Home Politike Çfarë po ndodh brenda PD/ Alibeaj mund të zëvendësohet nga Bardhi në...

Çfarë po ndodh brenda PD/ Alibeaj mund të zëvendësohet nga Bardhi në postin e kreut të grupit demokrat?

Me idenë për të frenuar rrjedhjet e deputetëve demokrat drejt “Rithemelimit” të z.Sali Berisha dhe me qëllimin për ta mbajtur të bashkuar grupin parlamentar demokrat, deri sa gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë, Enkelejd Alibeaj po mendon të gjejë një zgjidhje pragmatike brenda të vetëve, duke e gjykuar si të domosdoshme dorëheqjen si kryetar i grupit demokrat dhe zëvendësimin e tij në këtë post nga z.Gazment Bardhi.

Burime konfidenciale brenda PD-së zyrtare thanë për Liberale.al se z.Alibeaj mund të japë dorëheqjen si kryetar i grupit demokrat për t’u zëvendësuar nga z.Bardhi. Nga i njëjti burim, mësohet se Alibeaj, në rolin e kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike, do të udhëheqë fushatën vendore për 61 bashkitë e vendit.

Nisur nga zhvillimet e fundit që kanë ndodhur brenda grupit demokrat, Gazment Bardhi është parë si një nga figurat më unifikuese të këtij grupi në Partinë Demokratike zyrtare dhe si e vetmja mundësi që mund të ndalojë çdo rrjedhje deputetësh për nga “Rithemelimi” i z.Berisha.

Lufta për kreun e grupit parlamentar demokrat detyroi Enkelejd Alibeajn të marrë vendimin për të përjashtuar nga ky grup katër deputetë, përveç Belind Këlliçit, edhe Tritan Shehun, Agron Shehajn e Oerd Bylykbashin. Referuar po burimeve të selisë blu, mësohet se ka pasur një shumicë brenda grupit demokrat, e cila ka kërkuar zëvendësimin e Alibeajt në krye të tij me një tjetër figurë, atë të Ervin Salianjit.

Pikërisht kjo gjë, mund të ketë vënë në lëvizje Alibeajn, për të ndërmarrë hapin, nën arsyetimin e një afati që ishte vendosur një vit më parë, më 10 janar 2023, nga Kryesia e Partisë Demokratike dhe që është konfirmuar nga Këshilli Kombëtar dhe më tej nga Grupi Parlamentar, në mbledhjen e datës 15 janar 2022.Vendimi ishte i tillë, që të katër deputetëve, do t’u jepet afat kohor një-vjeçar, për t’u distancuar nga ngjarjet e ndodhura më 8 janar 2022, gjatë një proteste të grupimit Berisha brenda oborrit të selisë së demokratëve, kur edhe mbështetësit e Berishës mësynë godinën.

Më parë nga grupi, pikërisht mbi rreshtimin pro këtyre akteve, ishin përjashtuar nga Grupi Parlamentar deputetët Albana Vokshi, Edmond Spaho, Flamur Noka dhe Luan Baçi.

Ndarja përfundimtare e PD-së në dy kampe ishte lajmëruar prej kohësh, por mori formë të prerë me largimin e Lulzim Bashës, si kryetar i kësaj force politike.

Kjo gjë, i hapi rrugë një procesi të zhvilluar nga Berisha, për zgjedhjen fillimit të strukturave e më pas edhe të kryetarit, garë të cilën ai vetë e fitoi. Grupimi i Alibeajt gjithsesi nuk e njohu garën dhe e quajti fiktive atë, duke i dalë kundër edhe fitores së Berishës. Pavarësisht këtij fakti, ishte Gjykata e Tiranës, ajo e cila fillimisht i dha të drejtë Berishës dhe ndryshimeve statutore që ai kreu në një Kuvend të mbajtur më 11 dhjetor 2021.

Alibeaj e apeloi çështjen, por gjykata shqiptare ende nuk ka dhënë një vendim të formës së prerë./Liberale.al

Previous articleSituata me COVID-19/ MSH: Asnjë humbje jete dhe 13 infektime të reja në 24 orët e fundit
Next articleArtan Hoxha mbi fatin e Ervis Martinajt: Pas zhdukjes së tij atentatet u ndërprenë