Home Kulture Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, shkrimtarja Adelina Mamaqi: Letërsisë për të...

Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, shkrimtarja Adelina Mamaqi: Letërsisë për të vegjlit i mungojnë shkrimtarët

Për të frymëzuar vogëlushët me dashurinë për leximin dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve për nisma përkrahëse, në bibliotekën ‘Hamit Beqja’, botues, shkrimtarë e përkthyes kujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë…

Kjo ditë festohet prej vitit 1967 dhe data 2 prill, është vendosur në nder të datëlindjes së shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen.

“Duhet të kujdesemi që fëmijët të lexojnë tekstet e duhura, sipas grup moshave. Sa i përket mënyrës së orientimit, besoj që i pari që ndikon është vetë shkrimtari që shkruan librin, por edhe botuesi gjithashtu, apo edhe librarët tanë. Edhe institucionet janë pjesë e këtij misioni që kemi, por gjithsesi duhet bërë më shumë, sepse nuk mjafton që në punën me librin të punojnë vetëm botuesit, apo të punojnë veçmas institucionet dhe librarët”, shprehet botuesja Anila Bisha.

Mes vogëlusheve, shkrimtarja për fëmijë Adelina Mamaqi, vë theksin tek ndikimi i të lexuarit në formimin e tyre dhe shqetësimin për mungesën e autorëve të rinj, ndonëse vlerëson emra të veçantë si Rovena Rrozhani apo Rudina Çupi.

“Libri është kulturë, çdo brez ka nevojë për librin më shumë se për çdo gjë tjetër. Për fat të keq, letërsia për fëmijë nuk po përçohet denjësisht. I mungojnë shkrimtarët. Shkrimtarët e përkushtuar dhe shkrimtarët që njohin psikologjinë e fëmijëve”, thotë shkrimtarja.

Ndërsa studiuesja Alda Bardhyli, premton se Qendra Kombëtare e Librit do të vijojë të mbështesë letërsinë për fëmijë.

“Fondi për letërsinë shqipe për fëmijë ka gati tri vite jetë, dhe mbart qëllimin që të motivojmë ata që do të trashëgojnë dhe do të përsosin më tej pikërisht këtë traditë të vyer që ne kemi pasur për letërsinë për fëmijë në shqip. E kemi hapur këtë fond duke parë se interesi i shkrimtarëve të rinj për letërsinë për fëmijë ka rënë”, shprehet Bardhyli.