Home Opinion Debilizimi i debatit publik

Debilizimi i debatit publik

Nga Andi Bushati

Pak ditë më parë duke kqyrur një debat rinor në Euronews nuk po u besoja shqisave me atë ç’ka po thoshte një deputete e shumicës nga Elbasani. Me koherencën e dikujt që i përputhen në perfeksion dhjamosja e trurit me atë fizike, djalit që e pyeti për krimin në qytetin e tyre ajo iu përgjigj: “Kush thotë se Elbasani është në pushtetin e bandave i përket opozitës të paguar me para ruse”.

E shqiptoi atë frazë me aq lehtësi para atij të riu, sa të jepte përshtypjen e një roboti që do të përsëriste me përpikmëri të njëjtat rokje edhe po ti flisnin për inceneratorin edhe po ti kritikonin shijen e ballokumeve. Në portretin e saj ulërinte haptas efekti që i kishte lënë vaksina e budallallëkut.

Mu kujtuan ato imazhe teksa pashë të njëjtën gjuhë, pak ditë më pas, në statuset  e disa ministrave dhe hierarkëve të lartë socialistë kundër mitingut që PD ka vendosur të zhvillojë në 6 dhjetor, ditën e mbledhjes të BE-së me Ballkanin perendimor në Tiranë. Edhe në lumin e idiotësive të tyre dukej qartë porosia me shkrim e eprorit, që ushtron kënaqësinë perverse të telendisjes në publik të vartësve.

“Opozita e rublave”, ‘Interesi i Putinit”, ‘Rrezik për përplasje civile”, “Nxirje e imazhit të Shqipërisë”, ishin togfjalëshat që ndynë papritamas gjithë hapsirën mediale.

Ndërkohë debati që mund të zhvillohej ishte krejt i ndryshëm. Kritikët dhe kundërshtarët e Sali Berishës mund të gjenin plot argumenta, të arsyeshëm, për ta kundërshtuar vendimin e tij për të protestuar në 6 dhjetor. Ata mund të thoshin se e bën këtë për të rënë në sy, për të çarë izolimin ndërkombëtar, se ai mbetet peng i kompleksit të kahershëm për të qenë protagonist me çdo kusht, se ai nuk vë asgjë përpara interesit vetjak, se një protestë e tillë nuk do të kishte ndonjë efekt më të madh sesa ato paraardhëset, etj. Por jo, në vend tolerancës së arsyes, ata kishin zgjedhur qëllimshëm arrogancën e budallallëkut. Dhe kjo krejtësisht me qëllim. Pasi debati me argumenta, në thelb, ka pranimin e tjetrit, kurse ai me përdorimin e medësisë komplotise, synon shenjimin e tij si armik.

Dhe kështu, në emisionet televizive të mbrëmjes diskutimi kalonte në absurd, me tradhtarë dhe të shitur, pa lejuar një argumentim serioz mes “prove” dhe “kundrave”, ndërsa në editorialet me shkrim, disa shkuan deri aty sa të shihnin përplasje të përgjakshme ditën e 6 dhjetorit.

Se sa absurde ishte e gjithë kjo tymnajë e tregoi vetë reagimi zyrtar i BE-së, e cila u shpreh hapur për “ushtrimin e ligjshëm të lirive qytetare”. Pra, as në mendësinë, as në vlerat perendimore nuk ekziston  paranoja diktatoriale, se kush nuk mendon si mua i takon armikut, se ai që do të prishë kartolinën e festës së autokratit është detyrimisht në borderonë e Putinit.

Këtu përfundon debati absurd nëse opozita duhet të protestojë apo jo në datën 6, por ama mbetet i hapur një tjetër: Ai se pse kjo shumicë po rreket prej kohësh të debilizojë me çdo kusht debatin publik.

Kur dikur ti ngrije pyetje për shenjat e kanabizimit të vendit, ata të thonin se je pjesë e makinerisë së baltës; kur shqetësoheshe për kryebashkiakët dhe deputetët me të shkuar prej tarfikantësh mishi të bardhë, të vizatonin si armik të emigrantëve shqiptarë; kur kishe dilema për mënyrën se si po ngriheshin inceneratorët, të përgjigjeshin se je dashnor i pisllëkut; kur protestoje tek teatri për të mos shkallmuar trashigiminë për të ngritur kullat e Fushës, të anatemonin si kundërshtar të progresit.

Në fakt, kjo sjellje konstante, për të imponuar asgjesimin dhe dasinë armiqësore, në vend të debatit konstruktiv, është një politikë konstante e Rilindjes. Kjo përpjekje për debilizimin e hapsirës publike ka një qëllim të qartë: të largojë argumentat për të fshehur krimet. Ajo mëton të radikalizojë opinionin në “ne” dhe “ata”, për të bërë më të padukshme, vjedhjet, padrejtësitë, shkeljet e ligjit, luftën anti demokratike ndaj kritikëve dhe rivalëve.

Kjo teknologji, e njëjtë prej vitesh, tani ka ndryshuar vetëm formë duke bërë të vetat përralla me rubla ruse dhe agjentë të Kremlinit. Pikërisht ato përdorën në mënyrë idioteske, ditët e fundit, hierarkët e qeverisë dhe të partisë duke i servirur publikut një legjendë që u shfry sa hap e mbyll sytë nga vetë BE-ja. Por e keqja është se ajo i ngjan atij virusit që sa më shumë përhapet, aq më tepër i prek njerëzit me imunitet mendor të dobët, pikërisht si ajo deputetja e Elbasanit, e cila të patakste me rrumbullaksinë e budallallëkut që emetone përmes ekranit.

Previous articleMurati për 6 Dhjetorin: Krerët e BE-së nuk do shqetësohen nga tubimi i opozitës
Next articleVIDEO/ Ekuadori ndihet i vjedhur, i anullohet goli kundër Holandës në Kupën e Botës