Home Histori Diskutimi për fondet e Bashkisë së Durrësit në Parlament, 96 vite më...

Diskutimi për fondet e Bashkisë së Durrësit në Parlament, 96 vite më parë

Nga Aleksandër Cangonja
Kur flitet për Durrësin, flitet për një nga qytetet më të vjetra në rajon, por edhe për një nga qytetet me ndikim ekonomik në të gjithë vendin. Në parlamentin e Republikës së Shqipërisë, më konkretisht në atë të vitit 1926, u bë një diskutim interesant për qytetin e Durrësit. Durrësi vinte pas një tërmeti shkatërrues, ai i janarit 1926 dhe kishte nevojë për investime publike në qytet. Gjithashtu dhe Bashkia si institucion nuk mund t’i përballonte dot shpenzimet e investimeve që do kryheshin, konkretisht bëhet fjalë për portin, godinat publike, rrugë, ujësjellësa, sheshe etj praktikisht të gjitha këto investime që i shohim dhe në ditët e sotme, që prej asaj kohe.
Por në kuadër të kësaj situate, në parlament u diskutua një dekret-ligj, i cili theksonte se Bashkia e Durrësit do të përfitonte nga një lloj takse me vlerë 1% për të gjitha hyrjet dhe daljet që do bëheshin nga porti i Durrësit, për një periudhë kohore një vjeçare. Impakti që do sillte kjo taksë në arkën e Bashkisë do ishte i madh për arsye se porti i Durrësit mbulonte pjesën më të madhe të importeve dhe eksporteve nga perëndimi. Gjithsesi, ky dekret ligj, nuk do të kalonte pa debate nga deputetë të ndryshëm të parlamentit, madje duke akuzuar edhe Bashkinë e Durrësit si shpërdoruese të fondeve publike e cila në krahasim me Bashkinë e Tiranës, kishte të ardhura shumë herë më të mëdha.
Akuzat e deputetit Selaudin Blloshmi ndaj Bashkisë së Durrësit
Kjo ka ndodhur në seancën parlamentare të datës 29 mars 1926 në orën 16:00 nën kryesimin e Zv. Kryetarit të Parlamentit Kolë Mjeda, ku ndër deputetët më kundërshtues të kësaj takse në favor të Bashkisë së Durrësit ishte Selaudin Blloshmi, deputet i Prefekturës së Elbasanit. Ai, në një nga replikat në parlament, do të shprehej:
“Po bahet aluzjon limanëvet dhe godinavet qi ban Durrësi. Kjo nuk asht as pak e drejtë se në Durrës nuk asht bërë as nji send. Në asht se thuhet për vilën e Kryetarit të Republikës qi kanë fillua t’a bajnë, kjo asht nji çashtje tjetër se këtë Durrësi e kish marrë përsipër vetë qi të bante nji vile. Pra në kjoftë se do t’a bajë vërtetë Durrësi vilën duhet të mos i a ngarkojmë gjith qytetevet të Shqipnis dhe Durrësi ta marrë vetëm emrin qi po bën vile. Në kjoftë qi do t’a baë vetë duhet të mos u ngarkohet nonji pagesë qytetevet të tjerë tue mos lenë transitin të lirë e të futen shkopinj në rrotat e përparimit të tregëtis. Do të lutem qi të na vijë nji orë e ma parë ligji i oktrovës i cili po pengon tregtin se ashtu nji ligjë qi nuk asht parë të jetë në veprim së as nji vend. (Përkrahet)”
Ky fjalim pati përkrahjen në sallën e Parlamentit nga deputetët e tjerë si Milto Tutulani, Xhafer Ypi etj.
Justifikimi i deputetit Fiqiri Rusi për Vilën e Zogut
Ndërsa Fiqiri Rusi, si përkrahës i këtij ligji, pas fjalës së Blloshmit do të deklaronte:
“Qeverija ketë dekret-ligjë nuk e ka berë me qëllim për t’u mbledhun kjo taksë për vilën e Presidentit qi po bahet në Durrës se atë po e bën vetë qyteti i Durrësit. Ky dekret ash tba për përmisimin si thashë të atij qyteti qi na prezanton kundrejt të huejvet. Si ky dekret asht berë dhe nji për në Shkodër e nji për në Leshë, prandaj nuk mundet të quhet qi asht për vilën e Presidentit.”
I gjithë sqarimi i deputetit Fiqir Rusi ishte se këto fonde që do të përfitonte Bashkia nuk do shkonin për ndërtimin e Vilës së Zogut, sepse atë e kishte marrë përsipër vetë qyteti për ta ndërtuar. Gjithsesi pas disa diskutimesh, kryetari i seancës propozon që projekt ligji të plotësohet duke futur kështu dhe rastin e Shkodrës dhe atë të Lezhës, ky propozim pranohet nga deputetët dhe seanca mbyllet për ta vazhduar në një ditë tjetër.
Vijon…
Nessuna descrizione della foto disponibile.