Home Ekonomia Çmimet e reja të referencave, ndërtuesit bojkotojnë punën!

Çmimet e reja të referencave, ndërtuesit bojkotojnë punën!

Ndërtuesit paralajmërojnë se do të ndërpresin punën për një ditë, në shenjë proteste, ndaj vendimit të fundit të qeverisë e cila rriti çmimet e referencës për ndërtesat, vetëm për Tiranën.

Erjon Harizi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve i ftuar në E-ZONE tha se shoqata nuk kundërshton rishikimin e çmimeve minimale fiskale, por efektet parapavepruese që ky vendim jep.

“Çmimet e referencave të rritura me 50 deri në 70 % në Tiranë janë vetëm maja e ajsbergut të efekteve që do të sjellë më tej në treg. Ne nuk kundërshtojmë në vetvete rishikimin apo rifreskimin e tyre, por ky vendim ka efekte të menjëhershme edhe tek ato leje ndërtimi që janë në proces zbardhjeje. Pra, ne jemi të befasuar dhe të papërgatitur pasi me këtë VKM do të duhet të pagujmë shumë më shumë taska në shtet, kur ndërkohë janë bërë planet e biznesit”, u shpreh Harizi.

Harizi thotë se me këto ndryshime preken rrjedhimisht katër taksa, ajo e ndikimit në infrastrukturë,  strehimit social, tatim fitimi si dhe taksa e sigurimit. Këto kosto rrisin minimalisht me 100 euro për metër katrorë çmimin final të banesave.

“Kjo VKM sjell edhe një pabarazi në treg, sepse ato leje që janë zbardhur para hyrjes në fuqi të këtij ligji do të kenë kosto më të ulet. Për rrjedhojë edhe çmimet finale në treg për të njëjtën zonë do të konkurojnë në mënyrë të padrejtë. Vendime të tilla në mes të vitit janë të padrejta dhe çorietojnë planet e biznesetit”, sqaroi Harizi në E-ZONE.

Previous articleNga Luiz Ejlli e deri tek Blendi Fevziu, ja kush ishin 15 personazhet më të ndjekur në Instagram gjatë muajit të kaluar
Next articleNisma e veçantë! Autobusi rozë nis sot ‘rrugëtimin’ në rrugët e Prishtinës, ofron mamografi falas