Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i ka këshilluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të mos i drejtojnë gishtat njëri tjetrit, por t’i përvishen punës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, çdo përpjekje për ta vënë në dyshim marrëveshjen e Ohrit është e kotë.
“Gjithashtu, do të flas për takimin e Ohrit dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe më lejoni të them se çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë. Marrëveshja është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për zgjedhje”, tha Borrell.
Po ashtu ai ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i monitorojë Kosovën dhe Serbinë për të parë nëse ato po e zbatojnë marrëveshjen.
“Është një tërësi, duhet të zbatohet nga të gjitha pjesët, në mënyrë tërësore dhe ne do të ndjekim me vëmendje kush zbaton e kush jo. Unë do t’i këshilloja që të mos i drejtojnë gishtat njëra-tjetrës, por të bëjnë punën e tyre”, tha Borrell.