Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të takojë sot në Berlin kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Para se të nisej në turneun evropian, Biden, në një intervistë për gjermanen “Sueddeutsche Zeitung” i ka bërë thirrje Iranit që t’iu kthehet negociatave për programin e tij bërthamor.
Biden ka përsëritur ofertat e SHBA-së për bisedime direkte, por ka paralajmëruar Teheranin se dritarja diplomatike nuk do të mbetet e hapur përgjithmonë.
Biden po ashtu pritet të marrë pjesë në një konferencë vjetore për sigurinë në Mynih.
Në margjinat e saj është thënë se Biden do të takojë liderin e opozitës siriane, Moaz al-Khatib, të dërguarin ndërkombëtar për Sirinë, Lakhdar Brahimi, dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Biden do të qëndrojë edhe në Francë dhe Britani, në kuadër të udhëtimit të tij të parë ndërkombëtar prejse administrata Obama ka nisur mandatin e dytë.