Home Kosova Dakordësimi i Kurtit për planin e BE-së/ Çitaku: Pika 7 e marrëveshjes...

Dakordësimi i Kurtit për planin e BE-së/ Çitaku: Pika 7 e marrëveshjes i jep autonomi serbëve! Kurti ka bërë përllogaritje të gabuara

 Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar sërish për vendimin e marrë nga kryeministrti Albin Kurti në takimin e 6 shkurtit në Bruksel me presidentin serb Alksandër Vuçiç, ku u dakordësua me planin e propozuar nga BE me 11 nene, ku përfshihet edhe ai i Asosacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas Çitakut, kreu i qeverisë së Kosovës nuk i ka bërë përllogaritjet siç duhet duke u dakordësuar me planin, teksa veçon nenin 7 të Propozimit të BE, i cili sipas saj tregon më shumë përfitime për serbët se Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Në një intervistë për median kosovare, ‘KosovaPress’, Çitaku thotë se Kurti ka vazhduar status-quon me Serbinë, ndërsa shton se s’ka asgjë konkrete për përfitimet e Kosovës nga marrëveshja e dakoduar me Serbinë.

Neni 7 e hap Pakon gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari, pako mbi të cilin është ndërtuar rendi kushtetues dhe ligjor në Kosovë. Kjo është e para, flet për një autonomi për serbët e Kosovës dhe e dyta, elementi i ri ishte çështja e Kishës Ortodokse Serbe. Ne besojmë që kjo çështje është rregulluar shumë mirë me pakon e presidentit Ahtisari dhe infrastrukturën ligjore ekzistuese në Kosovë. Tendencat janë që të krijohet një etnitet të ngjashëm me atë që e kemi parë në Mal të Zi, kjo është e qartë se kryeministri është dakorduar për këtë çështje. Pika e 11 flet për aneksin e implementimit dhe është e qartë se palët janë pajtuar edhe për këtë çështje… Autonomia e tejkalon Asociacionin, nuk ka fije dyshimi. Për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin ekziston një nen i veçantë në kuadër të dokumentit”, thotë ajo.

Gjithashtu, Çitaku thotë se s’ka asnjë element në këtë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen de-facto, e aq më pak atë de-jure.

Në këtë formë de-facto Serbia e ka njohur Kosovën që nga vitit 1999, Serbia nuk qeverisë me Kosovës. Serbia ka pranuar dokumentet tona të udhëtimit, po harroni se ne kemi një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufirit. S’ka kufi me një shtet të cilin e konsideron kushtimisht pjesë tënden. Nuk ka element të ri në këtë marrëveshje që do të nënkuptonte njohje de-jure apo de-facto. E vetmja gjë e re është se dy palët janë zotuar se dialogu të vazhdojë, e sa do të vazhdojë dhe sa vite do t’i humbas Kosova në këtë proces mbetet të shihet”, deklaron Çitaku.

Sipas saj, Kurti e ka degraduar dialogun me Serbinë përmes sjelljeve të tij të gabuara në këtë proces.

Tash do të kemi një status-qou të re, kryeministri ka bërë një kalkulim të gabuar, ka menduar se duke rihapur marrëveshjet e vjetra do të ndryshojë formatin e dialogut dhe rezultatin. Por fatkeqësisht ai vetëm e ka degraduar atë dhe ne sot kemi një marrëveshje që do të prodhojë një status qou të re, mirëpo nuk e përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë”, shton ajo.

Ndërkaq, ajo vë në mëdyshje edhe përfitimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare pas kësaj ujdie.

Nuk kishte asgjë konkrete në atë draft-marrëveshje të dakorduar për përfitimet e mundshme të Kosovës në këtë proces. Stigma, fjalia që Serbia nuk do të pengojë Kosovën në integrimet evropiane ka ekzistuar edhe në marrëveshjet e mëhershme. Por çka e pengon Kosovën në integrimet evropiane nuk është Serbia, por pesë vendet e BE-së jo njohëse. Çka e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB nuk është Serbia, por Rusia dhe Kina që kanë veto”, deklaroi Çitaku.

Takimi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan më 6 shkurt në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në përfundim të takimit nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe bisedimet për çështjen u shtynë më 18 Mars në Maqedoninë e Veriut. Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë. Kurti dhe Vuçiç takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët. Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre  të gjashtin me radhë si më të rëndësishmin. Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre që në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.

Previous articleKalaja e Rozafës, pjesë e një cikli televiziv në median prestigjoze spanjolle RTVE
Next articleMinistri i mbrojtjes letër BE-së: Ukrainës i duhen 250 mijë predha artilerie në muaj