Home Politike Ditmir Bushati për president? Zbardhen prapaskenat e socialistëve

Ditmir Bushati për president? Zbardhen prapaskenat e socialistëve

Një emër konkret mbi kandidaturat për President të Republikës së Shqipërisë ende mungon, por zërat mbi personat potencialë janë të shumtë.

Të fundit vijnë nga Partia Socialiste, ku sipas burimeve të AP, një pjesë e strukturës së forcës së majtë politike, dëshiron që në këtë post të vendoset ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Pra, vetëm një pjesë e vogël e tyre e kanë propozuar si emër konkret ish-deputetin.

Pjesa tjetër, ndërkaq, e cila përbën edhe shumicën, është kundër këtij mendimi, mbi kandidaturën e Bushatit për postin e kreut të shtetit.

Vetë ky i fundit e ka shprehur dëshirën për të ndërmarrë këtë rol.

Në vetvete, emri i tij do të përmbushte edhe formulën e vendosur nga kryeministri Edi Rama, se “askush nga salla e Parlamentit nuk mund të marrë funksionin”.

Thënë kjo, është e vështirë që Ditmir Bushati të kalojë si kandidaturë, për disa arsye.

E para, është pikërisht fakti se ai nuk gëzon mbështetjen e shumicës së socialistëve.

Një aspekt tjetër, mund të jetë edhe ai i mosmarrëveshjeve që ka pasur më parë me vetë Ramën dhe një krisjeje mes tyre pas mandatit të parë qeverisës.

Gjithsesi, gjatë Kongresit të Partisë më 9 prill, gjuha mes tyre nuk u shfaq fort e ashpër, ku madje Rama e vlerësoi mendimin e Bushatit në fjalën e tij.

Po sipas burimeve të Albanian Post, pritet që PS-ja të mos propozojë asnjë emër në tri raundet e para të votimit, duke lënë opozitën të japë kandidaturat e saj.

Dy emra përfliten nga radhët e demokratëve ndërkaq si më të mundshmit për t’u propozuar. Bëhet fjalë për ish-diplomatin shqiptar në Vatikan, Visar Zhiti, dhe ish-ministrin e Brendshëm, Neritan Ceka.