Home Dossier Diskutimi për fondet e Bashkisë së Durrësit në Parlament, 96 vite më...

Diskutimi për fondet e Bashkisë së Durrësit në Parlament, 96 vite më parë

Vijon nga shkrimi i kaluar 

Nga Aleksandër Cangonja

“Nuk jamë kunder qi të bajmë vila Presidencjale në Shkodër, në Sarandë o kudo, po duhet ma përpara të dime a mund t’i bajmë, se neve po prishim e po harxhojmë para pa hesap si kur me i fitue në Monte-Carlo.”
Ndërkohë që bisedimi në një seancë më parë parlamentare ishte mbyllur duke e shtyrë në një seancë tjetër si çështje diskutimin mbi taksën 1% në favor të Bashkisë së Durrësit, Parlamenti mblidhet përsëri me datë 31 mars 1926 në orën 15:00 nën kryesimin e Nënkryetarit Kol Mjeda dhe pas disa projektligjesh të tjera hapet dhe diskutimi i taksës 1% të Durrësit.
Nga seanca e kaluar në debatet midis deputetëve u kuptua se kjo taksë nuk do përdorej për ndërtimin e Vilës Presidenciale (Vilës së Zogut), por për punime të tjera në qytetin e Durrësit, duke e zbukuruar kështu këtë qytet. Pas hapjes së temës për këtë projektligj, fjalën e merr deputetit Rexhep Matja, i cili shprehet:
“Nuk i kundershtoj taksës nji për qind qi kerkohet për Bashkin e Durrësit, po due qi të përjashtohet Tirana, se Z. Ministër e di fare mirë qi Bashkija e Tiranës budgetin e ka fare të vogël e Tirana u shemb e u prishen shpijat e nuk asht e zoja të barin edhe ketë taksë. Bashkija e Durrësit budgetin e sajë e ka shumë ma të math se ajo e Tiranës. Prandaj Bashkija e Tiranës nuk duhet të përfshihet në këtë ligjë.”
Pra deputeti Matja kërkonte që nga kjo taksë të përjashtohej Tirana, pasi si Bashki buxhetin e saj e kishte shumë më të vogël se ajo e Durrësit dhe nuk kishte mundësi financiare duke pasur parasysh se në Tiranë kishin filluar dhe shembjet e banesave të vjetra duke i hapur rrugë zhvillimit të kryeqytetit.
Ministri Musa Juka pohon se të ardhurat e taksës do shkojnë për ndërtimin e Vilës
Por Ministri i Punëve të Brendshme Musa Juka do replikonte me deputetin Matja duke i thënë:
“Dekret-ligja duket se asht për zbukurimin e Kryeqytetit, po këjo nuk asht për këtë qellim, po asht për me i ba ballë shpenzimeve për ndreqjen e Vilës Presidencjale. Kur të vinë bisedimi mbi ligjen e oktrovës aty mund të bisedohet çeshtja qi thotë Z. Rexhep Mati, se këjo ligjë asht vetem për çështjen e Vilës Presidencjale e sikur këjo asht edhe ajo e Shkodrës.”
Pra Ministri, i cili ishte i ngarkuar prej Presidentit të zbatonte këtë projektligj, shprehet qartë se këto para që do tw vijnë nga kjo taksë, nuk do shkojnë për asgjë tjetër veçse për ndërtimin e Vilës Presidenciale (Vila e Zogut) në Durrës, ndërtim ky që ishte marrë përsipër nga tregtarë të qytetit të Durrësit së bashku me Bashkinë e këtij qyteti.
Akuzat e rënda Vasil Bamihës, deputet i Gjirokastrës
Por akuzat më të rënda i bëri deputeti i Gjirokastrës Vasil Bamiha, i cili theksonte se nuk ishte kundër taksës por kishte dyshimet e tija. Si fillim, ai konstatoi se këto para do shpenzohen për Vilën Presidenciale dhe jo për punime të tjera të qytetit të Durrësit ndryshe nga ajo që u deklarua në seancën e kaluar.
Ai ngrinte shqetësimin se me ato para për ndërtimin e Vilës Presidenciale në Durrës po abuzohej. Deputeti Bamiha shprehej se kostot e vilës po e tejkalonin shumën normale që kërkon ndërtimi i saj dhe se ajo po kushtonte 4 herë më shtrenjtë.
Më poshtë fjala e deputetit të Gjirokastrës Vasil Bamiha:
“Ata qi desha të pyes e tha vet Z. Ministri i P. të Mbrendshme se këjo taksë 1% nuk asht për zbukurimin e Qytetit të Durrësit, po për ndreqjen e Vilës Presidencjale. Si e dini të gjithë ZZ. E juej, kur na kerkohet nji gja, përpara se t’a votojmë, duhet të dime edhe pse prishet. A keni marrë derri tash ndonji raport, ku na thohet se si ash tba këjo Vilë, sa ka kushtue e sa do të kushtojnë der isa të mbarohet. Ne e fillojmë kurdoherë nji punë pa mendim e pastaj kur nuk del ngarkojmë popullin. Un nuk jam kunder t’a votojmë këtë taksë, po due të di edhe se ç’po bahet n’atë Vilë. Kam marrë vesht se për nji Vilë Presidencjale do të kishin mjaftue 5000 Napoljona e këtu shifet se do të shkojë ma tepër se 20, 000 dhe Vila do të ndreqet me materjal të dytë. Bajm nji Vilë Presidencjale e cila kushton katër herë ma tepër se do të kushtonte dhe e bajmë me material të kalitetit të dytë. Këjo Zotëni me të vertetë asht nji turp? Jam llafosun me ingjinjert dhe me kanë thane se temelet kanë ikë dhe rruga asht prishë prej shinave. Kush e ka marrë ketë punë mbi vehte, duhet të vine këtu e të na thot՞, sa mund të kushtojn ajo Vilë dhe të shohim planin e sajë. Pa ditur se sa do të kushtojn ajo Vilë, pa ditur planin, pa ditur se kur do të marohet, si mund të votojmë 1% taksë mbi gjanat qi do t’importohen n’atë qytet e qi do t’exporrtohen prej atij qyteti. Më duket se në këtë janë 50 veta qi po hanë, se kur prishen 20 në vend të pesve d.m.th se dikush ha. Kam marrë vesgt se vila do të që e mbarueme për 6 muej, po nuk u bad he zunë shinat dhe vila gadi ra, dhe për veç kesajë kush e di kur do të marohet, u fillue me 924 e ndoshta nuk marohet as me 926. Kur, vetem për nji vile, u prishen kaq para, kush e di sa para do të prishen për mobilje? Kur kemi njerëz t’ushtris e të gjendarmeris qi nuk kanë marrë rrogat e harxhojmë kaq para, o do të thomi se na ka dale voj-guri ose nuk dime se ç’po bajmë ! Nuk jamë kunder qi të bajmë vila Presidencjale në Shkodër, në Sarandë o kudo, po duhet ma përpara të dime a mund t’i bajmë, se neve po prishim e po harxhojmë para pa hesap si kur me i fitue në Monte-Carlo.”