Home Politike Celibashi për zgjedhjet e 14 majit: Kandidatët të jenë pa rekorde kriminale,...

Celibashi për zgjedhjet e 14 majit: Kandidatët të jenë pa rekorde kriminale, rrezikohet korrupsion

Kreu i Komisionit Qëndror Zgjedhor Ilirjan Celibashi ka prekur disa probleme që shoqërojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Në një bisedim me temë “Mbrojtja e integritetit zgjedhor në Shqipëri”, Celibashi u shpreh se në zgjedhjet e 14 majit, është e rëndësishme që kandidatët duhet të jenë individë me integritet si dhe pa asnjë rekord kriminal.

“Thelbësore është që kandidatët që do t’u paraqiten qytetarëve të jenë individë të përshtatshëm e me integritet që t’u shërbejnë interesave të zgjedhësve. Një kandidat i përshtatshëm zotëron kualifikime zotësitë dhe atributet e nevojshme për të mbajtur poste publike, janë individë që kanë një histori të dëshmuar të sjelljes së tyre etike, integritetit dhe respektit për shtetin e së drejtës. Dikush që është i aftë të marrë vendime që të ndihmojë e bashkëpunojë me zgjedhësit. Zgjedhja e kandidatëve të pastër ligjërisht është thelbësore për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike. Këta individë kanë më shumë gjasa të mbështesin parimet e demokracisë dhe të veprojnë në interesin më të mirë të zgjedhësve të tyre e të punojnë me zyrtarë të tjerë në interes të qytetarëve. Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm me rekorde të shkeljes së ligjit, veçanërisht në atë penal mund të ketë pasoja të rënda për procesin demokratik. Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm mund të çojë në një sërë pasojash të rënda përfshirë korrupsionin dhe nepotizmin”, tha ai.

Sipas Celibashit individë të tillë mund të përdorin pozitat e tyre të shtetit për përfitime personale, dhe të përfshihen në praktika jo etike e t’u japin përparësi interesave të tyre.

“Kjo gërryen besimin e publikut në procesin zgjedhor e minon legjitimitetin e qeverisë së zgjedhur qoftë qendrore dhe ajo lokale. Shkeljet ose keqpërdorimi i të dhënave mund të dëmtojë qytetarët dhe të rrezikojë integritetin e procesit zgjedhor. Përdorimi i të dhënave mund të çojë në krijimin e profileve digjitale të votuesve që mund të përdoret për t’i targetuar ata me mesazhe të personalizuara politike dhe elektorale. Ky lloj shenjestrimi mund të jetë ndërhyrës dhe manipulues”, deklaroi Celibashi.

Previous articlePërfshihet nga zjarri hoteli me refugjatë ukrainas në Angli
Next articleE rëndë/ Ishte me familjarët, mbytet në liqenin e Mursisës djali 4 vjeç