Home Letersi Buzëqeshje në letër

Buzëqeshje në letër

Trioleta nga Fatmire Duraku

I
Në çardak kotur ndjek vetëtimën
Krejt e vetmuar a krejt e humbur
Shiu lag rrugën, dëgjoj bubullimën,
Në çardak kotur ndjek vetëtimën

kam etje, shkruaj në poezi rimën
hijes tënde kthehem fare e tundur
Në çardak kotur ndjek vetëtimën
Krejt e vetmuar a krejt e humbur

II
Kam mall për dorën tënde e sytë
Për buzëqeshjen e figurës në letër
Për trëndafilin e porsaçelur në dritë
Kam mall për dorën tënde e sytë

Për tërësi të zjarrit që ende mbyt
Për besim të kaltër e kaq të vjetër
Kam mall për dorën tënde e sytë
Për buzëqeshjen e figurës në letër

III
E vjen kënga tjetër për mua e ty
Çdo gjë prapë të zgjoj, të përligjet
Që e fliste dashurinë për ne të dy
E vjen kënga tjetër për mua e ty

Tashmë ka mbetur etje e lot në sy
I gjithë shpirti të bredh e të digjet
E vjen kënga tjetër për mua e ty
Çdo gjë prapë të kthej, të përligjet

Vetëm fjalët
Trioleta

I
Sa keq, s ‘më fale asnjë trëndafil
Ta mbaj në dorë deri sa të ngel hi
Tash eci mezhdën e arës me tërfil
Sa keq, s ‘më fale asnjë trëndafil

Në kavak ja si këndon një bilbil
Cicëron vajton ka rënë në vetmi
Sa keq, s ‘më fale asnjë trëndafil
Ta mbaj në dorë deri sa të ngel hi

II
Pengë na mbetën fjalët mua e ty
The mbylli sytë, i mbylla sa çudi
Pengë na mbeti shikimi ndër sy
Pengë na mbetën fjalët mua e ty

Ta ndjej aromën nga derdhet aty
Në udhët mitike ik heshtja përsëri
Pengë na mbetën fjalët mua e ty
The mbylli sytë, i mbylla sa çudi

III
Sonte vetëm ty të ndjej në largësi
Sonte vetëm ti je shpendi me larë
Ma jep dorën në ëndërr të arrij te ti
Sonte vetëm ty të ndjej në largësi

Lulja e ka bukurinë e vet në gjithësi
Pres zogun qiellit të errtë e të vrarë
Sonte vetëm ty të ndjej në largësi
Sonte vetëm ti je shpendi me larë

 

Tinguj e zgjuar të vetmisë
Trioleta
I
Copëz e dritës bie në dritare
Unë lëviz fjalës dhe gjithësisë
Ajo pikë shiu e panjohur fare
Copëz e dritës bie në dritare

E ngushëlloj etjen me zamare
Me tingujt e zgjuar të vetmisë
Copëz e dritës bie në dritare
Unë lëviz fjalës dhe gjithësisë

II
Çfarë mund të besoj përsëri
Ndërsa i kam vetëm kujtimet
Ja ik mes tyre me mjeshtëri
Çfarë mund të besoj përsëri

Dal në çardak prek në hapësi’
Ikin rrugët, vijnë mashtrimet
Çfarë mund të besoj përsëri
Ndërsa i kam vetëm kujtimet

III
Ik në dhomë e perdet i mbylli
Frymoj në vete pa askënd aty
Besoj në kujtime a veç te ylli
Ik në dhomë e perdet i mbylli

Diku larg jehon melodi fyelli
Gjithçka sonte do të vdes me ty
Ik në dhomë e perdet i mbylli
Frymoj në vete pa askënd aty

 

 

SOURCEBulevard News
Previous articleVdiq duke lindur në spital/ Familjarët e Elisabeta Lamajt i ‘bëjnë pritë’ Olsian Çelës
Next articleKapja e 400 kg kokainë, ministri i Brendshëm i Kosovës: S’do jemi strehë e kriminelëve