Home Opinion Dehur me mungesë (Fundviti)…

Dehur me mungesë (Fundviti)…

Nga Syrja Kurti

Të gjithëve ky vit na ka lënë diçka mangut.E të gjithëve nëpër ditët e tij na ka munguar diçka. Dikush topthat e argjentë të pemës do dëshironte t’i zëvendësonte me një portret të munguar, ndërsa një tjetër dritat vezulluese dhe shkëlqimin e  ftohtë të topthave  me një buzëqeshje që ka kohë që nuk e ka parë. Pothuajse të gjithë do të falnim pemën me gjithë zbukurimet e saj , do të jepnim tryezën e vitit të ri bashkë me babagjyshin brenda, për të dëgjuar tingujt e një zëri të munguar.Disa ikën përdhunshëm pa e ditur as ata vetë pse ikën,,disa të tjerë u larguan fare pa u ndjerë.Pati edhe nga ata që nuk mundën të rrinin dhe as ne nuk i mbajtëm dot.  Ndërsa të tjerë që janë larg prej nesh diku në vende dhe hapësira të tjera, kanë lënë një copë shpirt edhe këtu. Pavarësisht nga mënyra e ikjes mungesa e tyre është pothuajse e barabartë. Në fakt shumë prej tyre do të dëshironin të ishin pranë nesh por ja që kështu është ndërtuar kjo botë. Ndoshta ata që e ndërtuan e kanë bërë me dashjen e tyre  të tillë. Që gjithnjë të kemi diçka të munguar sepse ndryshe nuk do të kthenim kokën pas. Dhe si do të predikonin pastaj për parajsën nëse këtu nuk do të na kishte munguar asgjë?Si do të mund të ndjenim peshën e mungesës , si do të kuptonim se sa vlerë ka ajo nëse në grimcat e ajrit nuk do të ndjenim mungesën e saj? E neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të dehemi.Sepse nuk e mbushim dot gropën e saj.Të pimë të gjithë shishen e mungesës dhe të dehemi me të.E pastaj të dehur duke na u marrë këmbët, të mbahemi në muret moralizuese të kësaj bote të gënjeshtërt për të mos u rrëzuar. E me sytë e turbulluar nga dehja e shpirtit, do të shikojmë me shpresë për ndonjë sliuetë në bulevardin e zbrazur. Por më kot. Vetëm diku brenda qenies tonë do të dëgjojmë trokitjen e thatë te këoucëve të dikujt që largohet nëpër disa shkallë të padukshme diku larg.