Home Sport “Cilësi, përkushtim & krenari për fanelën kuqezi”, Salihi dhe Agolli rrëfejnë ditët...

“Cilësi, përkushtim & krenari për fanelën kuqezi”, Salihi dhe Agolli rrëfejnë ditët amerikane të seleksionimit…

Për tre muaj me radhë departamenti i ekipeve kombëtare në FSHF në bashkëpunim me drejtorinë teknike dhe skautët e FSHF-së në SHBA kanë punuar përmes aplikimeve për të përpiluar listat e lojtarëve, që kishin aplikuar për të marrë pjesë në këtë seleksionim, që u zhvillua në datat 20-21 maj 2023 në zonën e Nju Xhersit.

Grupi organizator që udhëhoqi këtë stazh stërvitor përbëhej nga zv.trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi, ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, drejtori teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, përgjegjësi për futbollin e vajzave në FSHF, Florian Riza, si edhe Daniel Xhafa, Fation Serhati, Zamira Tabaku, Riza Uka, Elton Mara dhe Skënder Driza.

Në dy ditë janë testuar të gjithë lojtarët përmes seancave stërvitore dhe ndeshjet e kontrollit, ndërsa përshtypjet e stafit për vlerat dhe përkushtimin e lojtarëve kanë qenë mjaft pozitive dhe në këtë grup janë evidentuar futbollistë që premtojnë për të ardhmen e do të mbahen në monitorim të vazhdueshëm.

Zv.trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi, flet me nota pozitive për organizimin për herë të parë këtij seleksionimi, duke falënderuar edhe prindërit e futbollistëve për përkushtimin dhe seriozitetin që kanë treguar.

“Në radhë të parë jemi shumë të kënaqur për përgjigjen pozitive nga të gjithë prindërit për të marrë pjesë në këtë seleksionim. Kanë qenë mbi 120 fëmijë, që erdhën këtu dhe organizimi ka shkuar shumë mirë, i gjithë stafi i angazhuar ka bërë një punë të madhe.

Nga aspekti sportiv besoj se kemi përfituar shumë nga ky seleksionim dhe duke qenë se ishte hera e parë që bëhej këtu. Tashmë kemi marrë informacionin e duhur për lojtarët e rinj që duhet të mbahen në vëzhgim për të ardhmen dhe në të njëjtën kohë krijojmë një ide të qartë për atë që në na pret këtu në SHBA për të gjetur elemente që t’i shërbejnë ekipeve kombëtare të Shqipërisë”,- thotë Salihi për Fshf.org, ndërsa konfirmon se stafi ka përgatitur një listë me emrat e elementëve që do të mbahen në monitorim të vazhdueshëm për të parë progresin e tyre.

“Në ditën e parë kemi vëzhguar në ditën e parë lojtarët e vitlindjes 2005, 2006 e 2007, ndërsa në ditën e dytë lojtarët e vitlindjes 2008 e 2009 dhe te secili grup ka lojtarë me të dhëna shumë të mira e që besoj që do të rriten edhe më shumë për t’i shërbyer ekipeve kombëtare. Kemi krijuar një listë me emra lojtarësh, që mbase tani nuk janë plotësisht gati, por duhen të mbahen në vëzhgim për të parë progresin e tyre, pasi ne besojmë se do të rriten dhe mund të bëhen futbollistë të rëndësishëm edhe për ne”,- thekson zv.trajneri i Kombëtares, duke shtuar: “Duke qenë se në vendet e tjera të Europës janë zhvilluar seleksionime të tilla dhe FSHF ka më shumë informacion për lojtarët që janë në Itali, Greqi, Gjermani, Zvicër, në SHBA kjo është hera e parë që bëhej dhe në pak ditë pati shumë aplikime.

Edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili ishte pjesë e stafit organizator, vlerëson këtë iniciativë dhe përshtypjet e marra nga testi i lojtarëve që morën pjesë në këtë seleksionim të parë në tokën amerikane.

“Duke qenë se ishte hera e parë që zhvillohej një seleksionim në SHBA jam shumë i kënaqur me ecurinë dhe për organizimin. Kemi pasur aplikime thuajse nga çdo shtet i Amerikës dhe nga Kanadaja. Në mënyrë simbolike, kishim një Shqipëri të vogël në Nju Jork gjatë seleksionimit. Nuk ishte e lehtë të organizosh aktivitet të tilla në një vend si Amerika, që ka një territor kaq të madh, megjithatë jam shumë i kënaqur nga pjesëmarrja dhe nga cilësia që këta lojtarë shfaqën, duke na dhënë përshtypje të mira”,- thotë Agolli për Fshf.org, duke shtuar se futbolli në SHBA ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe se në të ardhmen pritet të ketë gjithnjë e më shumë shqiptarë të cilët mund të jenë të vlefshëm për ekipet kombëtare të Shqipërisë.

Departamenti i ekipeve kombëtare ka mbledhur tashmë të gjitha dhënat e nevojshme dhe ka përpiluar listat me emrat e futbollistëve, të cilët do të mbahen në vëzhgim, teksa kjo nisëm e FSHF-së vjen si një rrjedhojë e kërkesave të komunitetit shqiptar në SHBA dhe rritjes së numrit të lojtarëve të perspektivës që jetojnë atje, djem e vajza, të cilët duan të provojnë shanset për të luajtur me ekipet Kombëtare të Shqipërisë.

Previous articleGoditet banda e drogës në Spanjë/ 31 të arrestuar, organizata drejtohej nga 2 shqiptarë, DETAJET: Ishin të mirëogranizuar, hetimi nisi që në 2022
Next articleOltsen Gripshi: Roli i kuratorit në Shqipëri i keqkuptuar, jo thjesht një emër, por një profesion i mirëfilltë