Home Kronika Dalin detaje nga ngjarja në Kamëz/ Hodhi gruan nga kati i tretë,...

Dalin detaje nga ngjarja në Kamëz/ Hodhi gruan nga kati i tretë, e kërcënoi të dëshmonte se ra duke nderë rrobat

Dilaver Idrizi, 61 vjeç dhunonte gruan e tij prej vitesh, që nga viti 2009 kur dyshja lidhën kurorë, por kulmi ishte pas 8 marsit të këtij viti. Historia horror nisi kur gruas i erdhën mesazhe urimi, duke shkaktuar xhelozinë e shfrenuar të bashkëjetuesit, Dilaver Idrizi.

Numri ku erdhën mesazhet e urimit ishte i Idrizit, pasi gruaja nuk kishte telefon dhe ajo e kishte lënë si kontakt në një shoqatë bamirësie për ndihma. Pikërisht kjo shoqatë i dërgoi urime për festën e gruas. Pas debatit për mesazhet, burri ka rrahur gruan pa pushim me grushte, shkelma dhe rrip pantallonash. Ndërsa e kërcënonte me fjalët: Nuk do të dalësh e gjallë nga kjo shtëpi dhe do të të vras.

Më pas, Idrizi e ka shtyrë të shoqen dhe e ka hedhur nga ballkoni i katit të tretë. Gruaja u dërgua në spital, u mbajt në reanimacion në gjendje të rëndë dhe e monitoruar jo vetëm nga mjekët por edhe nga dhunuesi. Pas ka filluar të shërohet, gruaja është pyetur se si u rrëzua nga ballkoni por para policisë ka treguar se nuk mban mend asgjë.

Bashkëjetuesi i saj ndërkohë e kishte kërcënuar paraprakisht gruan dhe fëmijët e saj se duhet të thonin se ajo është rrëzuar duke nderë rrobat në tel. Dilaver Idrizi ka qendruar në çdo moment pranë bashkëjetueses së tij për të mos i lënë mundësi të fliste dhe tregonte.

Dyshuese, e bija ka tentuar të sigurojë privatësi me të ëmën, por Idrizi nuk e linte asnjëherë në prani të dikujt tjetër. Në një çast e mbetur vetëm ajo i rrëfeu së bijës se i shoqi i kërkoi të tregonte se po nderte rrobat në tel dhe se u rrëzua pa dashje, kur në fakt e kishte shtyrë ai.

“Ai mbylli dyer dhe dritare që mos të na dëgjonin komshinjtë, nisi të më qëllojë me rripin e pantallonave dhe më tha se nuk do dilja e gjallë nga shtëpia. I kërkova ujë pasi nuk po ndihesha mirë, por ai mori gotën me ujë dhe ma hodhi në fytyrë. Aty kam humbur ndjenjat e s’mbaj mend asgjë,”- i tregon ajo të bijës.

Ishte e bija ajo që bëri denoncimin dhe tregoi se agresori i së ëmës i qëndronte pranë në spital me shpresën se kur të zgjohej ajo nuk do tregonte. Vajza tregon para policisë se kur e pyeti të ëmën çfarë kishte ndodhur kishte ndërhyrë bashkëjetuesi i saj duke e urdhëruar, “mos e pyet se është e lodhur”.

Gruaja ishte dhunuar nga bashkëjetuesi i saj që në fillim të lidhjes por ishte munduar ta mbante lidhjen për shkak të fëmijëve. Edhe fëmijët kanë qenë prezent të dhunës ndaj mamasë së tyre. Vajza, e cila tashmë është e martuar ka dhënë më shumë detaje nga situatat midis çiftit ndërsa vëllai i saj vazhdon studimet në Turqi. Pas rrëfimeve Idrizi është vënë në pranga.