Home Kulture “Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja”, historianët: Rishkrimi ka marrë një konotacion...

“Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja”, historianët: Rishkrimi ka marrë një konotacion negativ

Historia duhet transmetuar, por rishkrimi i saj ka marrë një konotacion negativ, u shprehën historianët në tryezën e diskutimit, “Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja” organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Në këtë diskutim ku ishte e pranishme dhe drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli, merrnin pjesë historianët Pëllumb Xhufi, Nevila Nika, Artan P. Hoxha, Ardit Bido dhe Dorian Koçi, që sollën qasjen e tyre ndaj një procesi të natyrshëm në historinë e kombeve në raport me rishikimin e historisë. Historiania Nevila Nika ndër të tjera u shpreh demistifikimi i historisë ka nisur. “Jemi munduar gjithë historianët, ata që kanë marrë mundin për të rrëfyer të vërtetat tona.

Historia është diçka që duhet transmetuar. Ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, si për ngjarje si për figura të historisë sonë”, u shpreh Nika gjatë këtij takimi. Në fjalën e saj, historiania Nevila Nika vijoi më tej se një historiani i duhet të jetë pa ndërprerje pranë arkivave. “Pranë atyre burimeve ku mund të marri gjithçka për të shkruar. Deri në ‘90 ishte e kufizuar pas ‘90 s’është më”, u shpreh ajo.

E pranishme në këtë takim, Nevila Nika më tej solli në vëmendje disa figura historike. “Ismail Qemali ka qenë i zbehtë deri para ‘92 në histori. E njëjta gjë për Hasan Prishtinën”, tha ajo. Për historianen Nevila Niika historia ka zhvillimet e veta. “Pasurohet në dokumentacion”, vijoi Nika. I pranishëm në këtë takim, Ardit Bido drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave tha mes të tjerave se rishkrimi i historisë ka marrë një konotacion negativ.

“Rishkrimi i historisë konsiderohet sikur do hidhen gjithë tezat e tanishme dhe do ndryshohet gjithçka. Por kjo është thjesht një punë e përgjithshme e historianit. Rishkrimi ka marrë një konotacion negativ në diskutimin publik”, tha ai. “Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja” ishte tryeza e diskutimit që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi shoqëruar me aktivitete për 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.