Dy persona janë arrestuar nga policia si autor të zjarrvënies së tre makinave të një ditë më parë në Vlorë. Mësohet se në pranga ka rënë porositësi për zjarrvënien, Julian Çobo si dhe zjarrvënësi Kreshnik Yzeiri. Në kërkim është shpallur dhe një person i tretë Elton Lushaj, i cili ka siguruar lëndën djegëse. Shkaku i zjarrvënies ende nuk dihet.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit J. Ç., 32 vjeç dhe K. Y., 40 vjeç, të dy banues në Vlorë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. L., 41 vjeç, banues në Vlorë dhe vijon puna për kapjen e tij. Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit intensiv, brenda 24 orëve është bërë dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në lagjen “Pavarësia 3”, ku u dogjën me zjarr 3 automjete, në pronësi të shtetasve A. H., N. H. dhe P. K. Nga hetimet dyshohet se shtetasi J. Ç. ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e tjerë, për djegien e 3 automjeteve, për motive të cilat nuk mund të bëhen me dije duke qenë se hetimi vijon. Shtetasi E. L. ka siguruar lëndën djegëse, ndërsa shtetasi K. Y. ka kryer zjarrvënien. Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të shkatërrimit të pronës me zjarr, me qëllim identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve përgjegjës për këtë veprimtari kriminale. Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.