Home Rajoni Bisedimet në Bruksel/ Borrell pret të parin Vuçiç, më pas takim me...

Bisedimet në Bruksel/ Borrell pret të parin Vuçiç, më pas takim me Kurtin

Sot në Bruksel zhvillohen takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Është paralajmëruar që takimet të nisin prej orës 09:00 të mëngjesit.

Klan Kosova mëson se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, si dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, së pari do takojnë Vuçiç dhe më pas Kurtin.

Sipas agjendës së publikuar nga BE-ja, pas takimit në orën 09:00, nga ora 10:00 nis takimi Borrell-Lajçak-Kurti, ndërsa në orën 11:00 është paraparë që të zhvillohet takimi trelateral.

Pas takimeve, Borrell do të dalë në një konferencë për media ku pritet të shpalos detaje rreth takimit.

Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës. Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kishin nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë, nën përcjelljen e policisë në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Previous articleSot seanca parlamentare, çfarë pritet të ndodhë
Next articleNdizen “sirenat” e luftës në vendet baltike, Estonia, Lituania dhe Letonia mbyllin kufijtë për automjetet me targa ruse, nëse nuk kthehen nga kanë ardhur do të konfiskohen