Home Sport Broja festoi me shqiponjë, gazetari Artan Hoxha: Si do jetë ndjerë presidenti...

Broja festoi me shqiponjë, gazetari Artan Hoxha: Si do jetë ndjerë presidenti serb?

Armando Broja është kthyer në futbollistin më të rëndësishëm te skuadra e Southampton. Sulmuesi shqiptar gjeti rrugën e rrjetës në Premier League duke shënuar golin e 5-të sezonal.

Prej rreth një jave, klubi anglez ka ndërruar pronësi, pasi aksionet e klubit janë blerë nga një kompani që zotërohet nga serbi Dragan Solak, i cili ishte i pranishëm për herë të parë në stadium ku sulmuesi festoi sërish me simbolin e shqiponjës, për t’i treguar me krenari prejardhjen e tij, edhe pronarit të ri të klubit.

Gazetari Artan Hoxha ka reaguar pas golit të Brojës, mes ndjenjës së krenarisë, por edhe duke pyetur sesi do të jetë ndierë presidenti Solak.

“Pronari i ri i Southampton, Dragan Solak, ndoqi ndeshjen për herë të parë nga tribuna VIP e stadiumit St Mary. Nuk e di sesi do të jetë ndierë presidenti serb teksa ka parë Brojën që të festojë para tifozëve me shqiponjën dy krenare. Cdo gol i Brojës në Premier League shoqërohet me simbolin e shqiponjës. Vazhdo të na bësh krenar Armando”, shkruan Hoxha.