Home Slideri Bllokohet sistemi i printimit të faturave të energjisë në Durrës. Konfuzion tek...

Bllokohet sistemi i printimit të faturave të energjisë në Durrës. Konfuzion tek qytetarët

Zyra klientit  DurresNga Xhevo Gradica / Bllokohet sistemi deklarimit të të dhënave në sportelet e kompanisë CEZ Shpërndarja në Durrës. Me fillimin e kësaj jave punonjësit e kësaj kompanie nuk kanë mundur të printojnë qoftë dhe vetëm një faturë të vetme për pajtimtarë familjarë, privat apo ente shtetërore. Deri më tani nuk ka asnjë lloj shpjegimi, madje administratorët shqiptarë, që kanë marrë në dorë administrimin e kompanisë kanë bërë të gjitha përpjekjet që kjo situatë të mos bëhet publike. Nuk dihen shkaqet e vërteta lidhur me çrregullimin në sistem në një kohë që mësohet se është e para herë që nga koha e privatizimit të këtij shërbimi që ndodh kështu.

Situata

Qindra qytetarë janë detyruar të pranojnë një copë letër nga sportelet në të cilat kanë pasur të shkruar shumën e detyrimit për të paguar, ndërkohë që veprimi nga punonjësit e sporteleve në zyrat e klientit të kompanisë është cilësuar i pajustifikuar. Me afrimin e mbylljes së muajit qytetarët i janë drejtuar sporteleve të CEZ-it në Durrës për të marrë faturën e energjisë pasi kanë mësuar se fatura nuk është shpërndarë fare. Në çastet e përballjes me punonjësit e sporteleve kanë mësuar se kjo faturë nuk mund t’u jepet duke u bërë të ditur se do të mësojnë vetëm shumën e lekëve. Janë të njëjtët punonjës dhe specialistë të cilët vijojnë të ushtrojnë të njëjta përgjegjësi dhe detyra në këtë kompani, por asnjëri prej tyre nuk merr përsipër të bëjë qoftë edhe një deklarim të vetëm për atë që ka ngjarë. Tani që sistemi i printimit të faturave është i bllokuar, mungon transparenca për faturën e muajit janar, pasi qytetarët nuk disponojnë të dhëna në lidhje me sasinë e energjisë së konsumuar, por vetëm të shumës që duhet të paguajnë. Habia ka shkuar deri në shpërthimin e pakënaqësive pasi çrregullimi në sistem thuajse ka paralizuar çdo gjë. Punonjësit e kompanisë shohin në kompjuter emrin e qytetarit dhe në një copë letër u tregojnë atyre se sa është shuma që duhet të paguajnë. Por kjo nuk ka qetësuar palën tjetër pasi pajtimtarët kanë rezervuar ankesa të shumta. Atyre nuk u është bërë e ditur sa kilovat kanë shpenzuar gjatë muajit janar të këtij viti, leximi matësit në fund të muajit pararendës dhe leximi në muajin e fundit, sa kilovat janë me çmim mbi limitet e përcaktuara dhe të tjerë elementë të domosdoshëm. Kësaj anomalie nuk ka mundur t’i japë përgjigje as drejtori i emëruar për administrimin e kompanisë në Durrës Neritan Golia. “Situata e kompanisë CEZ Shpëndarje në Durrës është në gjendje të mjerueshme”,-është shprehur ai duke mos mundur të tregojë se çfarë ka ndodhur realisht me sistemin në fjalë dhe as kohën e kapërcimit të situatës. Konfuzioni ka përfshirë të gjithë kompaninë, ndërkohë që nuk ka fare zëra për të pohuar dyshimet apo edhe të vërtetën. Golia ka pranuar se ndërmarrja, që ai ka marrë të drejtojë, është gjetur përpara një të papriture, por vetëm kaq pasi e ka pasur të pamundur të lexojë dhe të shpjegojë arsyet. Qytetarët kanë hyrë e kanë dalë të paqartë, të pabindur dhe të pakënaqur nga zyrat e kompanisë. Kjo gjë ka krijuar idenë se kompania së paku në Durrës ka ndërruar vetëm administruesin por jo predispozicionin dhe kulturën e shërbimit. Punonjësit tek zyra e pritjes së klientit e cila gjendet në afërsi të bankës tek muri rrethues i portit në Durrës nuk kanë afruar në asnjë rast sqarime për klientet e penalizuar pa shkak nga kompania, ndërkohë që të njëjtin qëndrim e kanë ndeshur qytetarët edhe me drejtuesit e CEZ-it për Durrësin. Për këto e të tjera parregullësi Golia është përpjekur t’ia faturojë të shkuarës dhe konkretisht nuk ka ngurruar të fajësojë vetëm çekët e CEZ. Golia ka theksuar se në tre vjet kompania çeke nuk ka bërë asnjë investim. Kreu i kësaj ndërmarrje ka thënë se do të ketë shumë shpejt ndryshim, ndërsa ka shtuar se duhet edhe një kontribut dhe vullnet i debitorëve për të paguar detyrimet e prapambetura që ata kanë ndaj CEZ-it. Me marrjen në drejtim të kompanisë nga ana e administratorit shqiptar dhe emërimit të drejtorit të ri në Durrës, është bërë e mundur ngritja e 24 grupeve të punës, të cilët janë përqendruar si fillim në evidentimin e debitorëve dhe mbledhjen e detyrimeve. Golja ka theksuar se nuk do të ketë tolerim për debitorët, ndërsa i ka bërë thirrje edhe biznesit që të paguajë faturat e prapambetura. 24 grupe pune që kanë secili nga 4 specialistë të 4 fushave të ndryshme janë shtrirë në terren me shpresë për të nxjerrë nga kolapsi ndërmarrjen e cila sa vjen dhe thellon krizën. Bllokimi sistemit të deklarimit të të dhënave dhe printimit të këtyre të dhënave ka hapur një kapitull të ri dhe me jo pak problem. CEZ Shpërndarja është akuzuar nga qytetarët për faturime të padrejta dhe penalizime të jashtëligjshme, ndërsa tani që kompania është në duart e specialistëve dhe administratorëve shqiptarë e njëjta kompani ka shkuar deri në mohimin e faturës për klientët. Të gjendur në situatën e paparashikuar Golia ka bërë të gjitha përpjekjet për të anashkaluar shqetësimin e ditës. “CEZ e ka lënë kompaninë në gjendjen që dihet nga të gjithë. Në tre vite faturime afrofe, ajo s’ka bërë asnjë investim dhe ne gjendemi përballë problematikave të mëdha”,-u deklaruar Neritan Golia. Ai ka bërë të ditur se ndërmarrja është në riorganizim e sipër dhe se deri sa të formësohet e tëra do të synohet vetëm në shmangien e defketeve pa iu përkushtuar investimeve.

 

 

Previous articleXhaxhi militanti zbardh drejtorët që u ka vënë gjobë botuesi i “Gazetës Bulevard”
Next articleBanorët e Hamallaj: Prefekti i Durrësit autori numër një i skandaleve me pronat