Home Kosova Buja: Kosova po ecën paralel me botën që bënë shkencë

Buja: Kosova po ecën paralel me botën që bënë shkencë

bujaKa filluar konferenca e pestë vjetore e shkencës “Java e shkencës 2013”, ku u diskutua rreth inkurajimit të mëtutjeshëm në të gjitha fushat e studimit. Gjatë kësaj jave do të shpalosen aspektet e zhvillimit të hulumtimit shkencorë, lidhjen e akademisë me ekonominë dhe sektorin privat dhe komercializimin e hulumtimit shkencorë nëpërmes inovacioneve.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja ka thënë se do të vazhdojë të inkurajojë fushën e hulumtimeve përmes një plani kombëtar, duke e përmendur përmirësimin e kornizës ligjore që i hapë rrugë të gjitha fushave të studimit shkencorë.

“E them për Kosovën që gjithnjë, çdo vit, çdo orë, çdo kohë që po ecën ne po na bënë më të ndërgjegjshëm se çfarë nënkupton hulumtimi, çfarë nënkupton shkenca, çfarë nënkupton ecja përpara dhe në proporcion, dhe paralel me botën e qytetëruar me botën që sot bënë shkencë vërtetë”, ka thënë ministri Buja.

Ndërkaq, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi shprehet se ky institucion i arsimit të lartë gjithmonë ka mbështetur dhe do të mbështesë kërkimet shkencore.

“Universiteti i Prishtinës ka kapacitetetet më të mëdha njerëzore dhe infrastrukturore në Republikën e Kosovës, mirëpo mbeten sfidë që të rriten kapacitete deri në nivelet e krahasueshmërisë me institucionet e avancuara ndërkombëtare, këtë synojmë ta arrijmë duke përkrahur kërkime shkencore dhe artistike, duke përkrahur përgatitjen e projekt propozimeve, duke përkrahur lidhjen e partneriteteve strategjike përmes rritjes së numrit dhe cilësisë së projekteve kërkimore, duke forcuar lidhjen e mësimdhënies me kërkimet shkencore, duke forcuar partneritetet ekzistuese, duke zgjeruar bashkëpunimin me institucionet kërkimore evropiane, si dhe duke përmirësuar kapacitetet e menaxhimit të projekteve”, ka thënë Gashi.

Kurse, Armand Krasniqi nga Universiteti i Pejës është shprehur se nevojat e përgjithshme shoqërore përmbushën vetëm nëpërmjet ofrimit të arsimimit cilësor në të gjitha nivelet e shkollimit, e sidomos atë universitar.

“Duhet kërkuar dhe argumentuar dhe arsyetuar vendimet e institucioneve qeverisëse edhe për hapjen edhe të universiteteve të tjera publike në vendin tonë, ne konsiderojmë se këto vendime kanë qenë të domosdoshme dhe të rëndësishme, nuk duhet harruar se procesi i decentralizimit dhe zhvillimit akademik në botën moderne në kushtet e globalizimit është vërtetuar si nxitës i hulumtimeve lokale dhe rajonale duke ju përshtatur nevojave të shoqërisë, ekonomisë së vendit dhe rritjes së punësimit”, ka vlerësuar Krasniqi.

Studiuesi, Jahja Kokaj, ka thënë se ngritja shkencore në nivel të magjistraturës dhe doktoraturës dhe post-doktoraturës, në qoftë se ky segment organizohet në mënyrë profesionale dhe me teknologji ndërkombëtare me siguri do të gjenerohet jo vetëm kuadër për institutet përkatëse por edhe do të jetë si burim për jetën akademike dhe pedagogjike.

Në konferencë do të jenë rreth 500 pjesëmarrës, studiues nga Kosova dhe shtetet e rajonit të cilët do të njihen për studimet e tyre nëpërmjet 15 seancave që do të zhvillohen për pesë ditë.

“Java e shkencës 2013” do të zgjasë pesë ditë dhe pritet të ketë prezantime nga hulumtimet në shkencat mjekësore, studimet shoqërore dhe ekonomike, studimet në fushën e edukimit, historisë, gjuhësore dhe kulturore, burimet natyrore, energjinë dhe mjedisin, prodhimin bujqësorë dhe sigurimin e ushqimit, shkencat teknike, inovacionin dhe transferin e teknologjisë.

Previous articleUollers vlerëson përpjekjet e BDI-së për kontestin e emrit
Next articleQë mbi këtë glob të fryjnë erëra të reja