Home Sport Daniel Xhafaj pranë rekordit të golave

Daniel Xhafaj pranë rekordit të golave

XhafajBomberi vlonjat i Teutës, Daniel Xhafaj, me golin e shënuar në Vlorë arrin në kuotën e 204 golave, vetëm tre më pak se 207 golat e kryegolashënuesit Vioresin Sinani. “Ndihem mjaft i lumtur që shënova pasi tani jam më afër realizimit të ëndrrës sime, që është dhe arritja dhe parakalimi i Sinanit për të zënë vendin e parë. Për mua, këtë sezon, ky do të jetë trofeu im dhe kënaqësia më e madhe. Jam i bindur se deri në fund do i kem shënuar golat e nevojshëm për tu shpallur shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. ” – ka deklaruar Xhafaj. I pyetur në lidhje me reagimin e tij në fund të ndeshjes dhe kontestimet nga një pjesë e tifozëve vlonjatë, ai u shpreh: “Një pjesë më duartrokitën, kurse një pjesë më kontestuan. Por unë nuk jam i mërzitur me ta dhe ushqej respektin maksimal për çdo tifoz vlonjat. Por edhe ata duhet të më kuptojnë. Jam vlonjat dhe e dua Flamurtarin, por tani luaj për një ekip tjetër. Nuk isha unë që u largova nga Flamurtari, por më hoqën.” – është shprehur bomberi i Teutës, i cili ka marrë reagime të përziera nga tifozët vlonjatë në fund të ndeshjes. Në lidhje me ndeshjen e Vlorës Xhafaj vazhdon: “Ç’është e vërteta unë paguhem për të shënuar dhe nuk është në dorën time që të zgjedh skuadrën së cilës do t’i shënoj. Kam luajtur për Flamurtarin dhe e respektoj maksimalisht këtë skuadër, por edhe tifozerinë e saj, e cila mbetet e mrekullueshme. Të jem i sinqertë, më vjen shumë keq që i prisha punë ishskuadrës sime, por nga ana tjetër jam kënaqur që realizova, sepse arritëm të merrnim një pikë shumë të rëndësishme për ecurinë tonë. Në plan të parë vjen skuadra ku aktivizohem momentalisht, pastaj dëshirat personale. Duke llogaritur kundërshtarin që kishim përballë, sigurisht që duhet thënë se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Jemi shumë të kënaqur nga ajo që arritëm të merrnim nga kjo transfertë e vështirë, duke realizuar synimin që kishim për këtë përballje. Ishte një ndeshje e vështirë, sepse të dy ekipet luanin për vendin e dytë. Duke e parë në këtë këndvështrim, besoj se Teuta ka dalë e fituar prej asaj ndeshjeje, pasi mundi ta ruante këtë vend. Tashmë na duhet vetëm të vazhdojmë me këtë ritëm dhe t’i fitojmë ndeshjet që na kanë mbetur deri në fund të sezonit.” Sipas Xhafajt Teuta e ka nisur me këmbë të mbarë fazën e dytë: “Në fakt fazën e dytë të kampionatit e kemi nisur me këmbën e mbarë ndërsa, siç e thatë edhe ju, kemi arritur të marrim vetëm rezultate pozitive, ndonëse disa prej tyre janë arritur ndaj kundërshtarëve tanë direkt si: Tirana dhe Flamurtari. Skuadra po përmirësohet dita-ditës. Aktualisht po kalojmë një moment mjaft të mirë si skuadër, çka e vërtetojnë edhe rezultatet e deritanishme. Faza e dytë ka qenë më e mirë për skuadrën tonë, porse nuk duhet të vetëkënaqemi, pasi përpara kemi mjaft rrugë për të bërë. Teuta ka synim të shpallet sërish nënkampione e vendit, por që t’ia dalim duhet të punojmë sa më shumë. Momentalisht gëzojmë një formë të mirë dhe po presim me padurim ndeshjen e radhës. Është e vërtetë. Kohët e fundit kam arritur të shënoj rregullisht. Jam i lumtur për këtë, porse më intereson më shumë ecuria e skuadrës se sa ajo personale. Gjithsesi, unë do të përpiqem të jap më të mirën për skuadrën dhe premtoj se do të shënoj edhe më shpesh. Synimi im ishte të shënoja 10 gola gjatë këtij kampionati. Tetë gola i kam shënuar, por nuk do ndalem këtu.” Teuta kësaj here pret Kastriotin në “Niko Dovana”: “Është një përballje shumë e vështirë, pasi tani nuk ka më skuadra të dobëta dhe të forta. Kastrioti mbetet një nga skuadrat më të vështira për t’u mundur. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, e cila duhet marrë shumë seriozisht. Gjithsesi, jam i sigurt se të gjithë do t’i japin rëndësinë e duhur kësaj përballje dhe do të japin më të mirën për ta fituar. Ne jemi të detyruar për ta fituar këtë ndeshje, por edhe të tjerat që do të pasojnë. Do të japim maksimumin dhe besoj se do të marrim 3 pikët në këtë duel.”

Previous articleMë sill pak det!
Next articleHodo: Me krutanët test i vështirë