Home Kulture Bienalja e Arkitekturës/ 4 të rinj shqiptarë prezantojnë Tiranën

Bienalja e Arkitekturës/ 4 të rinj shqiptarë prezantojnë Tiranën

E ndarë në 6 pjesë e me 89 pjesëmarrës që do të ekspozojnë në Giardini, Forte Marghera dhe Arsenale, ku vendoset edhe pavijoni shqiptar, Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës nis në Venecia në 20 maj… Koncepti i “Laboratorit të së ardhmes”, përzgjedhur këtë edicion të 18-të, kurohet nga arkitektja Lesley Lokko.

Përfaqësimi i Shqipërisë përmes ekspozitës “Përsiatje të pakohë, ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara”, u prezantua këtë mesditë në Opera… Në këtë ngjarje ku arkitekti shihet si agjent ndryshimi, kuratorët Era Merkuri dhe Martin Gjoleka, në bashkëpunim me Ani Markun dhe Geraldo Prendushin, prezantojnë tipologji të reja të hapësirave qytetëse…

Në formën e një odiseje virtuale Tirana vëzhgohet në dy hapësira publike; prej stadiumit “Dinamo” dhe Liqenit Artificial duke trajtuar përballjen me vështirësitë e kohës, transformimin digjital dhe ekologjik dhe realitetet hibride të krijuara.

Përmes një filmi të animuar të projektuar në dy ekrane në pavijonin vendas që do të zërë një hapësirë prej 280 metra në katror, ekspozita është konceptuar në mënyrë të tillë që vizitorët të mund të bëhen pjesë e saj duke eksploruar kryeqytetin.

Ekspozita ngre pyetje, por edhe sugjeron si të trajtohen ndërlikimet e periudhës që jetojmë në mënyrë më optimiste./Shqiptarja.com

 

Previous articleZgjedhjet vendore/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Fushata zgjedhore nisi para kohe
Next articleTik Tok drejt bllokimit në gjithë Evropën?