Home IN MEMORIAM Burrnesha Xheko Tana! Homazh për një zonjë me Z të madhe!

Burrnesha Xheko Tana! Homazh për një zonjë me Z të madhe!

Nga Nebil Çika 

Xheko Tana, dritë pastë, kështu e thërrisnim. Se në Borsh, nuses së xhaxhait i themi xheko.
Nuk kishim ndonjë lidhje gjaku me të as me familjen e të shoqit xha Astritit , por ishte për ne si pjesë e familjes , si një hallë ë apo teze se motër ishte bërë për prindërit e mi.
Ishte nga një familje fisnike nga Tatëzati i Rrëzomës, nuse në Borsh. Lidhja e vetme me ne ishte fakti që i ati i sajë, Malo Baçi, kishte qenë i burgosur me tim at në Kalanë e Gjirokastrës si nacionalist, antikomunist .
Nga që familja ku ishte martuar nuk kishte ndonjë problem politik me diktaturën komuniste dhe dikur në fund të viteve 1970 e vunë ca kohë brigadiere në një brigade në bujqësi, ku punonin edhe prindërit e mi.
Me thënë të drejtën e respektonte shumë tim at dhe nuk zbatonte parimet e “luftës së klasave” të detyrueshme për kohën .
Se për ata që e dinë, brigadieri ishte hallka e parë e persekutimit politik, pasi ai kishte në dorë financat, që në atë kohë do thoshte bukën e gojës. Shumë herë presioni, lufta e klasave ndaj “armiqve të partisë “, fillonte nga brigadierët . Xheko Tana nuk e bënte këtë , as me familjen tonë e as me të tjerë.
Nuk besoj se kam njohur njeri me të drejtë në jetën time. Kjo zbutje e luftës së klasave prej sajë ra në sy të partisë dhe “organeve kompetente” të cilët nisën luftën ndaj sajë me skenarë që i dinin vetëm ata.
Ndoshta kishin vendosur ta godisnin edhe për arsye të tjera politike ,për faktin që ati kishte qenë ballist dhe i burgosur politikë, por si sebep i nxorën “favorizimin që i bënte armikut të partisë” ,babait tim.
E “këshilluan” disa herë në parti , Front Demokratik , Këshill Popullor etje por ajo nuk pranoi të ndryshonte qëndrimi e saj në përshtatje me politikën e luftës së klasave që i kërkonin ata .
Me sa duket dikur e “mbushi kupën” dhe organet kompetente i organizuan një demaskimin publik para brigadës, ku njerëz të ulët të përdorur e porositur nga pushteti e akuzuan atë se po “favorizonte armiqtë e partisë” duke i sjellë si provë e fakt trajtimin që i bënte tim ati. E akuzuan për “ulje të vigjilencës revolucionare, oportunizëm , shuarje të luftës së klasave” etj, si këto klishe të kohës së tyre.
Mirëpo ajo nuk u thye , nuk pranoi të ndryshonte sjellje e qëndron .
I sfidoi ata duke dhënë dorëheqjen nga “posti i brigadierit ” për të punuar gjithë kohën deri në vitin 1990 në punë nga më të rëndat ,krah për krah me nënën time “armike” me të cilën ishin si motra.
Rrezikoi shumë, veten dhe familjen, me këtë qëndrim , se të sfidoje ditakturën qoftë edhe në nivel brigadieri, për çështje të tilla siç ishte “shkelja e vijës politike e ideologjike të partisë për luftën e klasave, siç akuzuan atë ,nuk ishte fare e lehtë dhe nuk përtypej kollaj nga pushteti komunist. Tani, që kam dorë dosjen e Sigurimit të Shtetit e kuptoj sa shumë ka rrezikuar duke respektuar e përkrahur një person që ndiqej aga Sigurimi si “kry-eagjent shërbimeve të huaja sekrete “, siç ishte im at.
Kishte sedër të madhe dhe karakter të fortë, burrë e shkuar burrit.
Familjarisht nuk u nda kurrë me familjen tonë .
Ne fëmijët e dy fëmijëve jemi rritur bashkë në shtëpitë e njëri tjetrit e jeni si vëllezër edhe sot .
Fatkeqësisht iku nga kjo botë e re, nga një sëmundje e rëndë por rriti e edukoi fëmije të mbarë dhe veçanërisht me karakterin dhe sjelljen e sajë fisnike për aq sa qe midis nesh, ngeli një model fisnikërie e kujtim i paharruar për ne dhe ,besoj, për këdo që e ka njohur .
Nuk mund të rrija pa shkruar këto radhë për të, në librin tim, megjithëse meriton shumë më shumë se kaq.
Ky shënim, përtej vlerësimit dhe dëshmisë për atë që ajo ishte dhe ka bërë , është edhe një homazh e nderim im për të !
Qoftë e Parajsës !
Previous articleSali Berisha e rrokullis PD-në drejt majës së kodrës si Sizifi shkëmbin e tij
Next articleTragjedi në Rozhajë të Malit të Zi: Tre 16-vjeçarë të vdekur në një aksident