Home Opinion Ç’pati Berisha që sulmoi kandidatin potencial për president të SHBA?

Ç’pati Berisha që sulmoi kandidatin potencial për president të SHBA?

Nga Ylli Pata

Debati te Fevziu pas intervistës së ambasadores Yuri Kim, mori një drejtim paksa surreal, duke kërkuar “qëndrime të reja” apo “zhvillime të freskëta”.

E për ta komplikuar situatëm shërbeu qëndrimi skeptik apo edhe kritik i Baton Haxhiut ndaj disa prej deklarimeve të ambasadores amerikane.

E siç ndodh shpesh, kur i marrin pikëpamjet e Batonit si ato të Ramës, u shoshit me një vrull më të madh, teza e “ndryshimit të qëndrimit amerikan në lidhje me politikën shqiptare.

Zelli për ta qasur takimin e ambasadores së SHBA me Ilir Metën si një “risi”, dukej më shumë i sforcuar sesa një realitet faktik.

Kjo pasi, kontaktet e ambasadores Yuri Kim me partinë e Ilir Metës mund të quhen të “reja”, vetëm se i ri është emri i partisë që deri në fund të korrikut quhej LSI. Pikërisht në atë zyrë ku Meta priti ambasadoren amerikane, para pak kohësh, diplomatja e SHBA është takuar disa herë me të shoqen e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, e cila mbante postin e kryetares së një partie parlamentare.

Marrja për “zhvillim të ri”, cekja e temës së kriminalitetit, që u mëshua fort nga ambasadorja Yuri Kim, edhe mund të konsiderohet, por faktikisht kjo mënyrë e qëndrimit të qeverisë amerikane është përsëritur herë pas here.

Kushdo i mban mend deklaratat e ambasadorit Donald Lu, i cili përmendte me emra të përveçëm Emiljano Shullazin, Met Kananin, apo edhe emra të tjerë të baronëve të krimit shqiptar.

Gjithsesi, secili mund të gjejë variacione mbi temën sipas asaj që e shikon dhe e mendon, megjithëse duket se ajo që ambasadorja Yuri Kim ceku fuqishëm në intervistën e Fevziut, ishte fakti i lidhjes së disa qarqeve mediatike dhe politike të Tiranës me influencën ruse, e cila siç tha është paguar me para.

Kur këtë deklaratë e thotë prej vitesh avokat Ngjela, shumë nga mbështetësve mediatikë të Berishës dhe Metës e kanë tallur e përqeshur. E ky konfirmim i deklaratës së avokatit nga një nivel kaq i lartë zyrtar i SHBA, tregon se analiza e Ngjelës ka pasur më shumë bazë e fuqi parashikuese.

Nejse, përveç këtij debati për “qëndrimin e ri amerikan”, ajo që u vu re sot, ishte pikërisht irritimi i madh i Sali Berishës me intervistën e ambasadores Yuri Kim. Ky irritim është vërtetë një zhvillim, pasi ambasadorja nuk foli fare personalisht për Berishën. Ajo thjesht përmendi qëndrimin e qeverisë së saj se “ne nuk takohemi me ata që janë shpallur Non Grata. E kjo dihet tashmë, e s’ka nevojë të përsëritet shpesh e shpesh. Iluzioni që disa mbështetës të Foltores përhapën gjatë betejës me Lulzim Bashën se efekti i Non Gratës tashmë “është shkrirë”, natyrisht që do të ishte i tillë dhe asnjëherë nuk do të përbënte një “tokë” për të humburit në mes të oqeanit, që e shohin nga dëshira e madhe për të gjetur një breg.

Po pse atëherë u irritua Sali Berisha kaq shumë? Dy duket se janë arsyet, duke parë edhe rrjedhjen e gjërave jo të reja, por që ecin bashkë me kohën, e cila nuk pyet për askënd apo për propagandën frenetike të paneleve të darkës.

Duket qartë se Sali Berisha ka pritur edhe pret një qëndrim linear në lidhje me SHBA-në dhe ambasadoren amerikane në Tiranë, në radhë të parë nga Ilir Meta. Ekzistenca e dy qëndrimeve në “çiftin e tyre politik”, duket nuk i vyen fare doktorit. Pasi, Sali Berisha e ka bazuar betejën e tij pas Non Gratës, për të mbajtur të karikuar një elektorat radikal, që të jetë i “dehur” me qëndrimet e egra antiamerikane. Por, siç po shihet, gjithnjë, e përditë e më shumë, kjo masë njerëzish po zbehet e zvogëlohet.

Në Partinë Demokratike po kthjellohen ujrat, që sipas gjasave do të pastrohen edhe më shumë me zhvillimet jo vetëm politike, por edhe ato të hetimeve nga SPAK.

Berisha synon të provokojë Ilir Metën me sulmet e tij radikale ndaj SHBA dhe ambasadores Yuri Kim, në mënyrë që të mbajë hapur një debat që duket se gjithnjë e më shumë është mbyllur. Duke e yshtur të afrohet te ai banak, ku një vit më pare s’la gjë pa thënë.

Nga ana tjetër, sot Sali Berisha, krejt papritur ka sulmuar ashpër Mike Pompeon, ish-Sekretarin e Shtetit dhe ish-shefin e CIA-s nën presidencën e Donald Trump. Ai e akuzoi atë se “rri me mafiozë”, duke përmendur Taulant Ballën e Alket Hysenin. Dy politikanë të lartë të mazhorancës, ku asnjëri, nuk ka ndonjë ndalim prej SHBA apo Britanisë së Madhe, si vetë Berisha.

Por, ka gjasa gjithashtu se sulmi ndaj Pompeos, të ketë ndikim prej ndonjë bisede që krejt natyrishëm ish-Sekretari i Shtetit ta ketë bërë me ambjentet politike të Partisë Republikane Amerikane, në lidhje me situatën në Shqipëri. Ku natyrisht që mund të ketë zënë vend edhe Berisha.

Shpresa për një mbështetje nga sallone politike republikane, sado e vogël të jetë ajo, duket është ventitur përfundimisht. E kështu sulmoi egër Pompeon, i cili është edhe një kandidat potencial i republikanëve për President i SHBA në fushatën e 2024-s. Duke e mbyllur keq me të dy krahët e politikës amerikane.

E meqë ra fjala te intervista e ambasadores, ajo që ajo tha më qartë, ishte pikërisht rreziku se një politikë ndryshe mund ta devijonte Shqipërinë nga aleanca me Perëndimin.

“Është koha që populli shqiptar dhe qeveria shqitpare të zgjedhin përsëri se cilën rrugë do të zgjidhni. Mendojmë se rruga është përpara drejt të ardhmes, drejt perëndimit…”, deklaroi ambasadorja e SHBA-së, duke përmendur në mënyrë eksplicite vitin 1997, si një kohë kur nga Sali Berisha ishte përgatitur “Plani B”.

E sipas gjasave, pikërisht për këtë gjë, në mënyrë zyrtare e logjike, ambasadorja Kim mund ta ketë pyetur Ilir Metën si “kryetar i ri” i “një partie të re” se çfarë mendimi ka ai për aleancën me SHBA dhe Perëndimin. Po për këtë, asnjëri nuk foli mbrëmë….

Previous articleAneksimi i rajoneve nga Rusia, vjen paralajmërimi i fortë nga Ukraina: Ja çfarë do të ndodhë tashmë
Next article“Yuri Kim foli si kryeministre e Shqipërisë”, Baton Haxhiu kritika ndaj ambasadores amerikane