Nga Sevdail Hyseni
Debatet po shtyhen, si pelat në gara,
Kush nga të sharat, na del më e para!
Me shprehje banale e fyerje bizare,
Nuk mbyllet debati, pa u prishur fare.
Të gjithë me nerva, dalin në ekran,
Duke u krekosur, fryhen si biban!
E shoqëria jonë, s’paska qenë në dije,
Se nga hajdutëria, shprehet kurvërie!
Mundohen t’i fshehin, gjurmët e hajnisë,
Para syve shfaqen, brirët e dhisë…
Ata që gënjejnë, duken si n’pazar
Kërcejnë sikur speci i skuqur në skarë!
Nuk pranojnë kritikë, si dhe argument,
Mendojnë veç ata, na qenkan të drejtë.
Sjellin në debate, një fjalor rrugor,
Duke kokorisur si pulat n’oborr.
A mbrohet dot, një Këshill Kombëtar?
Me disa kopukë, debil e zuzarë…
Të cilët e sollën deri në greminë,
Duke bart me vete turpin përmbi shpinë!