Shqipëria si shumë vende të tjera ka ende një mbulesë vaksinale të ulët. Refuzimi i të rinjve për të bërë vaksinën është një problematikë globale përfshirë edhe ne.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi në fillim të muajit, se Gushti do të ishte i hapur për të gjithë personat +18 vjeç, duke i lënë radhë edhe të rinjve për t’u vaksinuar.
Gazeta ka folur shpesh herë me të rinj në kryeqytet dhe ka konstatuar se qarkullojnë një sërë teorish mes tyre për vaksinimin. Disa thonë se “nuk duan të bëjnë vaksinën sepse do ngelen steril”, të tjerë kanë ide edhe më konspirative kur thonë se “po ju vendosin mikroçip”, ndërsa një grup tjetër nuk e bëjnë sepse nuk mund ta zgjedhin vaksinën.
Shefja e Shërbimit Epidemiologjik dhe Sëmundjeve Infektive, Silva Bino, tha se vaksinimi i studentëve është thelbësor për mospërhapjen e sëmundjes. Kur jemi 2 muaj para nisjes së vitit të ri akademik, vaksinimi i te rinjve merr rëndësi në këtë drejtim.
Por në nisje të muajit të hapur të vaksinimit, të rinjtë janë të paktë që shkojnë të bëjnë dozën e një vaksine.
Pjesa më e madhe e tyre e bëjnë se u duhet për pushime jashtë vendit, apo të tjerë që do shkojnë të studiojnë jashtë.
“Për studentët do të përdoren të njejtat vaksina (si per te tjeret) dhe do të kemi edhe ndërgjegjësim të tyre” shtoi Bino.
Edhe në daljen e fundit publike krah Ministres Ogerta Manastiliu, ekspertja i bëri thirrje studentëve të vaksinohen në mënyrë që të kemi një mbulesë vaksinale sa më të madhe.
Por si do të ndërgjegjësohen të rinjtë?
Gazeta u përpoq të kontaktonte me dekanët e fakulteteve për të kuptuar cili do ishte kontributi i tyre në këtë drejtim, madje u tregoi edhe modele të universiteteve jashtë, por nuk mori një përgjigje.
Ndërkaq në faqen e “Facebook” të Univeritetit të Tiranës, gjendet një status ku i bëhet thirrje studentëve që të vaksinohen meqë është muaji i vaksinimit të hapur.
“Universiteti i Tiranës, u bën thirrje të gjithë studentëve të tij, që të kryejnë vaksinimin e plotë kundër “Covid 19”, për të shmangur, së pari, pasojat në shëndetin e tyre, dhe për garantuar një vit akademik normal,” thuhet në njoftim. Universiteti i Tiranës kujton që stafi akademik është vaksinuar, ndaj këtë duhet ta bëjnë edhe studentët.

Ndërsa univeristetet e tjera në vendin tonë duket se janë të zënë me promovimin e degëve për maturantët.
Ministria e Arsimit dhe Sporteve tha gjithashtu për Gazetasi.al se do të bashkëpunojë me Ministrinë e Shëndetësisë në çdo gjë që duhet, por universitetet janë institucione të pavarura. Në lidhje me pyetjen se çfarë hapash do ndërrmarë për të ndërgjegjësuar të rinjtë ende nuk dihet dicka konkrete
Ndërkohë të gjithë univeritetet në botë i bëjnë thirrje herë pas here studentëve për vaksinimin e tyre, madje ka disa prej tyre që kërkojnë një pasaportë vaksinimi për tu futur në auditore.
Qeveria italiane në një mbledhje të ditëve të fundit diskutoi për “pasaporten e vaksinimit në universitete dhe vende pune”.
Në një intervistë të fundit mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda Diaz tha se zgjidhja për vaksinimin nuk është detyrimi, por sforcimi për t’u bindur se sa e rëndësishme është vaksina.
Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar mbi 1 milion e 100 mijë persona me dozën e parë dhe prej tyre rreth 500.00 kanë marrë të dyja dozat, gjë që tregon një nivel të ulët të mbulesës vaksinale.
Përballë refuzimit në masë të të rinjve shumë vende në botë po japin stimuj financiare për ta. Në Shba kush vaksinohet merr 100 dollarë. Në Greqi po ashtu ka shpërblim financiar 150 Euro. Shperblimi në Shqipëri as nuk është propozuar dhe jo më të diskutohet.
Ditët e fundit, rritja e menjëhershme e rasteve me Covid-19 në vend, dhe në mënyrë të veçantë pas përhapjes së variantit Delta, është bërë shqetësim.
Rastet e reja e kanë zgjeruar hartën e qyteteve. Ministria e shëndetësisë njoftoi për infektime në 21 bashki nga 61 që janë gjithsej. Pjesa më e madhe e tyre janë të rinj. Edhe kërkesat për tampon janë shtuar jo vetëm për udhëtimet jashtë vendit, por për shkak të variantit Delta.
Epidemiologët thonë se kryesisht të infektuarit janë të rinj, të cilët kanë qenë më shpërfillës ndaj masave në fuqi me nisjen e sezonit të verës. (SI)