Home Kulture ÇIZMET – Tregim i jetuar

ÇIZMET – Tregim i jetuar

Nga Zyba HYsa 
S’mbaj mend, se çfarë këpucësh vishja kur shkoja në shkollë, por e mbaj mend mirë, që, sa herë binte shi, këmbët më njomeshin dhe gjithë ditën në shkollë dridhesha nga të ftohtit. Kjo më bënte që të shikoja me zili, shoqen time, Behijen, e cila kishte një palë çizme që shkëlqenin dhe në shkëlqimin e tyre dalloja qartë ngrohtësinë që kishte shoqja ime e pse jashtë binte shi, apo dëborë.
Kjo më bënte, që çdo darkë t’i afrohesha babës dhe të rrija si mbi gjemba, se nuk guxoja të flisja, por një ditë, teksa u ktheva nga shkolla, ai më pikasi që doja t’i kerkoja diçka, ndaj më vuri duar mbi supe e tha:
– Fol, pse ke frikë?
– Nuk kam frikë, – i thashë unë, – por e di përgjigjen tënde…
Në atë kohë ishim një familje e madhe, e cila funksiononte si një shtet i vogël dhe çdo gjë bëhej me plan; edhe punët, edhe festimet, edhe shitjet, edhe blerjet… Një gjë nuk harroj, çdo Bajram, të gjithë vishnim rroba të reja, të cilat i priste dhe i qepte nëna ime, artiste, ndaj dhe pse copat i kishin njëlloj me fëmijët e xhaxhallarëve, ne na rrinin bukur. Asnjë nga vëllezërit (xhaxhallarët dhe baba) nuk guxonin të blinin diçka që s’e kishin të gjithë, ndaj unë e dija përgjigjen edhe po t’i thosha babës, por dëshira ime ishte më e madhe se përgjigjja, ndaj i thashë:
– Babë, ti e di që kam shoqe Behijen Roçin, vajzën e vëllait të nënës së Xanit, Arifit,
ajo vishet me çizme dhe rri ngrohtë në shkollë, sa do doja të kisha një palë çizme si ajo…
– E di ti, që Behija s’është e bija e Arif Roçit, pavarësisht se ai e ka rritur, se nuk ka
pasur fëmijë, por e të vëllait, Mehmetit, që është ofiçer në Elbasan, ai ka edhe një vajzë tjetër, e cila është binjake me Behijen, Drita, e quajnë dhe sa herë blenë për Dritën, blenë edhe për Behijen…
– Do të thuash që po bleva unë, duhet të blejnë të gjithë fëmijët!
– Ti je e mençur, bijë e babës… – Tha dhe më përqafoi dhe si zakonisht më foli rrëzë veshit: “Mos u mërzit, baba të do shumë!”
Qëndrova pak çaste në krahët e tij, u ngrita dhe dola jashtë dhe hipa mbi një gurë të madh në anë të arës e përhumba në peisazhet marramendëse të vendlindjes, ku herë vështroja lart nga Shebeniku, herë përballë, nga “Guri i Skënderbeut” mbi fshatin Dardhë dhe herë nga lugina magjike e Shkumbinit…
Kishin kaluar ditë dhe ëndrra për të pasur një palë çizme, u fik si shumë ëndrra çmendake që më vinin e më zgjonin dëshira marroke…
Një natë, pasi të gjithë ranë në gjumë, edhe unë isha shtrirë e zënë pa zënë gjumi, baba më prek supin dhe pasi hapa sytë, ma bëri me shenjë të ngrihesha. U ngrita me të shpejtë, se mendova se mos ishte sëmurë, por sapo u afruam tek vatra që ishte ende e ndezur, më vuri në prehër një palë çizme të zeza me shkëlqim. Në vend të merrja çizmet, fërkova sytë, se mendova se isha në ëndërr, por ai më foli me zë të ulët:
– Merri bijë, vishi t’i shikoj si të rrinë!
– Më ke sjellë çizme!?
– Ti bleva, bijë, ti kurrë s’kërkon gjë, ndaj më mbeti në mendje dhe sa herë shkoja në
Korçë për të shitur pemë, më dilnin para sytë e tu që kurrë nuk i kisha parë ashtu…
– S’më besohet që i kam çizmet!
– Vishi, ti shikojë baba!
– U ngrita dhe u derdha në qafë dhe çizmet për pak ranë në zjarr, por për mua pak
rëndësi kishin çizmet, ajo që bëri baba për mua, ishtë thesar i gjithë botës.
– Vishi, moj bijë!
– Unë i kisha harruar… – Thashë dhe i afrova çizmet, u mora erë, zakon që e kam
edhe kur marr librat për t’i lexuar, para se t’i hap, u marr erë, i vesha dhe s’besoj se unë kam qenë më e lumtur se baba, se në sytë e tij dallova lot gëzimi… por baba shtoi:
– Bijë, vishi në shtëpi, loz, kërce, bëj çfarë të duash, por jashtë s’do të dalësh me to
veshur, se…
– E di babë, e di… s’është mirë, unë t’i kem e tjerët të më shikojnë mua e të mos kenë
mundësi t’i blejnë.
– Nuk është puna që s’kemi t’i blejmë, por duhet t’i blejë i pari i shtëpisë…
Nga ajo ditë çizmet i vishja, lozja, ecja, kërceja dhe në darkë i mbështillja me një rrobë dhe i vendosja nën dyshek…
TIRANË, MË 17 QERSHOR 2021