteti, por dhe gjithë këtij vendi në tërësi. Kjo politikë e ka kthyer amfiteatrin e Durrësit, këtë vlerë mijëvjeçare të kulturës së këtij territori në një zonë ku të gjithë mundohen të kafshojnë ndonjë metër më shumë, për të ndërtuar ndonjë gjë pa leje. Në një gropë ku jo që s’ka ciceron, po ku është fat të hysh dhe të dalësh pastaj pa lënë ndonjë kavilje apo ndonjë gju, a ndonjë kockë tjetër të këmbës. Dhe nga ana tjetër përsëri, ata që do të votojnë për Partinë Socialiste dhe për programin tonë do të votojnë për kthimin e vëmendjes jo të bashkisë, se bashkia e ka vëmendjen, por nuk ka mundësitë, nuk ka as përgjegjësitë, nuk ka asnjë hapësirë për të vepruar, po të krejt shtetit ndaj këtij territori që unë ju siguroj se me një investim të qenësishëm dhe me projektin që ka gati bashkia e Durrësit mund të bëhet një arsye për një rritje të ndjeshme ekonomike të qytetit. Kjo duke rritur ndeshëm fluksin e turistëve brenda katër viteve, duke krijuar kushtet që investimi të kthehet një mundësi edhe për të nxjerrë dalëngadalë disa përfitime që të vazhdojmë të investojmë në mirëmbajten dhe të vazhdojmë të investojmë në atë trajektoren për të cilën foli kryetari i bashkisë. Ne nuk jemi kaq të pasur sa t’i lëmë mbas dore këto monumente të mëdha, por nuk ka gjë më të rëndë për një vend, për një komb, për një shoqëri, për një komunitet sesa varfëria e aspiratave. Dhe ajo që sot është varfëria më kërcënuese për të nesërmen e shoqërisë sonë është varfëria e aspiratave. Nuk ka pasur dhe nuk do ketë ky vend ndonjë qeveri më të varfër në aspirata për kombin e vet, për atdheun e vet, për shoqërinë që është e thirrur të qeverisë, se sa kjo që ka vendi sot. Të kesh si aspiratën më madhore ndërtimin e këtyre far soj rrugëve që kanë mbetur rrugëve të papërfunduara dhe që po shkatërrohen, pasi janë ndërtuar me projekte tërësisht mediokre do të thotë ta udhëheqësh popullin tënd drejt një qorrsokaku, nga njëra anë duke mos i ndërtuar ashtu siç duhet edhe ato rrugë që ke marrë përsipër të ndërtosh dhe nga ana tjetër duke marrë borxhe pas borxhesh për ato rrugë të mbetura rrugëve. Ndërkohë për ne duhet kthyer plotësisht krahu në të cilin ne duhet të kërkojmë rrugën e zhvillimit dhe trashëgimia kulturore është një potencial i jashtëzakonshëm dhe tërësisht i pashfrytëzuar. Një potencial që dëmtohet viti pas viti, për shkak se viti pas viti rrënohen pjesë të tëra të këtij thesari të madh që në e kemi trashëguar nga e kaluara. Çfarë mund të thuash për Durrësin, nëse nuk garanton trashëgiminë kulturore të tij. Çfarë mund të thuash për Durrësin nëse nuk garanton trashëgiminë natyrore të tij, që është deti. Dhe të dyja këto potenciale të mëdha sot janë jo vetëm të pa garantuara, por dëmtohen vit pas viti. Solli Artan Lame dy shembuj. Shembullin e muzeut arkeologjik nga njëra anë dhe shembullin e portit të peshkimit nga ana tjetër. Janë dy shembuj që tregojnë që politika e kësaj qeverie është tërësisht e verbër karshi këtyre potencialeve dhe për këtë arsye është edhe tërësisht destruktive për këto potenciale. Por unë jam besimplotë se me votën e 23 qershorit ne do të mund të rikuperojmë kohë të humbur, do mund të ndalojmë rrënimin e mëtejshëm në këtë aspekt si në të gjitha aspektet e tjera dhe do mund të sjellim një ndryshim të qenësishëm në katër vitet e para për jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të këtij qyteti. Jo vetëm duke investuar për trashëgiminë kulturore, por duke investuar edhe për trashëgiminë natyrore. Projekti që ka bashkia e Durrësit dhe që është prezantuar kaherë, por u prezantua edhe në konferencën tonë të programit, për ndërtimin e një plazhi të ri është modeli i parë që ne duam të krijojmë qysh në dy vitet e para të qeverisjes për mënyrën sesi do të rikuperojmë gjithë plazhin e Durrësit në vitet në vijim. Ndërtimi i plazhit të ri do të thotë që të fitojmë territor të ri nga deti dhe të krijojmë mbi këtë territor një model tërësisht të ri zhvillimi në rrugën e shfrytëzimit të detit si një aset turistik. Por po të shkojmë më tutje tek Butrinti në skajin tjetër që erdhi këtu si një model dhe është një model. Është një model që sot është i kërcënuar. Në rast se modeli ynë, që u projektua dhe filloi të realizohej duke garantuar mbrojtjen e një pjesë të konsiderueshme të atij territori, falë mbjelljes së pemëve në të gjitha ato zona të kërcënuara nga ndërtimet do të kishte vazhduar me të njëjtin vizion, me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin ritëm, sot prurjet do të ishin shumë më të mëdha në Butrint. Por edhe vetë qyteti pranë, i masakruar si s’ka më keq o Zot, Saranda do ishte më pak e dëmtuar nga zhvillimet e viteve të mëpastajme, kam parasysh këto 7 vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike. E njëjta gjë mund të thuhet për Vlorën, por përpara sesa të flasim për Vlorën mbase është mirë që të flasim për Beratin dhe për Gjirokastrën. Dy perla të trashëgimisë kulturore botërore, jo shqiptare, të regjistruara si të tilla, të certifikuara nga UNESCO, të pranuara nga gjithë komuniteti i historianëve dhe i shkencëtarëve që merren me vlerat e trashëgimisë kulturore botërore dhe që po rrënohen dita – ditës para syve tanë. Po humbasin ditë ditës në rrugën e një mizerjeje ekonomike dhe sociale, e cila lidhet drejtpërdrejtë me mungesën totale të vizionit dhe të largpamësisë së atyre që qeverisin. Ne duam që ta ndalim rrënimin e Beratit dhe të Gjirokastrës. Dhe kjo nuk do të thotë që për këtë duhet të mendohen kur të votojnë vetëm qytetarët e Beratit dhe të Gjirokastrës, por qytetarët e të gjithë Shqipërisë, sepse nga çka ne mund të bëjmë me trashëgiminë kulturore në Durrës, nga çka ne mund të bëjmë me trashëgiminë kulturore në Butrint, në Berat, në Gjirokastër, në Shkodër, në Korçë, do të varet shumë zhvillimi ekonomik i këtij vendi në tërësi. Do të varet shumë zhvillimi social i këtij vendi në tërësi. Do të varet shumë zhvillimi identitar i brezit tonë të ri. Është e lehtë, më e lehta gjë në botë që të marrësh një mikrofon përpara një turme dhe të bërtasësh për flamur dhe për shqiponjë. Por është diçka krejt tjetër që atë flamur dhe atë shqiponjë t’i mbash lart duke zhvilluar identitetin kulturor dhe kombëtar të vendit tënd, që nuk zhvillohet përmes klithmave nacionaliste, por zhvillohet përmes një vizioni dhe një rruge ku projektet e zhvillimit garantojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Garantojnë kalimin nga brezi në brez të paprekur të një thesari vlerash dhe xhevahiresh, që sot kanë ardhur tek ne të dëmtuara për shkak të këtyre 20 viteve dhe jo për shkak të ndonjë lufte botërore. Të dëmtuara, a thua se në këto 20 vjet Shqipëria ka qenë nën sulmet e piratëve dhe të bandave më barbare të globit. Në fakt nuk është kështu. Këto 20 vjet në Shqipëri nuk kanë ardhur piratë që të grabisin as në Durrës, as në Butrint, as në Berat, as në Gjirokastër. Këto 20 vjet nuk ka pasur pushtime barbare nga ato me karvan, që rrëmbejnë thesaret e trashëgimisë kulturore. Këto 20 vjet ka pasur politikë shqiptare për Shqipërinë dhe është kjo politikë shqiptare për Shqipërinë që e ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të këtij thesari, ashtu siç nuk e kanë shkatërruar as piratët, as barbarët, as pushtuesit. Ajo që na pret, në rast se ne nuk e ndalim këtë rrugë është shkatërrimi i plotë i kësaj trashëgimie. Ju e dëgjuat vetë ministrin e kulturës kur ndodhi një katrahurë e kohëve të fundit, u grabit një monument kulture shumë i rëndësishëm. Epo tani ne nuk mund të paguajmë roje për çdo monument kulture. Po mirë ne pse duhet të paguajmë ty ne, kjo është pyetja e parë. Pse duhet të paguajmë ty si ministër kulture për të dalë e për të na thënë që s’mund të paguash roje? Ndërkohë që këtu nuk bëhet fjalë për të paguar roje për çdo monument kulture, këtu bëhet fjalë për të pasur një program të qartë sesi mbrohen, sesi promovohen, sesi bëhen pjesë e mbrojtjes së gjithë komunitetit këto vlera. Ajo që po ndodh me trashëgiminë kulturore është një humbje e madhe jo thjeshtë ekonomike, por është një humbje e madhe në rrugën e zhvillimit dhe forcimit të identitetit tonë kombëtar në kushtet kur bota po bëhet gjithmonë e më globale. Nga ana tjetër projekti i zhvillimit të kulturës bashkëkohore, projekti i nxitjes së artit, së talenteve, të fuqive prodhuese artistike dhe kulturore në Shqipëri, është po ashtu sot tërësisht i munguar. Tërësisht i korruptuar nga një politikë dite që mjaftohet vetëm me ahengun e përgjithshëm politik dhe që edhe kulturën dhe artin e ka kthyer në një nga arenat ku luhet deri në fund loja e politizimit dhe e diskriminimit të të gjithë atyre që nuk rreshtohen me partinë në pushtet. Në këtë sallë është bërë teatër rregullisht. Por unë besoj që kjo sallë nuk do të funksiononte dot më, në qoftë se nuk do bëheshin mbledhje partie. Këtu nuk bëhet fjalë për para. Këtu në radhë të parë bëhet fjalë për një politikë kulturore e cila duhet të jetë kombëtare, e cila duhet të energjizojë të gjitha komunitete duke ju dhënë mundësi bashkive që të luajnë rolin e tyre në promovimin e talenteve dhe në krijimin e kushteve që salla të tilla të mund të prodhojnë kulturë komunitare dhe kombëtare. Kjo është plotësisht e mundur, është një projekt i vjetër i yni, që fondet që janë në dispozicion për artin dhe për kulturën të mos përcaktohen më kështu dhe të mos shpenzohen më kështu, por të kthehen në fonde ku mund të kenë akses të gjithë ata që kanë ide, të gjithë ata që kanë projekte, të gjitha ata që kanë aftësinë që me këto fonde ti shërbejnë komunitetin. Është një ndryshim radikal sepse sot për sot këto fonde vazhdojnë të përdoren në shërbim politik dhe ndarja e buxhetit të kulturës dhe të artit bëhet në funksion të politikës. Ndërkohë që ne duam që këto fonde të jenë në shërbim të komuniteti artistik, qofshin artist të skenës, qofshin artisë pamorë, qofshin artistë të filmit dhe akseset në këto fonde të përcaktohen nga projektet, nga cilësia e kërkesës, nga mundësia që krijohet në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe jo nga politika në Tiranë apo nga firma e një ministri kulture. Ne kemi folur për Lotarinë Kombëtare dhe jemi shumë të vendosur që me Lotarinë Kombëtare ne të financojmë trashëgiminë kulturore, të financojmë kulturën dhe artin, të financojmë politikat rinore në funksion të kulturës dhe të artit. Ideja e Lotarisë Kombëtare është një ide e vjetër, është një ide që e kemi parashtruar bashkë me Auron Tare në frymëzimin britanik të suksesit të jashtëzakonshëm që pati vendosja e Lotarisë Kombëtare në Britaninë e Madhe pikërisht për këto fusha dhe nën influencën e partnerëve tanë britanik për Parkun Kombëtar të Butrintit. Nuk u dëgjua atëherë, nuk u dëgjua në të gjitha herët dhe u arrit që të kthehet në një tjetër instrument përfitimi për oborrin e pushtetit. Ndërkohë që Lotaria Kombëtare është një lojë ku vërtetë publiku i gjithë merr pjesë duke dhënë para, por është e vetmja lojë bixhozi ku të ardhurat i merr publiku, nuk i merr bixhozi. Siç i marrin nëpër këto mijëra pikat e bixhozit në të gjithë Shqipërinë, që po shkatërrojnë të rinj dhe po shkatërrojnë familje të varfra me iluzionin e fitimit të aty për atyshëm, duke lëvizur ato marshet e makinave të trukuara. Kjo është një lojë ku publiku merr pjesë dhe me të ardhurat e lojës publiku merr mbrapsht pikërisht ato që sot i mungojnë publikut shqiptar. Investimet e qeverisë për kulturën, për këtë skenë, për artin, për atë galerinë aty, për sportin që është katandisur në një xhungël më vete, për trashëgiminë kulturore, për atë amfiteatrin aty dhe për politikat rinor në funksion të të gjitha këtyre. Duke u dhënë mundësi talenteve të reja në art dhe në sport që të mund të gjejnë mbështetje. Sepse ne nuk jemi një vend me para pa fund, por edhe në vendet me “para pa fund” si Anglia, apo si Gjermania, apo si Franca, Lotarinë Kombëtare e përdorin për të investuar pikërisht në këto fusha. Këto nuk janë fusha fitimprurëse, nuk janë as fusha emergjencash financiare, siç janë fushat e tjera të ekonomisë ku patjetër duhen paratë dhe nuk bëhet dot gjë pa pasur sistematikisht para. Këto janë fusha që kërkojnë donatorë, kërkojnë sponsor, kërkojnë bamirës, por kërkojnë edhe një shtet i cili të jetë i vetëdijshëm se këtu nuk bëhet fjalë për të harxhuar para për të bërë qejf. Këtu bëhet fjalë për të harxhuar para për të relaksuar shoqërinë, për të krijuar kushte që njerëzit të bëhen bashkë jo vetëm sepse i mbledh partia, apo sepse i mbledh drejtoria për mbledhje, apo se i mbledh kafeneja për thashetheme, por sepse i mbledh arti, i mbledh kultura, i mbledh sporti, i mbledhin aktivitete të tjera ku konsumojnë produkte shpirtërore dhe ku marrin ushqim shpirtëror. Kurse këtu i vetmi produkt shpirtëror që konsumohet, është produkti i përditshëm i politikës që sigurisht vjen nga djalli, nuk vjen nga zoti brenda njeriut. Ndërkohë që ushqimi shpirtëror që merret është ushqimi i përditshëm i sherrit, i mllefit, i një antagonizmi pafund në kushtet kur alternativat e tjera mungojnë. Kështu stadiumet katandisen pastaj në arena rrahjesh masive, goditje të përjavshme për të nxjerrë gjithë këtë ushqim mllefi të përjavshëm. Kështu shkollat katandisen në vendin, ku sipas një sondazhi të bërë së fundmi nga fondacioni Friedrich Ebert, 45% e të rinjve në gjimnaze janë të përfshirë në një konflikt fizik, pra e kanë njohur drurin, ose e kanë dhënë ose e kanë marrë, që është katastrofë. Kështu ndodh që në përgjegjësi shoqëria të jetë e tensionuar, e ndarë, e paqartë për të sotmen, e turbullt për të ardhmen dhe komplet në errësirë për të shkuarën. Duke hedhur dritë mbi vlerat e trashëgimisë kulturore, duke i bërë ato pjesë të jetës së përditshme të atyre qyteteve që kanë fatin ti kenë, ne sigurisht jo vetëm shohim atë respekt të domosdoshëm që duhet të kemi për vlerat e të shkuarës, por shohim mundësinë për të investuar për shoqërinë e të ardhmes. Ju të gjithë jeni njerëz që keni shëtitur, s’ka njeri këtu që të mos ketë shkuar në Itali, ku praktikisht rri 70% e trashëgimisë kulture botërore. E pra ju të gjithë keni parë sesi në çdo qytet, në çdo zonë të Italisë bashkëjetojnë mrekullisht gërmadhat të shkuarës me jetën e së sotmes. Ajo bën që shoqëria të ndjehet mirë dhe që përfitimi i sotëm ekonomik dhe ai i nesërm social të jetë i garantuar. Ndërkohë që këtu sa herë do kalosh nga amfiteatri do shikosh që ja kanë marrë dhe një metër tjetër, ja marrin nga një metër natën. Është bërë ky amfiteatri një vend ku edhe ata luanët e fortë të Romës nuk do denjonin të rrinin as edhe një minutë. Ne jemi shumë të qartë në atë që duam të bëjmë, e thashë edhe më përpara që në programin tonë për trashëgiminë kulturore dhe për artin, ashtu sikundër në programin tonë për sportin kemi të angazhuar njerëzit më brilant dhe mendjet më të çmuara që ushqehen nga pasioni i natyrshëm për këto fusha dhe jo nga ndonjë nevojë burokratike për të shkruar një program. Unë jam i bindur që me votën e 23 qershorit do të ndodhi një ndryshim i madh, qysh ditën e parë që do të jetë ndryshimi i këndvështrimit. Ne nuk do t’i shohim më, nuk do lejojmë më që të shihen të gjitha këto vlera si pjesë të një thesari që duhet grabitur deri në fund për të nxjerrë përfitimet e ditës. Nuk do lejojmë më që Kruja të shihet si gurore, apo si territor për çimento, apo si fushë për të djegur rrota makinash për të prodhuar gëlqere. Por qysh ditën e parë të shihet si vendi ku është shkruar një copëz e lavdishme, jo e historisë së Shqipërisë, po e historisë së Europës Perëndimore. Ashtu sikundër nuk do lejojmë më që Durrësi të shihet vetëm si vendi ku vihet për plazh me bukë me vete në korrik dhe gusht, po si vendi ku romakët kanë ndërtuar amfiteatrin më të madh jashtë Romës. Dhe me radhë të gjitha vendet e tjera, duke përfunduar me Beratin dhe me Gjirokastrën, që nuk mund të jenë vendet e papunësisë, të varfërisë, të mizerjes dhe të shkatërrimit, e të ndotjes për dy vende ku bota konsideron se ka dy thesare të veta. Dhe ato dy thesare duhen nxjerrë në pah dalëngadalë, sepse duke rinxjerrë në pah ato thesare, do rinxjerrim në pah atë krenari të munguar kombëtare që kompensohet me klithma nacionaliste dhe kompensohet me një agresivitet që në fakt nuk është agresiviteti i krenarisë, por është agresiviteti i inferioritetit. Ne i kemi të gjitha arsyet që na jep historia për të qene krenarë, por në rast se sot ne vuajmë si vend në të gjitha aspektet, kjo vjen sepse arsyet që historia na jep janë varrosur nën arsyet e mosarsyes së një zhvillimi shkatërrues që po i merr Shqipërisë shpirtin, duke i marrë atë që Shqipëria ka asetin e vet më të çmuar, bukurinë. Shqipëria mund, duhet dhe do të rilindë përmes bukurisë së vet. Kush nuk kupton që vlera më e madhe e këtij vendi është bukuria dhe që aseti me i madhe mbi të cilin ne duhet të ndërtojmë të ardhmen ekonomike dhe sociale të këtij vendi është bukuria, është një forcë destruktive që duhet frenuar, duhet zmbrapsur dhe duhet arkivuar në histori, për të mos lejuar më që të ketë në Shqipëri parti dhe qeveri që e shëmtojnë këtë vend për të nxjerrë përfitime ekonomike apo politike, që e shëmtojnë këtë vend për të dhënë licenca, për të dhënë kontrata, koncesione, privatizime që sjellin vetëm shkatërrim, apo për të lejuar pushtime, zaptime, shkatërrime që sjellin vetëm vota aty për aty. Mund të flisja shumë edhe më gjatë, sepse kjo është një temë e jashtëzakonshme, pavarësisht se është gjithmonë e lënë padore, sepse emergjencat e tjera kanë triumfuar në axhendën e ditës. Por po ndalem këtu duke ju siguruar që në mënyrën më absolute, që me votën e 23 qershorit për një Rilindje Shqiptare të gjithë do ti japin mundësi vetes si shqiptarë që të vënë në funksion të ekonomisë së tyre familjare, duke filluar nga ekonomia kombëtare, gjithë këto mrekulli të cilat rreth e rrotull nesh prodhojnë para. prodhojnë mirëqenie, prodhojnë identitet kombëtar, prodhojnë siguri për të ardhmen, ndërkohë që këtu prodhojnë vetëm shkatërrim, shëmti dhe humbje të krenarisë kombëtare dhe humbje të atyre vlerave dhe të atyre burimeve që asnjë pushtet injorant i njohur në historinë e këtij vendi nuk ja ka bërë këtij vendi, kështu si po ja bën ky pushtet. Sepse ky pushtet nuk është vetëm injorant, por është edhe thellësisht i babëzitur.

Previous articleMatish Gjeluci, mjeshtri i fjalës, i penës dhe miku i të gjithëve!
Next articleTaulant Baku: Spitali Durësit është modern dhe mbi baza shkencore