Home Sport Dinamo City merr Lorenco Vilën, lojtari i ndau rrugët me Teutën

Dinamo City merr Lorenco Vilën, lojtari i ndau rrugët me Teutën

Merkato po shkon drejt fundit dhe duket se tre klubet e kryeqytetit, Partizani, Tirana dhe Dinamo do të jenë pretendentët kryesorë për titull. Kjo përforcohet dhe nga fakti se këto skuadra i kanë ruajtur grupet cilësore, kanë bërë blerje të mira dhe janë një hap para rivalëve të tjerë. Në fakt, vëmendja e gjitha është përqendruar tek Dinamo, e cila është bërë pjesë enjë projekti madhor që synon ta rrisë në nivele europiane, një projekt që ka nga pas, me sa duket, mbështetjen e qeverisë Rama. Ndërkohë, Dinamo sapo e dha shkëndijën e parë në treg se dëshiron një skuadër cilësore për sezonin e ri. I merr Teutës njërin prej lojtarëve të formacionit dhe besohet se Lorenco Vila tani e tutje do të jetë pjesë e “nëndetëses”, skuadër që edhe zyrtarisht ka dalë në bregdet, sipas një projekti të bërë publik tashmë. Lorenco Vila është lojtari më i ri i skuadrës së Dinamo Siti. Ditën e sotme sulmuesi njoftoi në rrjetet sociale largimin nga Teuta, ku kaloi shtatë vite, për të nisur një eksperiencë të re. Nga “Supersport.al” mësojmë se sulmuesi 24-vjeçar do të qëndrojë në qytetin e Durrësit, por tashmë do të veshë një tjetër fanellë, atë të skuadrës së Dinamo Siti. Dinamo dhe Lorenco Vila kanë firmosur që të bashkëpunojnë për dy sezone.

Todoroski u bllokua, shkak oferta që i bëri Partizani

Një futbollist nga Maqedonia Veriore, Todor Todorovski, ishte në planet e Dinamos gjatë kësaj periudhe të merkatos, por lojtari ishte gjithashtu në “radarët” e Partizanit dhe duket e klubi i kuq është treguar më i shkathtë në veprime. Emri i 24-vjeçarit nga Prilepi ka qarkulluar së fundmi edhe te Dinamo, me blutë që kanë bërë ofertën e tyre, por referuar “Panorama Sport”, në ditët e ardhshme, ai mund të zyrtarizohet te Partizani. Todoroski ka provuar të luajë në disa kampionate përveç atij maqedonas, ku ka veshur fanellën e Vardarit të Shkupit. Ai ka qenë pjesë e Osijekut dhe Shibenikut në Kroaci, teksa ka pasur si trajner edhe Zoran Zekiçin. Mbrojtësi i djathtë gjithashtu ka luajtur në Serbi me Radniçkin. Afrimi i maqedonasit do të forconte mbrojtjen e kuqe, për më tepër që është e hapur pista për transferimin e Andi Hadrojit në Turqi.

Dueli i parë me Tiranën

Dinamo do ta luajë duelin e parë në kampionat përballë Tiranës, pra një derbi klasik, ndërkohë që në kampin bardheblu kanë nisur të mendojnë për rëndësinë e kësaj sfide. Në fakt, Dinamo ka qëndruar e heshtur, nuk ka dhënë shumë detaje rreth punës së saj, kurse Tirana ka bërë lëvizje më të hapura. Kështu, shqetësimi kryesor i Tiranës në këtë moment janë dëmtimet. Ai që rrezikon më shumë javën e parë është Filip Najdovski. Lojtari ka një problem në tendinin e Akilit dhe ende nuk po stërvitet. Kapiteni rrezikon seriozisht javën e parë të kampionatit. Deliu dhe Doka kanë nisur stërvitjen ashtu si edhe Nikqi. I vetmi që po riaftësohet është Patrik. Najdovski ka bërë palestër dhe ende nuk dihet kur do të nisë vrapimet. Dueli me Dinamon pritet me interes të shtuar, pasi është derbi dhe publiku do të mësojë se cila prej skuadrave ka bërë merkato më cilësore e më të zgjuar gjatë kësaj periudhe transferimesh.

Previous article“Çmontohet” grupi kriminal në Kurbin, mes 6 të arrestuarve edhe ish-shefi i policisë (Emri)
Next articleFSHF sqaron çështjen e Luis Hasës, pretendon se Shulku e ftoi tek përfaqësuesja U-21