Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nuk ka hezituar të flasë me emra konkret gjyqtarësh e prokurorësh që, sipas tij, kanë dhënë vendime ‘skandaloze’ duke lënë të lirë persona të cilët janë kapur në flagrancë në shkelje të ligjit. Në një konferencë për shtyp pas ngjarjeve të fundit të regjistruara në vend, Çuçi përmendi Prokuroren e Shkodrës Edlira Cufi, Prokuroren e Vlorës Elona Alvora, Gjyqtarin e Vlorës Albert Spiro dhe Prokurorin e Fierit Erind Rahovica dhe Gjyqtarin Pirro Sota si ‘shembuj’ se kanë dhënë vendime lehtësuese për kriminelë të kapur në flagrancë.
“Fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie. Ose, nga ana tjetër, pavarësisht shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë. Këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë”, tha ministri.