Nga Nebil Çika
Kushëriri im, Dino Noga, dritë pastë, ishte një prej anëtarëve të “Grupit armiqësor” të babait.
Në fakt ishte nip i tij, gjyshja e tij Xhevo Çika ( Husi) ishte motra e gjyshit, halla e tim ati, e ëma e Dinos , Nakja, ishte vajza e hallës së babit .
Dino ishte një intelektual i mirëfilltë, kishte mbaruar gjimnazin e Gjirokastrës fliste disa gjuhë të huaja, veçanërisht frëngjishten që e zotëronte, në nivel misëmdhënje, profesori .
Me kulturë shumë të gjerë, ata që e kanë njohur e dinë se sa kënaqësi bashkëbisedimi me të, në çdo fushë.
Gjatë luftës, si shumë të rinj, iu bashkua lëvizjes komuniste, jo me armë në dorë partizan, por një nga drejtuesit e rinisë komuniste në Sarandë.
Paradoksi ishte se i ati i tij, Bilal Noga, një nacionalist i spikatur, ishte komandanti i Batalionit të Ballit Kombëtar të Bregdetit, “Spiro Koleka”.
Me pak fjalë historia e tyre,” djali politikisht përballë babait “, është prova me qartë që LDB në Shqipëri ishte një luftë civile.
Në 1945, Dino jetonte në Durrës ndërkohë që të atin Bilallin e arrestojnë dhe e burgosin në Kalanë e Gjirokastrës. Duhet thënë që Dino ishte një “komunist idealist” që nuk kishte kapur kurrë armë me dorë, jo me të merrte pjesë në krimet e komunistëve.
E besonte vërtet kur iu thoshte njerëzve gjatë luftës si “agjiprop” se do hanin me “lugë floriri” kur të fitonte komunizmi .
Dyshimet e para tek ideologjia komuniste i pësoi që gjatë luftës duke parë krimet që kryenin partizanët duke e kundërshtuar shumë herë brenda llojit këtë politike terrori .
Të gjitha këto, arrestimi i të atit dhe të shumë të afërmve pasi familja dhe fisi ishin kryesisht antikomuniste, bënë që të reflektonte e reagonte shpejt, të trnsformohej në antikomunist .
Për këto qëndrime e përjashtuan nga partia dhe e transferuan si mësues në Sarandë, në fillim ne Borsh, Piperas pastaj në Mursi ku edhe e arrestuan.
Gjatë kësaj periudhe vazhdoi të reagonte e të fliste kundër pushtetit komunist duke u vënë në shënjestër të tyre . U arrestua me të njëjtat akuza me tim at, “përmbysje me dhunë të pushtetit popullor ”, qëndroi me dinjitet si në hetuesi edhe në gjyq, në fakt gjithë jetën.
E veçanta e Dinos nga anëtarët e tjerë të grupit ishte se ai, “ish-komunisti”, ishte në të njëjtin burg me të atin nacionalist që vuante dënimin në Kalanë e Gjirokastrës që nga 1945.
Kur u lirua nga Burgu u vendos fillimisht në Durrës ku krijoi familje.
U martua me zonjën Izo Mustafaraj ( Noga) nga familja e njohur patriotike e antikomuniste Mustafaraj nga Golëmi i Gjirokastrës.
I ati i sajë ishte arratisur si nacionalist dhe ishte pjesë e “Kompanisë 4000” në Mynih të Gjermanisë që luftonte për çlirimin e Shqipërisë nga komunistet, i dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Por nuk mund ti shpëtonte dot luftës se klasave . E dëbojnë politikisht nga Durrësi në vitin 1968 në Borsh, ku jetoi i përndjekur nga lufta e klasave dhe Sigurimi i Shtetit por i respektuar nga populli, deri në fund të viteve 1990.
Pas rënies së diktaturës, ishte një veprimtar i spikatur i lëvizjes demokratike deri sa ndërroi jetë .
Siç thash më lartë, Dino kishte një kulturë të gjerë po veçanërisht një inteligjence të lindur të jashtëzakonshme . Bënte diferencën me të tjerët e rracës së tij në gjithçka, jo se ata nuk janë shtëpi e mirë e fisnikë, po ky ishte ndryshe dhe mua më vjen për mbarë,ndjehem mirë, të them që ngjante nga ne .
Mendoj se ky ndryshim cilësor i vinte nga që ishte nip tek ne, Çikajt , që kishte ADN-në tonë. E di që të birit të tij, Gazmend Noga , nipi dhe miku im i dashur që nga fëmijëria deri më sot, bir i denjë i të atit , ndoshta nuk do ti pëlqejë, ky “konstatim” imi lidhur me cilësitë e të atit për shkak të gjakut tonë në deje të tij, megjithëse edhe ai e di që kjo është e vërtetë.
Tregojnë një histori në Labëri për këtë.
Kur pyetën një nga paraardhësit e famshëm të Gazit nga nëna , Çobo Golëmin, dajën, vëllain e nënës së Çelo Picarit të famshëm për nipin, ai tha : “Ishte Xhikua që bëri Çelon” .
Në se kjo thuhet dhe merret si e vërtetë për Çelon, nip nga Mustafarajt e Gelemit është e vërtetë për Dinon, nip nga Çikajt e Borshit .
“Do apo nuk do” Gazi apo dikush tjetër, fakti është fakt : Dino ishte djali i Nakes dhe nipi i Xhevo Çikës, gjaku ynë .
Nga Libri im në proces :“Biri i armikut”