Home Politike Çfarë po nuhat Edi Rama në PS?

Çfarë po nuhat Edi Rama në PS?

Socialistët shkarkuan me një të ngritur kartonësh në Kongresin e fundit gjithë kryetarët lokalë në nivel bashkie.

Në dukje procesi duket rutinë, sikur është një përpjekje për organizim sipërfaqësor.

Por jo!

Edi Rama që u rrit politikisht në partinë ku struktura kishte themel me hirearki, pas disa vitesh në qeverisje ka nevojë për kryetarë të fortë në bazë, ndryshe partia mund të fluturojë në sensin e gravitetit.

Duke qenë se gjithë këto vite kishte përballë Bashën dhe një LSI që e çoi së fundmi “për skrap”.

Rama nuk u kujdes që strukturat lokale të partisë, të kishin kryetarë që i bënin hije  kryetarëve të bashkive, sepse nuk kishte nevojë për shumë protagonistë.

Betejat sidomos lokale për shkak të opozitës së dobët u kaluan pa shumë kosto, madje edhe me fitore në zgjedhjet e vetmuara lokale të qershorit 2019.

Tani situata ka ndryshuar, për shkak të dy faktorëve.

Së pari, përballë, Rama ndjen se po i vijnë dy aktorë “të bezdisshëm” politikë për të, që në distancë po mprehin shpatat për politikë skalionesh. Dhe ata janë dyshja e palodhur për “sherr”, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Së dyti Rama vuri re, siç edhe vetë i lëshoi kritikat publike, se kryetarët e bashkive nuk arritën të jenë çadra edhe e partisë edhe e qytetarëve.

Ndaj me fushatën e fundit për të zgjedhur kryetarë të rinj partie në bazë, kryesocialisti po bëhet gati të ndajë partinë nga ofiqet qeverisëse.

Sot Ramës i duhen kryetarë të fortë partie në bazë që t’i kenë “frike” edhe krerët e bashkive, pasi kështu mund ta ketë më të thjeshtë të kuptojë sesi lëviz lakmuesi elektoral. (Jo gjithmonë të zgjedhurit I tregojnë kryetarit çdo gjë që ndodh në bazë).

Rasti i bashkisë së Tiranës është edhe me specifik, kur peshat për garat politike së fundmi shpesh ju varen në qafë drejtuesit politik Erion Veliaj që nuk ishte kryetar lokal i PS. Apo pak më herët Ervin Bushatit ose edhe Elisa Spiropalit.

Por pyetja për një parti si PS mbetet. Kush do të jetë kryetar i PS në Tiranë? A do të jetë ai i parapërzgjedhuri për të synuar edhe partinë?

Tirana që vitin e ardhshëm ka sërish zgjedhje lokale e bën Ramën të vëmendshëm për rezultatin që do të marrë.

Jo vetëm se PS ka në kurriz edhe konsum politik, por sepse Tirana është policentrike, siç Rama e konceptoi kur ishte kryebashkiak dhe do i duhet një kryetar partie në nivel bashkie që nuancat e pushtetit t’i amortizojë në bazë me lezet, duke mbajtur anëtarësinë e duke i shkelur syrin edhe drejtuesve që mund të mbeten të pakënaqur nga ndarja e funksioneve të partisë me postet ekzekutive lokale apo qendrore. Sido që të jetë, Tirana është me e madhja, prodhon numrin më të madh të deputetëve në parlament dhe strehon 1 milion banorë.

Ndaj kreu i ri i PS-së Tiranë duhet të ketë kurriz aq të fortë, sa të mbajë në shpinë kryqin e socialistëve për ambicie fituese./ SI