Home Dossier Dëshmia ish-kampionit të boksit: Pasi s’pranoi të fliste për shkrimtarin e njohur,...

Dëshmia ish-kampionit të boksit: Pasi s’pranoi të fliste për shkrimtarin e njohur, gjithë mllef, hetuesi i tha “mua s’më ka rezistuar T. A. 120 kile e jo ti” dhe i gjuajti me…

Nga Ahmet Golemi
Ahmet Golemi ka lindur në Tiranë, në vitin 1936. Mbasi kreu studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, ai ka punuar si mësues i Edukimit Fizik dhe trajner boksi, pasi që nga viti 1951, kur ai doli për herë të parë kampion kombëtar për të rinjtë, e ushtroi atë sport, madje duke qenë pesë vjet kampion kombëtar dhe katër vjet nën kampion në peshën e tij, deri sa regjimi komunist e ndaloi boksin në 1963-in. Gjatë periudhës që ushtroi sportin e boksit, por edhe më pas, Ahmet Golemi ishte konsideruar si “Mohamed Aliu” shqiptar, edhe për shkak të ngjashmërisë së tij me kampionin e botës Kasius Klei. Po kështu, krahas boksit, Golemi kishte shumë pasion dhe shkrimet e letërsinë dhe në fundin e viteve, ’60-të, ku ai punonte si redaktor letrar te gazeta “Sporti Popullor”, ai botoi librin “Fundi i dorezave të zeza”.

Edhe për shkak të ndalimit të sportit të boksit, Golemi herë pas here shprehte rezervat e tij ndaj regjimit komunist në fuqi, kryesisht me një grup shokësh letrarë të rinj, si: Bedri Myftari, Zyhdi Morava, Roland Gjoza, Sadri Ahmeti, Kosta Dhamo, etj, ku pjesa më e madhe e tyre u arrestuan dhe u dënuan me burg politik. Si rezultat, në vitin 1978, Sigurimi i Shtetit e arrestoi edhe Ahmet Golemin, i cili pas disa muajsh hetuesie ku ndaj tij u përdorën tortura fizike dhe psikologjike, ai do të dënohej me 5 vjet burg politik, i akuzuar “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, ku një nga akuzat që iu bënë, ishte dhe adhurimi që ai kishte për kampionin e botës, boksierin Mohamed Ali.

Pas lirimit nga burgu ai do të punonte si punëtor dhe vetëm pas shembjes së regjimit komunist, në fillimin e viteve ’90-të, Golemi iu rikthye shkrimeve, duke qenë shumë aktiv në shtypin e shkruar dhe si komentator i boksit në studio televizive apo ndeshjeve të zhvilluara në ringun shqiptar, në kampionatet kombëtare apo ndonjë takim ndërkombëtar, ku ai transmetonte me plot pasion. Po kështu pas viteve ’90-të, ai ka botuar disa libra, si: “Humbja e parë”; “Përbindëshi i bardhë”; “Pasionet” si dhe shumë tregime në shtypin e kohës. Ahmet Golemi u nda nga jeta në 15 maj të vitit 2021, në moshën 85 vjeçare. Shkrimi që kemi përzgjedhur këtu për botim, është marrë në një nga tregimet e tij, e cila është ngjarje reale, ku ai rrëfen se si gjatë kohës kur ishte “Burgun 313” të Tiranës, hetuesit i bënin presione dhe dhunë psikologjike e fizike, në mënyrë që ai të dëshmonte kundër shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, mik i afërt i Golemit, para dhe pas burgut të tij.

foto galeri

foto galeri foto galeri

foto galeri

Hetuesi në mesnatë

 

 

…Nimeti u përpoq të ngrihej për të bërë ecejakjen e zakonshme, që lehtësonte disi barrën e trurit, por u kujtua që s’i lejohej kjo pas ndërrimit të rojeve të natës. Pyetja se, përse mundet ta thërriste në mesnatë, e kishte torturuar gjatë dhe po vazhdonte ta torturonte të tërin.

“Përse në mesnatë”, çoi nëpër mend kushedi për të satën herë. Nga ata që kishin hyrë në qelinë e tij, kishte mësuar se ligji kushtetues, e përcaktonte hetuesinë për 75 ditë dhe se presionet fizike dhe psikike të hetuesit, dënoheshin rëndë me ligj.

“Profka”, shfryu dhimbshëm dhe ia nguli përsëri shikimin e lodhur derës. Hapja e derës së rëndë e gjeti në këmbë, siç e donte rregulli. Gardiani i hodhi një vështrim keq ardhës, ndërsa ai donte t’i ankohej për këtë lloj hetuesie, jashtë çdo rregulli të arsyeshëm.

Por goja s’iu hap. Edhe ky, si të tjerët, mendoi. Një detal në ingranazhin e madh që merrte nëpër këmbë dhe shtypte shpirtra e jetë njerëzish të pafajshëm. Por mënyra sesi ia vuri hekurat në duar, e preku. Më njeh, ose paska zemër njeriu, mendoi përsëri.

Shoku i birucës u mblodh edhe më kruspull nën batanijet e holla. Pas hapjesh e mbylljesh dyersh me dryna përgjatë korridorit gjysmë të ndriçuar, nga kati i parë në të dytin, u gjendëm në dhomën e hetuesit.

E priste vetë i dytë. Shikimi i tij i mprehtë, si i gjuetarit, e barte përbrenda dozën e padurimit. Zgjati duart nga gardiani, që, sipas rregullit, t’i hiqte hekurat, por ai kokulur mbylli derën. Dhoma ishte po ajo. E zbrazur, thuajse nga orenditë.

Ishte si e bërë me qëllim për të t’i zhveshur mendimet dhe të dilje shpejt atje ku dëshironin pyetjet provokuese të njeriut shpirtkazmë. Rafti në të djathtë, i marrë diku nga ndonjë bastisje shtëpie nga oficerët e Sigurimit vite më parë.

Në të majtë, në qoshe, një dollap i vogël hekuri, bënte punën e kasafortës. Sipër saj një radio e pasluftës. (Një nga këto e kishin pasur në shtëpi). Edhe radioja si peng i ndonjë bastisjeje tjetër. Në vijim, dritarja me hekura.

Flitej se ishin vendosur në të gjitha dhomat-zyra, pas hedhjes nga dritarja të një të pandehuri, që s’kishte mundur të përballonte dot torturat. Pranë saj një karrige ku, zakonisht, uleshin dëshmitarët. Në murin përballë, fotografia e kryeministrit satrap. Poshtë tij, karrigia tjetër, ku ulej viktima. Edhe kjo me këmbë të betonuara.

Një i pandehur, pasi kishte humbur durimin, e kishte rrëmbyer atë dhe ja kishte vërtitur hetuesit në kokë, i kishte marrë pistoletën dhe kishte tentuar të dilte jashtë. Që atëherë karriget dhe tavolinat ishin me këmbë të futura në beton, ndërsa hetuesve, u ndalohej të mbanin armën gjatë procesit hetimor. Mesnata kishte ardhur me kohë dhe hetuesi vazhdonte të qëndronte në këmbë.

Lëvizte me padurim rreth Nimetit, pa folur. Në vendin e tij të ndenjjes krekosej një koleg i tij, i mbajtur, me kostum dhe i kollarisur. Fytyra e zeshkët e hetuesit, me sy që i lëvrinin si të djallit, dukej si e lodhur. Së fundi, vendosi të pyesë. Kërkonte qiqra në hell. Por s’ishte aty qëllimi. Ndryshe s’do të qe munduar të prishte gjumin.

Nimeti e kuptoi se pyetjet e tij anësore ngjasonin me goditjet manovruese që jep boksieri, për ta çorientuar kundërshtarin, dhe kur ta shihte të nevojshme, lëshonte goditjen vendimtare.

Pastaj, me një pamje të sforcuar për t’u futur kinse me njerzillëk në trurin e rraskapitur të të pandehurit, pyeti me një artikulim të shtirë intimiteti të zërit, që në veshët e Nimetit vinte i pështirë: – Po, mirë, fundja na fol për atë intelektualin, shkrimtarin e njohur që ke shoqëri.

Pastaj hetuesi bëri me të dyja pëllëmbët e hapura shenjën e pushimit të lojës së basketbollit, gjithçka shkon për së mbari në favorin tënd. “Kopuk – shfryu njëhershëm brenda vetes Nimeti. – E di ku kërkon të dalësh. Keni kohë që i jeni qepur për ta shtënë në dorë. Po kurrë s’jua shtroj si meze në tavolinën tuaj të urryer. Mediokër dhe pervers, ja çfarë je ti dhe skorta jote.

Kushedi sa vetë ka marrë në qafë me shpirtin e zi demoniak! E di që do të më marrësh edhe mua, po atë që kërkon, s’e shes kurën e kurës, sikur të më lironi që tani…”! – Mirë, e shoh që s’do të rrëfehesh me zemër në dorë – ia ndërpreu mendimin hetuesi dhe duke iu afruar, nisi t’ia shtrëngonte hekurat deri në zero. Ai ndjeu se si ato po i shtrëngonin shpirtin e fytin.

E vetmja gjë që i vinte në ndihmë në ato çaste, ishte neveria, që shtohej me dhimbjen. – Bjeri! – klithi tjetri si nëpër gjumë. Hetuesi mblodhi duart grusht dhe tentoi të godiste. Sytë e çakërdisur ishin ngulur te fytyra e rreshkur nga dobësimi e të pandehurit, si të deshte ta hipnotizonte atë.

– Bjeri, mos ngurro! – kumboi më fort, në formë urdhri, tjetri që ishte ngritur në këmbë. Instinktivisht hetuesi ngriti grushtin e majtë, por përsëri u step. Në vend të goditjes lart, Nimeti ndjeu dhimbje të padurueshme që i erri vështrimin. Shkelmi i djathtë kishte goditur fort te hekurat dhe ato në çast bënë të tyren. Pas një pauze, kur vështrimi iu qartësua, ndjeu në hundë shfrimin e frymës së qelbur të hetuesit. Shtrëngoi nofullat dhe ktheu kokën nga ana e derës. – Mua s’më ka rezistuar T.A. njëqindenjëzet kile dhe jo ti! – bërtiti tërë mllef hetuesi dhe ri gjuajti më me forcë me shkelm te hekurat.

Në fillim Nimeti tentoi të mbështetej te muri, por vetëdija iu errësua dhe u përplas keqas në dysheme. Kurse hetuesi, si të qe i ngopur nga ndonjë torturë e mëparshme, hapi derën e veshur përbrenda me pambuk, për të humbur tonet e larta të gulçimave dhe urdhëroi prerë: -Merreni! Gardiani, që rrinte si i mpirë pas derës, hyri me ngathtësi.

U ul ndër gjunjë dhe e ngriti të pandehurin me një mënyrë të tillë, sikur ky ishte për të, një i njohur. E tërhoqi ngadalë pranë vetes, ia kaloi krahun për mesi, ndërsa krahun e tij të mpirë, e mbështeti te supet dhe doli në korridor. Kishin përshkuar ashtu disa metra kur dëgjoi: – Do të shihemi përsëri në mesnatë, i dashur!

Kjo ishte vetëm një nxehje…! I pari ktheu kokën gardiani. Pas tij, me lëvizje prej somnambuli, Nimeti pa nga njeriu që klithi. Deshi të reagonte, të shprehte diçka, por s’mundi. Nofullat vazhdonte t’i kishte si të mpira nga shtrëngimi i fortë, ndërkohë dëgjoi kërcitjen e dhëmbëve të gardianit. Gjesti i tij njerëzor, e lehtësoi paksa. Iu duk se qe përgjigja për çka kërkoi hetuesi.

Zbritën shkallët dhe kur qëndruan para birucës, ai i foli me të butë. – Prit të t’i liroj,- dhe kur hekurat i mbetën në duar, shtoi: – Shko, shko dhe freskohu! Nimeti shtyu hapat drejt banjës. Vetëm atëherë kuptoi arsyen që e kishte shqetësuar gardianin. Nga plagët e hapura rridhte gjak. Në qeli u shtri i dërrmuar dhe dënesi. E më pas u ndie më i qetë.

Lehtësimin shpirtëror ia shtonte dhe fakti që s’kishte nxjerrë nga buzët emrin që po i kërkohej. Ndërkaq u hap deriçka përgjuese te dera dhe në kuadratin e vogël, u shfaq fytyra e imët dhe ezmere e hetuesit. – Sonte shpëtove paq. Po kujtohu mirë, se kemi kushedi sa takime të tjera së bashku- foli ai me një zë si fishkëllimë gjarpri. /Memorie.al/

Previous articleRedon Makashi: Të dëgjosh këta këngëtarët e sotëm të këndojnë live, mban barkun me dorë nga të qeshurat
Next article“Projektbuxheti i qeverisë, përgjigjja më e gabuar ndaj krizës”, Meta: Ja ku i çon rilindja lekët e pagave dhe pensioneve