Home Ekonomia Bixhozi online dhe mbrojtja e të dhënave, në 2021 u mbyllën 125...

Bixhozi online dhe mbrojtja e të dhënave, në 2021 u mbyllën 125 faqe

Pavarësisht se lojërat e fatit u mbyllën si aktivitet pak vite më parë, dhe në vend funksionojnë vetëm katër kazino të autorizuara, ajo që është e pamundur të shmanget janë lojërat online.

Vetëm në vitin e kaluar, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit u kërkua mbyllja e 76 domain-eve apo faqeve online që mundësonin këtë aktivitet të paligjshëm. Ndërkohë që jo të rralla kanë qenë episodet e Policisë së Shtetit e cila ka vënë nën arrest persona të ndryshëm të cilët në ambiente të dedikuara lejonin zhvillimin e lojërave të fatit online.

Por një tjetër aktivitet për të cilin është kërkuar mbyllja e faqeve ka qenë ai që lidhet me kërcënimin e të dhënave personale.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare njoftoi se edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka pasur të paktën katër kërkesa për mbyllje domain-esh dhe një pjesë jo e vogël është kërkuar nga Autoriteti i Mediave Audioovizive.

“Gjatë vitit 2021 janë paraqitur disa kërkesa nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF), Autoriteti i Mediave Audiovizuale (AMA) dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave personale (KDIMDP), për mbylljen e aksesit nga ISP-të për 125 domaine me përmbajtje të paligjshme. Në zbatim të nenit 15, të ligjit 9918/2008 i ndryshuar, AKEP i ka përcjellë shkresat e këtyre institucioneve tek ISP-të.

Konkretisht, institucionet dhe numri i domaineve, për të cilat është kërkuar mbyllje aksesi, jepen më poshtë: • AMLF: 76 domaine; AMA: 45 domaine; KDIMDP: 4 domaine.

Bazuar në listat e paraqitura nga këto institucione vërehet se në asnjë rast nuk ka pasur kërkesa për mbyllje aksesi domainesh me “.al”” thuhet në dokumentin e AKEP.

I njëjti ndalet edhe tek domainet .al ku për vitin 2021 numri është 5931. “Numri total i domaineve me “.al” dhe nëndomaineve, në fund të vitit 2021 është 25740. Në terma statistikorë vihet re se gjatë vitit 2021, ka sërish një rritje të numrit total të domaineve të regjistruar, krahasuar me vitin 2020, me 1711 domaine të regjistruar më tepër gjatë vitit 2021” thuhet në raport./MONITOR