Instalacioni “Këpucët e kuqe” u vendos dje në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Instalacioni mbështetur nga BE-ja, shfaq këpucët e kuqe, ku në qendër të simbolikës janë humbjet dhe vuajtjet tragjike të grave. Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr u shpreh për rritjen e ndërgjegjësimit, ku gratë mund të jetojnë pa frikën e dhunës. “Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona. Të gjithë së bashku, duhet të vazhdojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe të punojmë drejt një bote ku çdo grua mund të jetojë pa frikën e dhunës”, tha në fjalën e tij Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Ideja e këpucëve të kuqe daton vite më parë, kur artistja meksikane Elina Chauvet filloi instalacionin “Los Zapatos Rojos” në nder të motrës së saj, që humbi jetën si pasojë e dhunës në familje. Instalacioni që u vendos në shesh një ditë më parë në kuadër të Ditës së Gruas ishte dhe në vijim të aktiviteteve, që u zhvilluan gjatë këtyre ditëve në festivali “FemFest” në Tiranë. Pjesë e festivalit, që zhvilloi edicionin e dytë këtë vit ishin artiste, aktiviste, shkrimtare, etj. Me drejtore ekzekutive Iliriana Basha edhe këtë vit “FemFest” përcolli mesazhe me rëndësi për shoqërinë tonë. Më herët drejtoresha Iliriana Basha tregoi se përmes artit mesazhet vijnë më fuqishëm te publiku, ku dhe u trajtuan problematikat sot. Dita Ndërkombëtare e Gruas, është një ditë e cila shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi.