Home Politike Braçe për grumbulluesit: Japin para me fajde! Kanë rrjepur bujqit dhe pa...

Braçe për grumbulluesit: Japin para me fajde! Kanë rrjepur bujqit dhe pa pikë turpi duan të hyjnë në politikë

Deputeti Erion Braçe është kujdesur që të propozojë nismë ligjore për mbrojtjen e fermerëve. Së fundmi, Ministria e Bujqësisë ka pranuar nismën e tij që grumbulluesit e prodhimeve bujqësore të paguajnë detyrimet financiare ndaj fermerëve brenda 60-ditëve ose në të kundërt t’i aplikohen kamatëvonesa.

Në një intervistë për Report Tv e konsideron problematikë jetike që po i zhyt bujqit në borxhe pasi i kanë të rëndësishme paratë që marrin nga grumbulluesit. Po ashtu shprehet se grumbulluesit japin para me fajde dhe nga ana tjetër guxojnë që të tentojnë të hyjnë në politikë.

“Nëse një kompani grumbullimi ka 2-3 milionë euro pa paguar, natyrisht që janë shumë para që po i vonohen bujqve me 10 e 12 muaj po ka dhe më shumë se aq. Duam që në atë shtrat ligjor që kemi marrëdhëniet kontraktore, të hyjnë edhe bujqit, marrëdhënia e tyre në raport me grumbulluesit që merren me shitje në tregun e brendshëm, përpunim dhe me eksportuesit. E gjitha synon që brenda 30-60 ditëve, bujqit të marrin paratë e tyre të mundit e djersës. Për bujqit janë të domosdoshme ato para.

Kjo problematikë është jetike se po i zhyt bujqit në borxhe.  E kanë rrjepur bujkun dhe drejtues të tyre duan të hyjnë dhe në politikë pa pikën e turpit se mendojnë se i kanë zgjidhur punë duke i dhënë para me fajde vetëm me 32%. Ky zinxhir që nis nga marrëdhënia e keqpërdorur nga një grusht grumbulluesish shfrytëzues të punës së bujkut, duhet të marrë fund tani dhe me ligj.

E dyta që është e rëndësishme është të bëhet plan shlyerjesh të vlerës së mallit të grumbulluar nga bujqit. E treta është të ketë start të njëjtë se po i bëjnë gropën fshatrave, po luajnë me çmimet dhe rrënojnë grumbulluesit e ndershëm që po i nxjerr nga tregu duke lënë vetëm spekulantët. Ata që thonë ‘ju preu barku për lekët e bujqve’. Po mua më preu barku për lekët e bujqve”, tha Braçe.

Previous articleTensionet Kosovë-Serbi/ Hill: Të përfundohet Asosacioni dhe më pas propozimi franko-gjerman
Next articleAksident fatal në Fushë Kuqe, humb jetën një i mitur